Kurti: Me Sarrazin biseduam për Procesin e Berlinit

Aktuale

Kurti: Me Sarrazin biseduam për Procesin e Berlinit

Më: 11 prill 2024 Në ora: 23:04
Pamje nga takimi

Kryeministri Albin Kurti, të enjten ka pritur në takim, të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në një postim në platformën “X”, Kurti tha se me Sarrazin ka diskutuar për Procesin e Berlinit.

“Sot e takova të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Ndërsa Procesi i Berlinit feston 10 vjetorin e tij këtë vit, ai nënvizon rëndësinë e tij si një platformë për bashkëpunim dhe rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve të kaluara, përfshirë lëvizjen e lirë ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës”, shkroi Kurti.

Gjatë vizitës, Sarrazin ka takuar presidenten Vjosa Osmani, shoqërinë civile dhe Listën Serbe.

Nga takimi me Listën Serbe, Sarrazin thotë se nuk doli me ndonjë ide të qartë se si ky subjekt serb mund të tërhiqet nga vendimi për të bojkotuar votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore më 21 prill.

“Ky takim nuk më dha shenja të qarta të cilat do të më jepnin idenë se cili do të ishte kompromisi”, ka shtuar emisari gjerman.

Por, i pyetur rreth lobimit të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në KiE, diplomati gjerman refuzon të vlerësojë cila palë po e shkelë atë, por e ka të qartë se një gjë të tillë nuk e lejon marrëveshja mes palëve.

“Unë nuk jam në pozitën e referit që të vendos kush po e shkel marrëveshjen e kush jo. Por, sipas pikëpamjes time dhe asaj si e lexoj marrëveshjen e Ohrit, Serbia nuk duhet të pengoj Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë më tej Sarrazin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat