MPJD i përgjigjet Presidencës për letrën e dërguar në KiE: Letra është zotim i krerëve të vendit

Aktuale

MPJD i përgjigjet Presidencës për letrën e dërguar në KiE: Letra është zotim i krerëve të vendit

Më: 16 maj 2024 Në ora: 21:36
MPJD

Nga ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kanë reaguar pasi Presidenca e Kosovës ka deklaruar se ekzekutivi i vendit nuk janë konsultuar me presidenten, Vjosa Osmani, për letrën dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku u zotua se deri në fund të majit Kosova do ta shkruajë draft-statutin e Asociacionit.

Nga MPJD thanë se në letër janë zotimet e krerëve të shtetit që janë bërë në prill të këtij viti.

“Në lidhje me pyetjet tuaja, ashtu siç deklaroi Ministrja Gërvalla sot në konferencën për media, letra e dërguar sot në Këshillin e Evropës është konkretizim i zotimeve të mëparshme në mesin e të cilave është edhe zotimi i krerëve të shtetit në prill të vitit 2024”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Presidenca e Kosovës ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar dhe konsultuar në lidhje me letër që ia kanë adresuar Këshillit të Evropës.

Në një përgjigje nga Presidenca kanë bërë të ditur se përkrahin qëndrime dhe veprime që janë të konsultuara dhe të koordinuara paraprakisht me ta.

“Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione”, ka thënë këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat