​Dështimi në veri, Krasniqi fajëson Serbinë e Listën Serbe

Aktuale

​Dështimi në veri, Krasniqi fajëson Serbinë e Listën Serbe

Më: 21 prill 2024 Në ora: 20:25
Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka akuzuar Beogradin zyrtar dhe Listën Serbe, se kanë urdhëruar bojkotimin e procesit të votimit për shkarkimin ose jo të kryetarëve në katër komunat veriore, ndërkohë që i ka bërë thirrje BE-së të heqë masat e padrejta ndaj Kosovës.

Krasniqi në rrjetin social X ka shkruar në gjuhën angleze se Qeveria e Kosovës ka siguruar infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre demokratik.

“Ne siguruam infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik. Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në katër komunat veriore – pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që të mos bëhet një gjë e tillë”, shkroi ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se nisma për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, ka dështuar, pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve. Në procesin e sotëm të votimit kanë marrë pjesë vetëm 253 persona.

Ministri Krasniqi ka thënë se ka ardhur koha, tani më shumë se kurrë që BE-ja të heqë masat e padrejta ndaj Kosovës.

“Kosova ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes së Bratislavës. Ne duhet të ecim përpara. Nuk mund të frenohet më nga sjellja e përsëritur destruktive e Serbisë”, ka shkruar Krasniqi.

Më herët, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja.

“Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, ka thënë ajo.

Bashkimi Evropian vitin 2023 ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionimin e situatës në veri. BE ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat