Osmani ‘urdhëron’ Vuçiqin: Viktimat e Millosheviçiqit janë këtu, merr pak kohë e kërkoju falje - SHBA e Rusia ‘kapen’ për Kosovën

Aktuale

Osmani ‘urdhëron’ Vuçiqin: Viktimat e Millosheviçiqit janë këtu, merr pak kohë e kërkoju falje - SHBA e Rusia ‘kapen’ për Kosovën

Më: 22 prill 2024 Në ora: 14:27 Përditësuar në ora: 17:57 më 22.04.2024
Presidentja Vjosa Osmani së bashku me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyrete Tairin.

Osmani në KS të OKB-së: Elhame Muqolli ishte vetëm 14-vjeçe kur forcat serbe vranë dhe dogjën 53 civilë

Presidentja Vjosa Osmani fjalimin e saj në seancën e rregullt raportuese për situatën e sigurisë në gjashtëmujorin e fundit në Kosovë e nisi duke përmendur ndërhyrjen e NATO-s 25 vjet më parë në vend.

Ajo tha se me këtë u shënua një moment historik në historinë moderne të njerëzimit dhe një kthesë për kosovarët që ishin në kërkim të lirisë.

“Sot, teksa qëndroj këtu duke përfaqësuar vendin tim, Republikën e Kosovës, më kujtohet ndikimi i thellë i bashkimit të demokracive për një qëllim të përbashkët. Ishte vetëm 25 vjet më parë, kur ndërhyrja e NATO-s së bashku me aspiratën e palëkundur të popullit tim për liri shënuan jo vetëm një kthesë vendimtare në historinë e vendit tonë, por edhe një moment historik vendimtar në historinë moderne të njerëzimit”.

“Ajo ndërhyrje nuk kishte të bënte vetëm me ndërtimin e paqes, ishte kryesisht dhe më e rëndësishmja, për mbrojtjen e shenjtërisë së jetës njerëzore dhe të drejtën e të gjithë njerëzve për të jetuar të lirë nga frika e shkatërrimit dhe persekutimit. Ai zhvillim theksoi domosdoshmërinë që kur njëri prej nesh kërcënohet nga tirania, kjo është një kërcënim për të gjithë. Na kujtoi domosdoshmërinë e të vepruarit si një forcë e bashkuar përballë padrejtësisë së rëndë, duke mbrojtur me çdo kusht jetë njerëzore”, ka thënë Osmani.

Osmani me vete sot në seancë mori edhe katër heroina të Kosovës: Elhame Muqollin, Vasfije Krasniqi-Goodmanin, Shyhrete Tahiri-Sylejmanin dhe Fahrije Hotin. E para e vendit përmendi Masakrën e Poklekut, pjesë e së cilës ishte Elhame Muqolli e që i shpëtoi kësaj masakre.

“Pesë ditë më parë, ne shënuam 25 vjetorin e njërës prej masakrave më mizore, më çnjerëzore të regjimit të Millosheviqit. Elhame Muqolli, që më shoqëron sot në takim, ishte vetëm 14 vjeçe kur shtëpia e saj u bastis nga forcat policore të Serbisë. Fillimisht u qëllua mbi 53 civilë, kryesisht fëmijë, pasi të gjithë ishin mbledhur në një dhomë. Ndërkohë që policia u largua për t’u furnizuar, Elhamja arriti të hidhej nga dritarja dhe të largohej me vrap, pavarësisht se ishte plagosur nga plumbat. Menjëherë pas kësaj, policia u kthye e pajisur me benzinë për t’i vënë flakën të gjithë 53 civilëve”, ka thënë Osmani.

“Elhamja nuk do të mund të harrojë kurrë ulërimat shurdhuese të disa prej fëmijëve që ishin ende gjallë teksa po digjeshin. Dhe si të mos mjaftonte kjo, policia i vuri flakën vazhdimisht. Fëmijët e vegjël 6 dhe 10 muajsh u dogjën në përpjekje për t’i zhdukur nga faqja e dheut vetëm se ishin shqiptarë; vetëm sepse i përkisnin një etnie të ndryshme nga ajo e policëve dhe ushtrisë”.

“Shkalla e djegies së trupave ishte aq e rëndë sa që anëtarëve të mbijetuar të familjes u mbeti aq pak nga më të dashurit e tyre sa të mund t’i vendosnin të gjitha 53 viktimat në një varr të vetëm”.

“Një memorial u ndërtua në përkujtim të viktimave afër vendit ku ndodhi gjithçka, por asnjë politikan serb – asnjë i vetëm, nuk u gjunjëzua para varrit të atyre fëmijëve të vegjël. Dhe kur mendon se masakra të këtyre përmasave ndodhën pothuajse në çdo cep të vendit, me fëmijë të vegjël, gra, duke përfshirë edhe shtatzëna, të vrarë pa mëshirë, për shkak të mendësisë luftënxitëse që është ende e gjallë dhe ka nisur në Beograd”, deklaroi presidentja mes tjerash.

E para e vendit tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, asnjëherë nuk ka kërkuar falje për masakrat që janë bërë nga Serbia në Kosovë.

“Pra, zonja dhe zotërinj, ju mund të dëgjoni propagandën e Vuçiqit dhe ta lini atë të shtyjë revizionizmin e historisë së tij bazuar në librin e lojërave të Rusisë, por e vetmja e vërtetë për regjimin e Vuçiqit është ajo që është një mohim i vazhdueshëm dhe duke mos pranuar kurrë përgjegjësinë për këto krime të tmerrshme; duke mos kërkuar falje asnjëherë apo duke treguar një shenjë pendimi. Kurrë”.

“Masakra e Poklekut, si të gjitha masakrat nëpër Kosovë, tregoi se Millosheviqi dhe ministri i tij i atëhershëm i propagandës, sot ulur në karrigen e një presidenti, jo vetëm që kërkonin të fshinin të gjithë shqiptarët e Kosovës nga faqja e dheut, por edhe të shkatërronin provat në tërësi dhe të mos linin asnjë dëshmitar. Megjithatë, ata dështuan, pa pushim”, ka pohuar Osmani.

Osmani shtoi: “Derisa Elhamja ulet me mua sot këtu, duke kërkuar asgjë tjetër përveç drejtësisë, Vuçiqi, i ulur atje, ende ofron strehim, mbrojtje dhe promovim, për njësitë speciale të policisë dhe brigadën e ushtrisë që kreu krimet kundër familjes së Elhames”.

Nxehet Vuçiqi, e nervozon prania e heroinave nga Kosova në OKB, akuzon anëtarët e KS-së

Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq është shfaqur i pakënaqur me fjalimin e presidentes Osmani, posaçërisht me katër heroinat nga Kosova të pranishme në mbledhjen e KS të OKB-së.

“Kjo është një farë teatri politik dhe kurth për delegacionin serb.

Ajo që e dëgjuam deri tani ishte sikur një proces i krimeve të luftës kundrejt servbëve për diçka që ka ndodhur  25-vjet më parë.

Nuk u tha asnjë fjalë e vetme për raportin, asnjë fjalë për gjashtë muajt e fundit.

Pse nuk na keni informuar se kush do të ishte pjesë e secilit prej delegacioneve?”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë që aty kanë ardhur të diskutojnë për raportin e UNMIK-ut.

Po ashtu ka thënë se ka edhe gra serbe të dhunuara para 25 vitesh.

Ai mori një përgjigje edhe nga kryesuesja e KS të OKB-së, e cila i tha se ato janë të akredituara dhe se aty nuk ka asgjë të parregullt.

“Sikur nuk i dimë edhe emrat e delegacionit tuaj z. Vuçiq”.

Ndërkohë, Osmani tha se ato nuk janë vetëm gra të mbijetuara nga lufta, por si i përkasin kabinetit të saj, dhe punojnë për kauzat e tyre.

“Natyrisht se përdori të drejtën për t’iu përgjigj kësaj propagande që e dëgjuam nga Vuçiqi më herët. Sa i përket çështjes procedurale që u ngrit dëshiroj t’iu informoj se këto gra përveç që janë avokuese të shkathëta për drejtësinë, po ashtu janë pjesëtare të kabinetit tim, janë kapacitet këshillues”, ka thënë Osmani.

Image

 

Presidentja Osmani: 25 vjet paslufte, Kosova shkëlqen si avokate për vlera demokratike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, se Kosova 25 vjet pas luftës është duke shkëlqyer në aspektin demokratik. 

“Pas 25 vjetëve Kosova shkëlqen me suksese dhe është avokate për vlerat demokratike, që vë në pah diversitetin, duke promovuar multietnicitetin dhe përparimin e të drejtave njerëzore për të gjithë”, ka thënë presidentja.

E para e shtetit ka thënë se intervenimi i NATO-s për çlirimin e Kosovës nga regjimi serb jo veç që është shënuar në historinë e vendit, por është shndërruar në pikënisje për historinë e njerëzimit.

“Ky intervenim nga NATO jo veç që ishte për ndërtim të paqes, por parimisht dhe më me rëndësi ka qenë për mbrojtjen e jetëve të njerëzve dhe të drejtën për të jetuar të lirë nga persekutimet dhe vrasjes. Intervenimi ka vënë në pah se kur një nga ne është në rrezik është rrezik për të gjithë ne. Kjo na ka përkujtuar për veprimin si forcë e përbashkët për drejtësi dhe për mbrojtjen e jetës së njeriut”, ka thënë Osmani.

Vuçiq: Numri i votuesve shqiptarë u rrit artificialisht në veri të Kosovës, bojkoti i Listës Serbe i arsyeshëm

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën në Nju Jork, se serbët në Kosovë po vazhdojnë të përballen me ngacmime dhe forma të ndryshme të dhunës nga autoritetet, por pa ofruar dëshmi.

Ai i ka bërë këto deklarata në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të organizuar për të diskutuar raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Kosova përfaqësohet në këtë takim nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

Vuçiq i ka quajtur farsë deklaratat e Kosovës si lidere në fushën e demokracisë në Ballkanin Perëndimor, dhe ka shprehur keqardhje që raporti i OKB-së nuk ka ofruar të dhëna të mjaftueshme për të kundërtën.

Përgjatë fjalimit të tij, presidenti serb e ka përmendur nënshkrimin e marrëveshjeje me Kosovën, me ndërmjetësim të BE-së, më 2013, dhe sipas tij, janë bërë “11 vjet të premtimeve të pambajtura dhe arsyetimeve, dhe paaftësisë së BE-së për t’i lëvizur gjërat”.

Kur ka folur për çështjen e dinarit, presidenti serb ka thënë se vendimi i Prishtinës zyrtare ua ka vështirësuar përditshmërinë serbëve dhe minoriteteve tjera në Kosovë.

Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur së zbatuar një rregullore të re e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kështu, komunitetit serb në Kosovë i është pamundësuar përdorimi i dinarit, valutës serbe.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, dhe ua paguan atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Sa u përket votimeve për largim ose jo të kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, ai ka thënë se rritja e numrit të votuesve shqiptarë është rritur artificialisht në muajt e fundit në komunat veriore, prandaj, sipas tij, është i kuptueshmëm bojkotimi i votimit të 21 prillit nga ana e serbëve lokalë.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, e ka bojkotuar procesin e votimit më 21 prill, dhe ua ka kërkuar të njëjtën edhe banorëve serbë.

Kjo parti ka pretenduar se procedurat e planifikuara janë “të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka thënë se iniciativa për largim ose jo të kryetarëve ka dështuar, pasi në këtë proces kanë votuar 253 prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus 1 votues.

Kjo nënkupton se kryetarët aktualë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, do t'i vazhdojnë mandatet e tyre./REL

​Ankohet Vuçiq: Qe 11 vjet Kosova nuk po e bën Asociacionin

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është ankuar se Kosova nuk po e bën Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit, Vuçiq tha se se tashmë janë bërë 11 vitë nga marrëveshja për Asocacionin, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh.

“Më lejoni para se të lëviz te raporti, çka po flasim sot është t’ju kujtojmë që më 19 prill, para njëmbëdhjetë viteve prej marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, diçka që gjithashtu ka qenë pjesë përbërëse edhe bashkësia evropiane, që prej atëherë Asociacioni i komunave serbe ende nuk është në horizont. Për gjithë serbët që jetonë në Kosovë kanë qenë vite të të pavërtetave dhe premtimeve të pambajtura. 11 vite të paaftësisë së BE-së si garantuese për të lëviz gjërat.

Para se gjithash, përgëzoj përfaqësuesen e Kombeve të Bashkuara për të përmbushur mandatin e UNMIK-ut dhe Rezolutën 1244”, tha ai.

Kur ka folur për çështjen e dinarit, presidenti serb ka thënë se vendimi i Prishtinës zyrtare ua ka vështirësuar përditshmërinë serbëve dhe minoriteteve tjera në Kosovë. 

Vuçiq: Vendimi për dinarin vështirësoi jetën e serbëve në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën në Nju Jork, se serbët në Kosovë po vazhdojnë të përballen me ngacmime dhe forma të ndryshme të dhunës nga autoritetet, por pa ofruar dëshmi.

Ai i ka bërë këto deklarata në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të organizuar për të diskutuar raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Kosova përfaqësohet në këtë takim nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

Përgjatë fjalimit të tij, presidenti serb e ka përmendur nënshkrimin e marrëveshjeje me Kosovën, me ndërmjetësim të BE-së, më 2013, dhe sipas tij, janë bërë “11 vjet të premtimeve të pambajtura dhe arsyetimeve, dhe paaftësisë së BE-së për t’i lëvizur gjërat”.

Kur ka folur për çështjen e dinarit, presidenti serb ka thënë se vendimi i Prishtinës zyrtare ua ka vështirësuar përditshmërinë serbëve dhe minoriteteve tjera në Kosovë.

Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur së zbatuar një rregullore të re e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kështu, komunitetit serb në Kosovë i është pamundësuar përdorimi i dinarit, valutës serbe.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, dhe ua paguan atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë./REL

Mbledhja e KS/ Vuçiq nuk i ndalon akuzat e propagandën: Kurti po persekuton serbët në veri të Kosovës!

Ka nisur seanca për Kosovën në Këshillin e Sigurimit për Kosovën.

Në fjalën e tij në këtë mbledhje presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq tha se serbët e Kosovës, po cënohen dhe se dhuna ndaj serbëve në veri është e vazhdueshme.

“Jetesa për komunitetin serb në veri të Kosovës është bërë e pamundur. Ka një presion të vazhdueshëm kundrejt qytetarëve serbë. Persekutimi i tyre nga qeverisja e vetme në Kosovë, më duhet të kujtoj që Kurti po persekuton serbët.”, ka thënë Vuçiç.

Gjithashtu ai foli edhe për çështjen e dinarit, për të cilën tha se të gjithë serbët e kanë të pamundur të marrin pensionet e tyre dhe se institucionet po përballen me problematika të mëdha që janë vendosur nga regjimi i Kurtit.

Ziadeh: Pak përparim në normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi në muajt e fundit

Shefja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, ka shprehur të hënën pakënaqësinë e saj për mungesën e përparimit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit, drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Ajo i ka bërë këto deklarata në Nju Jork, në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa e ka prezantuar raportin për Kosovën.

Ziadeh ka raportuar për zhvillimet në Kosovë për periudhën 19 shtator 2023 deri më 15 mars 2024.

Sipas saj, disa herë gjatë kësaj periudhe është shënuar kthim mbrapa në normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke përmendur incidentin në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke e lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Mes tjerash, ajo e ka shprehur shqetësimin e saj edhe për mënyrën e zbatimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt – e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kështu, komunitetit serb në Kosovë i është pamundësuar përdorimi i dinarit, valutës serbe.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, dhe ua paguan atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Ajo e ka përgëzuar Kosovën për finalizim të procesit të regjistrimit të 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, sipas një vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të marrë më 2016.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar zbatimin e këtij vendimi, me arsyetimin se diçka e tillë është kyçe për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës./REL

Nis mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Ka nisur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila do të ballafaqojë presidenten Vjosa Osmani me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Pak orë para se të nisë mbledhja, Osmani ka publikuar video adresimin e saj me Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elmaze Muçolli dhe Shyhrete Tahiri.

Osmani ka thënë se Kosova do të paraqitet si vendi prej nga kanë dalur storie të shumta suksesi, pavarësisht plagëve që la lufta.

“Ne do të sigurohemi që të dëgjohet zëri i të gjithë qytetarëve tanë, të dëshmojmë se si Kosova është storie suksesi përkundër përballimit të dhimbjeve të shumta dhe sakrificës së jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.

Presidenca ka njoftuar se shefja e shtetit të Kosovës pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën.

Ajo gjithashtu do të flasë edhe për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

Gati të nis përballja e Presidentes Osmani me Aleksander Vuçiqin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, para takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Këshillin e Sigurimit ka thënë se e vërteta do të dëgjohet dhe do të mbrohet.

Përmes një video-live të publikuar në Facebook, Osmani shihet me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyrete Tairin.

“Para takimit të Këshillit të Sigurimit, bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyrete Tairin, për t’u siguruar që e vërteta do të dëgjohet dhe e vërteta do të mbrohet!

Na ndiqni sot drejtpërdrejt nga ora 16:00 (me kohë të Kosovës)”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat