Komisioni Evropian: Progresi në dialog, kusht për përfitime financiare për Kosovën e Serbinë

Aktuale

Komisioni Evropian: Progresi në dialog, kusht për përfitime financiare për Kosovën e Serbinë

Më: 10 maj 2024 Në ora: 12:22
Foto ilustrim

Kosova ka të drejtë për financim sipas Planit të Rritjes, njëjtë sikurse pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor. Kjo e drejtë mund të realizohen nëse plotësohen kushtet për pranim të pagesave.

Kështu thuhet në një përgjigje me shkrim për RTK-në nga zyra e shtypit e Komisionit Evropian. Megjithatë, në këtë përgjigje nuk ka sqarim nëse masat e Brukselit ndaj Prishtinës zyrtare mund të jenë pengesë për marrjen e fondeve nga kjo pako financiare.

Sidoqoftë, pavarësisht masave në fuqi, të dyja vendet duhet të përparojnë në procesin e dialogut në mënyrë që të kenë të drejtën t'i gëzojnë fondet evropiane nga Plani i Rritjes.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve. Të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”, thuhet nga zyra e shtypit e KE-së.

Për të gëzuar fondet nga Plani i Rritjes, Kosova dhe  Serbia duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

Kjo nënkupton zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit si dhe aneksi i zbatimit. Gjithashtu, kërkohet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të së kaluarës të arritura në kuadër të dialogut si dhe përfshirja në negociata për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndryshe Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh për gjashtë shtete e Ballkanit Perëndimor, konsiderohet një ofertë gjithëpërfshirëse e BE-së për të rritur gjendjen e tyre socio-ekonomike.

Bëhet fjalë për pakon më ambicioze financiare të BE-së për rajon që mëton dyfishimin e ekonomive në dhjetëvjeçarin e ardhshëm.

Kjo pako përbëhet nga 6 miliard euro, nga të cilat 2 miliardë do të dërgohen në formë të granteve, ndërsa 4 tjerat në formë të kredive të favorshme.

“Ai përfshin akces progresiv në tregun e vetëm të BE-së, i kushtëzuar nga progresi në tregun e përbashkët rajonal të BB6, dhe mekanizma për të nxitur reformat. Plani i Rritjes nuk është një alternativë ndaj zgjerimit të BE-së, është një ofertë që do të plotësojë dhe përshpejtojë procesin e anëtarësimit”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga selia e KE-së.

Sidoqoftë, për të përfituar nga pakoja financiare secili shtet duhet të përmbushë kritere të caktuara lidhur me reformat e vlerave demokratike të sundimit të ligjit si dhe ato socio-ekonomike.

Sipas vendimit të miratuar, pagesat në kuadër të Planit do t'i nënshtrohen kushteve strikte.

Për të përfituar nga kjo pako, secili shtet përfitues duhet të përgatisë një Agjendë Reforme, e cila, para lirimit të fondeve, do të konsultohet, vlerësohet dhe miratohet nga institucionet evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat