S’ka marrëveshje për dinarin në Bruksel, Bislimi tregon dallimet: Ja çka po insiston pala serbe

Aktuale

S’ka marrëveshje për dinarin në Bruksel, Bislimi tregon dallimet: Ja çka po insiston pala serbe

Më: 4 prill 2024 Në ora: 07:11 Përditësuar në ora: 16:53 më 04.04.2024
Foto nga takimi

Lajçak: Kam në plan t’i vazhdojmë diskutimet për kompromis

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka folur me takimin e sotëm me ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Ai në rrjetin social Xka shkruar se në takim është diskutuar për të gjetur një zgjidhje të përkohshme për personat që atakohen nga rregullorja e BQK-së, e cila ndalon dinarin.

“Ia dolëm të mbushim disa boshllëqe mes propozimeve të të dyja palëve.Kam në plan t’i vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi Lajçak.

Ndryshe, pas takimit të kryenegociatorëve në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u deklarua se Kosova është pajtuar me propozimin e BE-së për dinarin duke e quajtur propozim konstruktiv, derisa sipas tij pala serbe ka kërkuar kohë shtesë.

“Propozimet tona për zgjidhje kanë qenë që nga fillimi brenda rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Kosovës e gjithashtu dhe propozimi i BE-së konsiderohet nga ana e jonë si propozim konstruktiv dhe në drejtimin e duhur. Edhe kësaj radhe, pala serbe refuzoi të bashkëpunonte e të vendoste si prioritet interesin e qytetarëve, duke insistuar në licencimin e një entiteti ilegal si “Postanska Banka”. Pas propozimit nga ana e BE-së, përsëri pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Ndryshe, ky ishte takimi i tretë në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë.

Lajçak thotë se ka përafrim të dallimeve mes palëve

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shkruar për takimin e sotëm që është mbajtur sot në Bruksel mes kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, ku është diskutuar gjetja e një zgjidhje për formën e dërgimit të mbështetjes financiare për komunitetin serb, brenda rregullores së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

“Mirëprita një tjetër takim me dy kryenegociatorët për të gjetur një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur nga rregullorja e BQK-së.

Ia arritëm t’i përafrojmë disa dallime nga propozimet e palëve.

Kam plan që së shpejti ta vazhdojmë diskutimet tona bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, ka shkruar ai në ‘X’.

 

Deklarohet Qeveria: Pala serbe refuzoi të bashkëpunonte

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimin e radhës në kuadër të procesit të dialogut.

Ky ishte takimi i tretë në nivel të kryenegociatorëve për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë. Propozimet tona për zgjidhje kanë qenë që nga fillimi brenda Rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Republikës së Kosovës e gjithashtu dhe propozimi i BE-së konsiderohet nga ana jonë si propozim konstruktiv dhe në drejtimin e duhur.

Edhe kësaj radhe, pala serbe refuzoi të bashkëpunonte e të vendoste si prioritet interesin e qytetarëve, duke insistuar në licencimin e një entiteti ilegal si “Postanska Banka”.

Pas propozimit nga ana e BE-së, përsëri pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel.

Prononcimi i plotë për media i zëvendëskryeministrit Bislimi, pas takimit të mbajtur në Bruksel:

Ky takim as nuk ka qenë i fundit e as i pari për dinarin, mendoj që është koha e fundit që ta shmangni këtë gabim në informim. Takimi është për të trajtuar modelet me të cilat Serbia mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për serbët e Kosovës, brenda rregullores së BQK-së.

Rregullorja e BQK-së nuk e përmend dinarin, rrjedhimisht as nuk ka diskutime për dinarin.

Ky takim është caktuar me idenë që palët të reflektojnë, gjegjësisht pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk kanë pasur kompetenca në vendimmarrje. Atyre i është bërë e qartë javën e kaluar që takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse ata janë të gatshëm të vijnë me ide për kompromis.

Fatkeqësisht, edhe sot kemi pas dallime të mëdha. Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si qytetarët serb mund të marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe kanë punuar si avokatët të “Postanska Banka” dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes i palëve të përfshira.

Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, z. Lajçak ka nxjerrë një propozim nga ana e tij, propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serb në Kosovë, por në të njëjtën kohë edhe respekton në tërësi Rregulloren e BQK-së. Prapë pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel.

Ligjërisht në Kosovë, nuk ka “Postanska Banka” dhe një nga principet e dakorduara është zgjidhja të sigurojë legjitimitet në tërësinë e saj, rrjedhimisht diçka që nuk është legjitime nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes. Mendoj që kjo është bërë e qartë palës serbe dhe gjatë javës së kaluar e sot në mënyrë të qartë edhe nga z. Lajçak.

Kosova dhe Serbia pa marrëveshje për dinarin në Bruksel

Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë më 1 shkurt, as pas takimit të tretë radhazi të enjten në Bruksel, konfirmuan kryenegociatorët e të dy vende, të cilët e akuzuan njëri-tjetrin për mungesë vullneti për të gjetur një zgjidhje.

"Fatkeqësisht edhe sot kemi pasur dallime të mëdha", tha kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur për gazetarë pas takimit me homologun e vet serb Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

"Derisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si serbët e Kosovës mund ta marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka punuar si avokat i Postanska banka (Kursimorës së Postës serbe) dhe gjithë kohën ka diskutuar se si të licencohet ajo", tha Bislimi.

Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Prishtina nuk tregoi "vullnet të mjaftueshëm" për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, tha ai.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Në takimin e kaluar në Bruksel, Petkoviq kishte thënë se pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimi i bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimora e Postës, në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër.

Bislimi e akuzoi palën serbe se “nuk ishte e shqetësuar për qytetarët”, dhe se shqetësimi i saj kryesor ishte si ta licencojnë autoritetet kosovare bankën e Serbisë në Kosovë, Kursimora e Postës.

“Për herë të tretë sot e bënë të qartë se ne nuk jemi anëtarë të Bankës Qendrore dhe nuk mund të marrim vendime... e bëmë të qartë po ashtu se diçka që nuk është e ligjshme në Kosovë, nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes”, tha Bislimi.

Petkoviq: Nuk ka marrëveshje në Bruksel për dinarin, pritet edhe një takim

Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë, as pas takimit të së enjtes, tha kryenegociatori serb, Petar Petkoviq

Duke folur për gazetarë në kryeqytetin belg, Petkoviq tha se Prishtina nuk tregoi "vullnet të mjaftueshëm" për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.

Ai i bëri këto deklarata pas takimit trepalësh mes tij dhe kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Të enjten më herët në mëngjes, Lajçak e zhvilloi një takim dypalësh me kryenegociatorin serb Petkoviq.

Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, shpresonte se do të tejkaloheshin dallimet në qasje mes palëve dhe të arrihej një zgjidhje, sipas së cilës qytetarët serbë në Kosovë do të mund të vazhdojnë t’i pranojnë beneficionet nga shteti serb.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend./REL

Fillon takimi trepalësh në Bruksel për dinarin

Ka filluar një takim trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petak Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, në përpjekje për ta gjetur një zgjidhje për pagesat me para të gatshme në Kosovë në valutën dinar, e cila u ndalua dy muaj më parë.

Të enjten më herët në mëngjes, Lajçak e zhvilloi një takim dypalësh me kryenegociatorin serb Petkoviq.

Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pret që të tejkalohen dallimet në qasje mes palëve dhe të arrihet një zgjidhje, sipas së cilës qytetarët serbë në Kosovë do të mund të vazhdojnë t’i pranojnë beneficionet nga shteti serb.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Takimi i sotëm do të jetë i dyti në javët e fundit mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa i treti në përgjithësi për këtë çështje në Bruksel.

Në takimet e deritanishme, sipas BE-së, palët kanë paraqitur propozimet e tyre për gjetjen e një zgjidhjeje praktike dhe afatshkurtër për qytetarët serbë në Kosovë që paguhen në dinarë nga Serbia.

Nis takimi i Lajçakut me Petkoviqin

Në Bruksel ka nisur takimi midis të Dërguarit të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq.

Takimi ka nisur pak pas orës 09:00, pas një të delegacionit serb me Lajçakun, raporton Euronews.rs.

Tema qendrore e këtij raundi të bisedimeve është rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që përfshin ndalimin e përdorimit të dinarit në territorin e Republikës së Kosovës.

Në Bruksel është duke qëndruar edhe Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, për të zhvilluar bisedime për të njëjtën temë.

Sot përsëri në Bruksel takohen kryenegociatorët

Sot në Bruksel, do të takohen kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, për të diskutuar sërish dhe gjetur një zgjidhje për formën e dërgimit të mbështetjes financiare për komunitetin serb, brenda rregullores së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti dje ka thënë se kryenegociatori Besnik Bislimi, në takimin e së enjtes në Bruksel nuk mund të negociojë për rregulloren e Bankës Qendrore që përjashton dinarin nga përdorimi.

“Unë e kam thënë mendimin tim dhe ne i mbahemi nën dhe prapa Bankës Qendrore. Kur ishte problemi me targat atëherë ministri Sveçla dhe unë kemi qenë në linjën e parë, tash s’jemi. Unë nuk jam kryeministër që vendos për BQK-në. Pushtetet janë të ndara në Kosovë, ne nuk jemi shtet autokratik si Serbia ku një njeri vendos për të gjitha. Pra, ka një vendim, një rregullore të BQK-së dhe ne jemi këtu si qeveri për t’i ndihmuar. Për këtë arsye zëvendësi im, Besnik Bislimi, nuk mund të negociojë për atë rregullore. Vetëm nëse ka ndonjë pasojë që askush s’e do atëherë hajde të shohim se çka mund të bëjmë që të ketë një tranzicion sa më të mirë e sa më të shpejtë. Ne nuk jemi bartës të këtij vendimi të ri të BQK-së, në këtë kuptim ngjarja kryesore tashmë ka ndodhur, tash jemi në fazën post festum dhe duhet të shohim që të mos ketë asnjë pasojë”, tha Kurti, në një deklarim për media para komunës së Mitrovicës së Veriut.

Kurse i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se të dy kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, se në takim do të vazhdojnë diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.

Ndryshe takimi i fundit ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është mbajtur me 25 mars, pikërisht për të gjetur një zgjidhje, mirëpo, përfundoi pa rezultate.

Serbia po kërkon nga Kosova që të shtyjë zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, kurse Kosova po këmbëngul se është në të drejtën e saj.

Kosova, i ka dorëzuar propozimet e idetë e saj rreth çështjes e në takimet i prezantoi e argumentoi ato.

Propozimet e Kosovës janë në linjë me rregulloren e BQK-së, për të cilën qeveria thotë se përmbajtja e së cilës nuk diskutohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat