Mbi pesë orë takim në Bruksel për dinarin, Xani: Nga takimet e gjata ka rezultate

Aktuale

Mbi pesë orë takim në Bruksel për dinarin, Xani: Nga takimet e gjata ka rezultate

Më: 25 prill 2024 Në ora: 17:57
Visar Xani

Një takim trepalësh, mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, është duke u mbajtur sot në Bruksel, ku atje po diskutohet për dinarin, konkretisht për gjetjen e një zgjidhjeje për transformimin e mjeteve financiare nga Serbia në Kosovë.

Takimi ka nisur qysh në mesditën e sotme, ku përafërsisht po shënohet ora e gjashtë që kryenegociatorët janë brenda takimit.

Lidhur me këtë takim të gjatë analisti, Visar Xani, pret që të ketë rezultate.

Ai thotë se nga takimet e gjata mund të ketë rezultate, pasi që sipas tij, BE është duke i bërë presion palëve për të arritur marrëveshje.

“Takimet e gjata mund të japin rezultate, nuk them që është njëra prej takimeve më të gjata. Për shkak se atëherë kur duan delegatët e Bashkimit Evropian, palët nuk i lejnë të lira, por i mbajnë në presion për të arritur marrëveshje. Kjo ndodh kur ka përafrim të qëndrimeve dhe ka momente, të cilat mund të shtyhen përpara palët për t’i pranuar negociatat ose kompromiset”, tha ai.

Tutje, ai tha se nëse ka përafrim të mendimeve drejtë një zgjidhjeje, Lajçak do të tentojë që sot të përfundojë çështjen e dinarit.

“Unë besoj që meqë ka takim të gjatë besoj që mund të ketë edhe rezultate. Nëse ka përafrim po, Lajçaku po mundohet që ta përfundojë me sot dhe nuk shoh mundësi për të zgjatur në aspekt politik edhe BE-ja, Kosova edhe Serbia e ka terrenin e ngushtë për të humbur kohë, sidomos Kosova. Kosovën e presin disa hapa të tjerë të rëndësishëm në procesin e dialogut para votimit të Këshillit të Ministrave për anëtarësim në KE, pra këto janë të ndërlidhura mes vete. Dinari është njëra pykë që mund të bllokojë disa procese”, shtoi ai.

Takimi i sotëm është i pesti me radhë në Bruksel me pjesëmarrjen e kryenegociatorëve, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë, më 1 shkurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat