Blakaj: Jo-serioz evidentimi i dëmeve të luftës bashkë me regjistrimin e popullsisë

Aktuale

Blakaj: Jo-serioz evidentimi i dëmeve të luftës bashkë me regjistrimin e popullsisë

Më: 6 prill 2024 Në ora: 11:14
Bekim Blakaj

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), Bekim Blakaj, thotë se është jo-serioze të bëhet identifikimi i evidentimit të viktimave, dëmeve dhe krimeve të luftës së bashku me regjistrimin e popullsisë.

‘’Mendoj që evidentimi i viktimave të krimeve të luftës , me të vrarë me të zhdukur, dhe evidentimi i dëmeve të luftës, së bashku me regjistrimin e popullsisë, normalisht nga ekipe të njëjta është jo serioz, në rend të parë, sepse duhet përgatitje i atyre që bëjnë këtë punë edhe nëse është mëndu ajo si do të bëhet, verifikimi i këtyre të dhënave që mblidhen në atë mënyrë’’, shprehet Blakaj.

Blakaj me tej thotë se gjatë këtij procesi mund të ketë edhe lëshime të ndryshe, duke potencuar se kjo punë do të duhej të ndahej dhe të realizohej në forma tjera.

‘’Mund të ndodhë që të ketë lëshime të ndryshme, kështu që mendoj se do të duhej që të ndahet kjo punë, pra që evidentimi i dëmeve të luftës të bëhet nga ndonjë komision profesional, ndërsa evidentimi i viktimave të luftës do të duhej të bëhej nga instituti që është kriju, por me punën, sistemin përmes një fushate që ka për detyrë parësore regjistrimin e popullsisë për mua është jo serioze mund të dalin gabime për të cilat është shumë vështirë për me i verifiku si të tilla’’, shton ai.

Për Blakajn, forma më e mire e evidentimit do të ishte nëse Qeveria të krijonte komisione speciale për këtë punë apo të formonte trupa konkret, ose me këtë gjë të merrej Instituti për Krime Lufte.

‘’Besoj se Qeveria ka qenë dashur të jetë më e kujdesshme në këtë pikë, sepse ka mundur të krijoj trupa për këtë punë, apo të bëjë një komision i cili do të ishte i bërë me ekspertë, apo ta bënte instituti i themeluar. Duhet përgatitje e jashtëzakonshme, duhet një sistem informativ i jashtëzakonshëm që kishte me i shifru gjitha këto’’, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat