Latifi: Shtyrja njëjavore për regjistrimin e popullsisë, e mjaftueshme

Aktuale

Latifi: Shtyrja njëjavore për regjistrimin e popullsisë, e mjaftueshme

Më: 17 maj 2024 Në ora: 23:30
Tahir Latifi

Tahir Latifi, profesor universitar, i angazhuar nga Agjencia e Statistikave në procesin e  regjistrimit të popullsisë në cilësinë e ekspertit, duke folur për shtyrjen e afatit të regjistrimit të popullsisë, përmendi arsyet e zbatimit të këtij vendimi nga ana e qeverisë.

Ai tha se fillimisht ishte kërkesë e disa komunave, fjala vjen:  Dragashi, Prishtina, Prizreni, Drenasi, Fushë Kosova, Skenderaj, Obiliqi, Ferizaj, Shtërpca, Kaçaniku, Gjakova për shtyrjen e afatit të regjistrimit, Qeveria e Kosovës  mori për bazë këtë kërkesë dhe vendosi që regjistrimi i popullsisë të shtyhet për një javë, më 24 maj.

“Në disa raste janë drejtuar probleme të natyrave të ndryshme. Jo si rezultat i problemeve të shkaktuar nga regjistruesit, mbikëqyrësit nga terreni, apo komisionet komunale, por nga shkaqe të tjera, në viset e banuara me komunitete joshumicë, pra në rajonet me diversitete etnike, si dhe të natyrave të tjera”, sqaroi Latifi në “Lajmet e fundit”.

Ai më tej tha se ASK ka parë si nevojë që t’iu përgjigjet pozitivisht kërkesë së këtyre komunave, për e shtyrjen e regjistrimit në mënyrë që secili qytetar i këtij vendi të jetë i regjistruar, sepse, shtoi ai, secili qytetar është pjesë e këtij vendi dhe ky lloj regjistrimi bëhet një herë në dekadë.

“ASK përmes regjistruesve të vet, që janë mbi 200 sish, do të kenë mundësi të përfshihen në të gjithë territorin e Kosovës që secili qytetar të regjistrohet”, tha Latifi.

Ai më tej shtoi se procesi është gati në përfundim, prandaj është shtyrë procesi që të përfundohet në tërësi.

“Mendoj se është e mjaftueshme kjo javë dhe ekipet që janë nga ASK dhe Agjencia e Punësimit kanë përvojë në intervistat e tilla dhe këta do të jenë në territorin e Kosovës, kudo ku është nevoja”, sqaroi Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat