​Votimi në veri, fshirja e kamerave së bashku me shkatërrimin e materialit zgjedhor

Aktuale

​Votimi në veri, fshirja e kamerave së bashku me shkatërrimin e materialit zgjedhor

Më: 21 prill 2024 Në ora: 16:07
Valmir Elezi

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka hedhur poshtë mundësinë e falsifikimit të votave dhe shkeljen e mundshme të privatësisë gjatë procesit të votimit sot në katër komunat veriore.

Duke folur rreth vendosjes së kabinave të votimit kah muri dhe nëse kjo shkel ligjin, zëdhënësi Valmir Elezi ka thënë se kjo mënyrë e pozicionimit do ta pamundësojë fotografimin e votës dhe nuk e cenon fshehtësinë e votës.

Elezi: Pozita e kabinave nuk rrezikon fshehtësinë e votës

“KQZ pas proceseve zgjedhore analizon të gjitha aspektet dhe bënë përpjekjet për përmirësime në proceset e ardhshme zgjedhore. Në këtë drejtim është edhe pozicionimi i kabinave të votimit që ka ardhur si rekomandim gjatë vitit 2023, gjatë kohës kur kemi organizuar në KQZ stimulim të procesit zgjedhor, por që ka qenë një aktivitet i brendshëm për të parë se si bëhet një proces votimi në ditën e zgjedhjeve. KQZ ka marrë parasysh që të marrë këtë rekomandim dhe ta praktikojë në proceset vijuese. Gjatë analizimit, KQZ ka vlerësuar se kjo mënyrë e pozicionimit të kabinave të votimit do ta pamundësojë fotografimin e votës dhe nuk e cenojnë absolutisht fshehtësinë e votës dhe po ashtu vendosja e kabinave të votës në këtë mënyrë është një model që praktikohet në shumë vende të tjera,” ka thënë Elezi.

Elezi ka folur rreth vendosjes së kamerave në procesin e votimit, duke thënë se një gjë e tillë në asnjë rrethanë nuk e cenon fshehtësinë e votës, derisa i gjithë procesi nuk monitorohet nga KQZ dhe se filmimet e kamerave do të shkatërrohen së bashku me materialin zgjedhor në rast se nuk do të ketë kërkesa nga institucionet.

Elezi: Kamerat nuk cenojnë privatësinë

“Vendosja e kamerave në votime, nuk është vendim që do të shërbejë për këtë proces zgjedhor, por do të praktikohet edhe në proceset e ardhshme kurdo që ato të zhvillohen...KQZ nuk monitoron regjistrimin apo funksionimin e këtyre kamerave online, nuk ka dhomë të veçantë ku shikon në ekrane këto filmime. Qasja mund të bëhet me vendim të institucioneve, KQZ, PZAP, prokurorisë apo gjykatave nëse ka ndonjë rast, në të kundërtën fshirja e këtyre imazheve bëhet së bashku me shkatërrimin e materialit zgjedhor pas procesit të votimit,” ka thënë Elezi.

Konferenca e radhës e KQZ-së do të mbahet në ora 19:30 dhe ajo ka të bëjë me procesin e votimit në tërësi.

Sot, banorët e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, do të vendosin pro apo kundër largimit të kryetarëve të këtyre komunave, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet e mbledhura nga mesi i muajit janar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat