Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Shtuticës

Aktuale

Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Shtuticës

Më: 30 prill 2024 Në ora: 20:08
Rifat Bilalli

Kujtimet e dhimbshme të 30 Prillit 1999 në Shtuticë të Drenasit, për Rifat Bilallin janë ende të freskëta.

Mëngjesin e asaj të premteje, Kryetari i Shtabit të Emergjencës së fshatit së bashku me ushtarët e tjerë u rrethuan nga forcat serbe.

“Rrethimi ishte në formë patkoi dhe të shtënat ishin të gjitha anët, t’u fillu prej automatikëve dhe të tankeve. Këtu me 30 Prill ka ra edhe Komandanti i Brigadës 114, z. Ilaz Kodra, një ushtar, një komandant shembullor”, shprehet Bilalli.

E nga ky rrethim, Bilalli për ditë të tëra përjetoi maltretime të shumta.

“Fillojnë ekzekutimet, dhe thonë edhe juve ka me ju gjet i njëjti fat, mirëpo neve na dërgojnë në Drenas, na mbajnë pesë ditë. Vetëm ujë nganjëherë pinim, as bukë as kurgjë. Rrahjet e maltretimet ishin shumë të mëdha, ishin edhe vrasjet e individëve të ndryshëm”, tregon ai.

Por tmerrin më të madh  nga forcat serbe e kaloi në fshatin Vukovc.

“Aty kemi nejt 47 ditë, duke na përdorë si mburojë e gjallë, ose për ecje për siguri të tyre për tokë, për mina, por njëherit edhe punë fizike, t’u çelë kanale”

E për të liruar edhe fëmijët që u zunë nga forcat serbe, banorë të Shtuticës dhanë edhe jetën.

Prej tyre ishte edhe dëshmori Naim Berisha.

“Shpëtoi 14 fëmijë, e vet është vra se s’pat municion më shumë. Është vra, por ata fëmijë i ka liru krejt armiku, e falë gjakut të tyre ne e gëzojmë lirinë. Krejt jemi kon bashkë me vllazni, kemi dashtë me vdes në vendin tonë.  Unë tre i kam dhënë për këtë tokë, i kam edhe 12 mashkuj, jam i gatshëm për këtë tokë prap me dhënë”, thotë Musli Berisha, vëlla i tre dëshmorëve

Në masakrën e Shtuticës u ekzekutuan 272 të pafajshëm në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat