Deputetja e PDK-së: Hap i rrezikshëm, aleatët e Kosovës nuk kanë kërkuar draft-statut të tillë për asociacionin

Aktuale

Deputetja e PDK-së: Hap i rrezikshëm, aleatët e Kosovës nuk kanë kërkuar draft-statut të tillë për asociacionin

Më: 16 maj 2024 Në ora: 16:07
Ariana Musliu Shoshi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ariana Musliu-Shoshi e quan të gabuar letrën e shefes së diplomacisë kosovare Donika Gërvalla në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është në përgatitje të draft-statutit për asociacionin.

Në një prononcim për media, Musliu-Shoshi ka thënë se kjo letër përveç se nuk është adresuar në vendin e duhur, përmban gabim edhe në përmbajtje. Ajo potencoi se një draft-statut të tillë nuk e kanë kërkuar aleatët ndërkombëtarë, pasi sipas saj nuk është e dakorduar në marrëveshjen e Ohrit.

Musliu Shoshi: Gërvalla gaboi me letrën për draft-statutin e asociacionit në KiE

“Adresimi është gabim, sepse i është adresuar presidentit apo kryetarit të Asamblesë Parlamentare dhe Asambleja Parlamentare tashmë e ka dhënë qëndrimin e saj me votë në sesion. Tani ky është vetëm një opinion që i është dorëzuar Komitetit të Ministrave, mirëpo nuk është opinion i obligueshëm për mendim në komitet të kryeministrave. Por, a e ka bërë këtë huq nga vetëdija apo mos dija ministrja Gërvalla, këtë nuk e di dhe nuk jam kompetente për ta thënë. Por, që ka bërë gabim në adresim - kjo është e sigurt”, tha Shoshi.

Ndër të tjera deputetja e PDK-së këtë veprim e sheh si “shfajësim për konsum të brendshëm dhe fajësim për konsum të jashtëm”. Ajo thotë se dërgimi i kësaj letre është një hap i rrezikshëm për aleatët tanë dhe se mund të acarojë edhe më tej marrëdhëniet.

Musliu-Shoshi: Aleatët e Kosovës nuk kanë kërkuar draft-statut të tillë për asociacionin

“Aleatët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar që hapat konkretë apo të ardhshëm të merren me draft-statutin e asociacionit që kanë pranuar në marrëveshjen e Ohrit, me të cilën janë dakorduar. Pra, kjo letër e dërguar është po ashtu edhe në përmbajtje gabim. Sepse një draft-statut të tillë nuk e kanë kërkuar aleatët tanë ndërkombëtarë, sepse nuk është e dakorduar në marrëveshjen ndërkombëtare, në këtë rast që është në marrëveshjen e Ohrit. Prandaj, e vlerësoj që edhe përmbajtja e letrës është gabim…Këtë e shoh më shumë si shfajësim për konsum të brendshëm dhe në fajësim për konsum të jashtëm, pra të shfajësohen brenda për brenda duke thënë se ‘ne e dërguam vendimin dhe dërguam një draft-statut. Mirëpo, unë vlerësoj që për aleatët tanë ky hap është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe ka mundësi që të acarojë edhe më tej marrëdhëniet që ka Republika e Kosovës”, tha Musliu-Shoshi.

Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla tha sot se draft-statuti për asociacionin do të përmbushte obligimet ndërkombëtare dhe do të respektonte Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sipas saj, pavarësisht si do të pranohet kjo ofertë e palës kosovare, do të procedohet tutje për hartimin e draftit të asociacionit dhe dërgimit të tij në Gjykatë Kushtetuese.

Sipas Gërvallës kjo letër zotimi nuk është e vonuar pasi po të konsideronin si të tillë do të dërgonin më herët.

Zëvendësministri i MPDJ-së, Kreshnik Ahmeti, tha se nëse në mbledhjen e nesërme të ministrave të Punëve të Jashtme të Këshillit të Evropës s’ka gatishmëri për të përfshirë në agjendë anëtarësimin e Kosovës, i njëjti mund të vendosë një datë të radhës se kur mund të bëhet një gjë e tillë.

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se nuk pret që Kosova të jetë në agjendë më 17 maj, pasi sipas tij, letra ka ardhur me vonesë.

Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave. Disa vende si Gjermania dhe Franca kanë kërkuar nga Kosova hapa konkretë drejt asociacionit, për t’i bindur qeveritë skeptike të votojnë pro anëtarësimit të saj në KiE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat