​Muja: Kosova i ka përmbushur kushtet për anëtarësim në KiE

Aktuale

​Muja: Kosova i ka përmbushur kushtet për anëtarësim në KiE

Më: 29 prill 2024 Në ora: 15:39
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja

Formimi i Asociacionit nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kështu u tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, për çka partia në pushtet potencoi se nuk do ta dërgojnë në Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit. PDK e LDK nuk kanë komentuar një gjë të tillë, duke thënë se i takon qeverisë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se nuk do ta dërgojnë draft-statutin e Asociacionit, në këmbim të anëtarësimit në KiE.

Muja: Përgjigja për dërgimin në Kushtetuese është jo

“Është e rëndësishme që vende si Serbia mos të kenë veto mbi të ardhmen demokratike të të gjitha vendeve në rajon, përfshirë edhe të Kosovës. Unë besoj që Kosova i ka përmbushur kushtet dhe me datën 17, siç është lajmëruar votimi, ne duhet të besojmë që Kosova do të jetë anëtare e re e Këshillit të Evropës.... Përgjigja është jo (për dërgimin në Kushtetuese)”, u shpreh Muja.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se votimi i raportit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk ka asnjë parakusht.

Gashi: Nuk ka asnjë parakusht

“Ne si delegacion i Kosovës në Këshillin e Evropës kemi kryer punën tonë dhe konkluzioni ka qenë raporti që është votuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili nuk ka asnjë parakusht”, tha ai.

Sa i përket draft-statutit të Asociacionit, tha se nuk dëshirojnë të përfshihen në këtë temë.

Lidhur me këtë nuk kanë shprehur qëndrimin as PDK-ja, ku deputetja Blerta Deliu Kodra tha se i takon qeverisë.

Deliu-Kodra: Kjo nuk është çështje e qeverisë 

“Çështja e dorëzimit apo mos dorëzimit të draftit të asociacionit të qeverisë, nuk është çështje e opozitës, është çështje e Qeverisë së Kosovës. Qeveria duhet të jetë e përgjegjshme karshi nevojës për t’i dhënë epilog edhe zhvillimeve të cilat do t’i kemi së shpejti në Këshillin e Evropës. Mendoj që stadet e kaluara kanë dëshmuar një nivel të mirë të kalimit të Kosovës në këto stade. Megjithatë, mbetet të shihet javës në vazhdim se cili do të jetë pozicioni i Kosovës dhe nëse qeveria me angazhimin apo mos angazhimin e saj do ta arrijë që Kosova të jetë anëtare në Këshillin e Evropës”, tha ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se Asociacioni nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Tahiri: Në raport nuk është kusht Asociacioni

"Raporti i raportueses për Kosovën e saktëson shumë saktë që Kosova i ka përmbush kushtet dhe ftesën duhet të marrë me 16 apo 17 maj. Unë jam pjesë e delegacionit, votimi ka ndodhë, 131 deputetë kanë votuar për dhe unë mendoj që Kosova e meriton të ketë ftesën për të qenë anëtare e Këshillit të Evropës. Asociacioni në raport nuk është kusht, ajo i lihet në diskrecion komitetit të ministrave. Qeveria duhet të ketë shumë kujdes, që anëtarësimi i Kosovës është paradhoma e integrimit euroatlantik. Do të thotë është hap natyral para anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe në BE. Qeveria duhet të komunikojë, ne si opozitë nuk kemi komunikime, unë kam komunikime me deputetë të grupeve politike, mirëpo nuk e di saktë përveç faktit që e shoh që ka një presion serioz ndaj Kosovës në raport me këtë temë", deklaroi ai.

Sipas tij, Kosova nuk duhet ta hup shansin për të qenë anëtare e Këshillit të Evropës. Më tej, theksoi se krerët e shtetit e kanë pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat