​Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Vuçiq: Do të luftojmë kundër kësaj

Aktuale

​Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Vuçiq: Do të luftojmë kundër kësaj

Më: 11 prill 2024 Në ora: 20:58
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se vendin e tij e presin ditë të vështira në kohën kur Këshilli i Evropës do të vendosë rreth anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Ai gjatë një konference për media pas takimit me kreun e Republikës Serbe Milorad Dodik, edhe njëherë paralajmëroi tërheqjen e Serbisë nga Këshilli i Evropës në rast të pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Na pret një periudhë e vështirë, na pret lufta ‘për anëtarësimin’ e Serbisë në Këshillin e Evropës, sepse ata me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa përmbushjen e kushteve dhe themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, e dëbojnë Serbinë nga Këshilli i Evropës. Ta shohim. Kjo është kjo në ditë të njëjta. Do të luftojmë kundër kësaj”, ka thënë Vuçiq.

I pyetur nëse kushti i presidentit të Francës Emmanuel Macron për të blerë aeroplanët “Rafale” ishte vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, Vuçiq përsëriti qëndrimin zyrtar kundër sanksioneve ndaj Rusisë dhe se “askush nuk mund ta shantazhojë” Beogradin lidhur me këtë çështje.

Komiteti i Asamblesë Parlamentare të KiE miratoi në mars 2024 opinionin e raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.

Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedon në Asamblenë Parlamentare dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion javën e ardhshme, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta jep Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje në muajin maj.

Kosova ka aplikuar në maj 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi i saj kundërshtohet nga Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat