Miratohet vendimi përfundimtar për shpronësimin e parcelave të pronave që ndërlidhen me ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë

Aktuale

Miratohet vendimi përfundimtar për shpronësimin e parcelave të pronave që ndërlidhen me ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë

Më: 8 maj 2024 Në ora: 15:52
Foto nga takimi

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, ka njoftuar se është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësimin e parcelave të pronave që ndërlidhen me ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.

Në bazë të njoftimit, shpronësimi i pronave përfshin segmentin Struzhë-Kyçja me autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren.

Aliu theksoi ky vendim përfundimtar përfshin shpronësimin e pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve për interesin publik.

Ndryshe, më 12 janar 2024, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëfinancim të tunelit për rrugën Prizren-Tetovë.

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, tha se kjo rrugë e rëndësishme nuk e lidh vetëm Prizrenin me Tetovën, por edhe korridorin 8 me autostradën “Ibrahim Rugova” që e lidh Prishtinën me Durrësin e Tiranën duke krijuar mundësi për kyçje nëpër korridore dhe më gjerë në nivel të rajonit.

Ndërsa, zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve i Maqedonisë së Veriut, Bekim Rexhepi, kujtoi se kësaj marrëveshjeje i kanë paraprirë një sërë takimesh të grupeve të punës nga të dyja vendet, duke mbërritur kështu në zgjidhjen më optimale për projektin e ndërtimit të tunelit 6.4 km të gjatë.

Financimi i këtij projekti, përfshirë ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, do të ndahet proporcionalisht në përputhje me gjatësinë e tij në secilën anë, ndërsa projektimi i secilës pjesë para dhe pas tunelit do të jetë i financuar nga palët përkatëse.

Kjo rrugë krijon një lidhje të sigurt dhe të qëndrueshme mjedisore të transportit për njerëz dhe mallra, duke forcuar edhe ndërlidhjen midis parqeve kombëtare, destinacioneve turistike dhe korridoreve rrugore në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat