Ndryshon formati i takimit Kosovë-Serbi në Bruksel

Aktuale

Ndryshon formati i takimit Kosovë-Serbi në Bruksel

Më: 25 prill 2024 Në ora: 07:28 Përditësuar në ora: 12:38 më 25.04.2024
Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq

Bruksel: Kërkohet takim trilateral Kosovë-BE-Serbi

Takimi mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel, i cili ishte paraparë të niste në orën 10:30, nuk ka nisur ende.

Siç ka njoftuar media e pavarur serbe N1, ka ndodhur një ndryshim i formatit, dhe kështu dialogu do të nisë me një takim trilateral në mesditë.

Temë kryesore e këtij takimi mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, do të jetë çështja e përdorimit të dinarit në Kosovë.

Ky është takimi i gjashtë për këtë temë.

Sot në Bruksel zhvillohen takimet e radhës në kuadër të dialogut

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq pritet të takohen sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak.

Këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu, tha se sot do mbahet takimi i radhës në Bruksel.

“Të enjten zhvillohen takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut”, tha ai.

Ndryshe rundi i fundit i bisedimeve u zhvillua më 18 prill dhe kishte përfunduar pa ndonjë sukses. Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi rregullorja e BQK-së, për përdorim të parasë së gatshme. 

Të martën, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak shprehu pritshmërinë që bisedimet e së enjtes në Bruksel do të bazohen në ide konkrete.

“U ktheva në Bruksel për vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një rrugë në lidhje me të ashtuquajturën “çështje dinar”. Diskutuam një zgjidhje të mundshme të përkohshme për qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme dhe besoj se ia dolëm ta kalojmë pengesën e madhe. Në të njëjtën kohë, disa dallime mbeten dhe për këtë arsye do të pres sërish dy kryenegociatorët në Bruksel dhe pres që bisedimet tona të bazohen në ide shumë konkrete, të cilat do të na mundësonin të ecim përpara në interes të popullit”, shkroi Lajçak në Facebook në një përmbledhje që i bëri angazhimit javor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat