“Lufta” shqetëson veteranët, Çerkini: Do vdes në Mitrovicë

Aktuale

“Lufta” shqetëson veteranët, Çerkini: Do vdes në Mitrovicë

Më: 26 prill 2024 Në ora: 23:50
Bajram Çerkini

Retorika e një lufte të re me Serbinë, po shqetëson veteranët. Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, kritikon ashpër ata që i fryjnë një zjarri të tillë, pasi po bëjnë që njerëzit të largohen nga Kosova.

“Na e keni futë një stres të ri se po bëhet luftë. Kush po e lypë atë luftë? Ai që mundet me largu fëmijët prej këtu se unë që nuk mundem me ik dhe ata që më kanë mbetur, pasha Zotin, qaty në Mitrovicë kam me vdek. Mos ma përmend bre vëlla! E vetmja Mitrovicë shqiptare nuk ka memorial. Në Urë të Ibrit në pjesën e veriut 7 metra memoriali për serbët, 50 për qind nuk kanë qenë në luftë fare. Të gjithë politikanët e dinë këtë punë”, tha Çerkini.

Ai më tej u bëri thirrje liderëve shtetërorë që të punojmë më shumë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në luftën e fundit me Serbinë. Kjo do të lehtësonte dhimbjen e atyre që nuk mund të mbyllin sytë për 25 vite me radhë.

“Politikanë të nderuar, kthejuni vetes dhe popullit. Rehatojeni popullin me këtë dhimtë me të cilën nuk mund të flejnë sa duhet. Shumë rrall e përmendi djalin, kur më bie ndërmend për ato nëna që ua kanë marrë në prehër fëmijët. I kam djepat në zyre të zbrazët e nënat gjallë. A ka gjë më të rëndë se kur të thuhet po i shkelmi të drejtat e njeriut me konventa ndërkombëtare… Me qenë analfabet që s’dijnë me shkru, kanë ditë vëllezërit, baballarët e stërgjyshërit prej vitit 1912 i kam të pagjetur. Kanë ditur të gjejnë gjuhë të përbashkët me zbutë dhimbjen e këtij populli. U përmendën varrezat masive. Deri kur na themi kemi lavru krejt Kosovën? Aty ku unë besoj që janë tetë vetë, me djalin tim, nuk është gërmuar ende”, shtoi ai për A2CNN.

Mbi 1600 persona konsiderohen të zhdukur në Kosovë në luftën e fundit me Serbinë. Një marrëveshje është arritur për zbardhjen e fatit të tyre, por Beogradi zyrtar po refuzon të hapë arkiva shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat