Kurti për reformën e asistencës sociale: Do të krijojë barazi dhe do të nxisë punësimin

Aktuale

Kurti për reformën e asistencës sociale: Do të krijojë barazi dhe do të nxisë punësimin

Më: 18 maj 2024 Në ora: 15:10
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Qeveria e Kosovës e ka prezantuar të shtunën planin për reformim të skemës së asistencës sociale në Kosovë.

Projekti i reformave është mbështetur dhe financuar prej Bankës Botërore.

Kjo nënkupton që të gjithë qytetarët e Kosovës do të mund të kyçen në platformën shtetërore eKosova prej 18 majit për të kuptuar nëse kualifikohen për asistencë sociale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se skema e re do të krijojë barazi dhe do të nxisë punësimin, duke bërë vlerësimin e varfërisë në secilën familje.

Ai e ka konsideruar diskriminuese skemën aktuale që e përjashton një familje nga asistenca pasi një fëmijë të mbushë pesë vjeç, apo sapo një anëtar i familjes të punësohet, pavarësisht se për çfarë periudhe.

“Qysh nga ky moment, çdo familje në republikën tonë, e cila ka të ardhura më të ulëta se 100 euro për anëtar, për muaj, mund të qaset në eKosova dhe të aplikojë për t’u bërë pjesë e pilotimit të skemës së asistencës sociale”, ka thënë Kurti.

Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati ka thënë se procesi i pilotimit për reformë do të ndihmojë në hartim të projektligjit të ri për asistencën sociale dhe do t’iu mundësojë shumë familjeve që të përfitojnë nga skema sociale deri në miratim të ligjit të ri.

Ai ka thënë se me skemën e re, anëtarët e familjes do të ndahen në dy kategori: në ata që mund të punojnë dhe ata që nuk mund të punojnë.

Te kategoria e atyre që nuk mund të punojnë i ka përmendur: prindërit e vetëm që kanë fëmijë nën moshën 18-vjeçare, personat me aftësi të kufizuara, personi që është në arsim të vazhdueshëm deri në moshën 26-vjeçare, gratë shtatzëna deri në periudhën që e parasheh ligji për pushimet e lehonisë, njëri nga prindërit që kujdeset për fëmijën deri në 12 muaj, anëtarët e familjes nën moshën 18-vjeçare ose personat mbi moshën 65-vjeçare, dhe të gjithë anëtarët tjerë të familjes, që për një arsye ose tjetër konsiderohet që mund të mos jenë të aftë për punë.

Murati ka paralajmëruar që Ministria e Financave do të bashkëpunojë nga afër me Agjencinë e Punës, që personave që mund të punojnë dhe nuk janë të punësuar, t’iu ofrohen vende pune dhe trajnimet e nevojshme, në mënyrë që një familje të dalë gradualisht nga varfëria.

“Ky test i varfërisë e bën testimin nëse familja ka të ardhura apo jo, të ardhura formale, dhe në ato të ardhura hyjnë të ardhurat nga punësimi, nga shitja e ndonjë prone, të fituara nga qiraja, nga skemat e pensioneve, dhe të gjitha të ardhurat nga skemat shtetërore”.

Në familjet që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara nuk do të vlejë ky testim.

“Deri më tani, nëse një familje ka pasur të ardhura gjatë muajit, shembull, nëse dikush është angazhuar si komisionar për zgjedhje, për shkak se ka marrë 100 euro, është larguar prej skemës. Tani nuk largohet, por bëhet kalkulimi apo llogaritja e të hyrave dhe për atë muaj ripërshtaten të ardhurat. Ripërshtatja vazhdon tre muaj për të parë nëse punësimi ka qenë i qëndrueshëm”.

Murati ka thënë se pasi një familje të kalojë fazën e parë – pra të ketë të hyra më të vogla se 100 euro për një anëtar të familjes në muaj - më pas do të bëhet edhe testi i të ardhurave, të pasurisë, vlerësimi i aseteve dhe testi i gjërave materiale.

Më vonë do të zhvillohen vizita në teren nga punëtorë të Qendrave për Punë Sociale dhe në fund një komision në Ministri të Financave do të bëjë vlerësimin.

Kosova nuk ka të dhëna të përditësuara për varfërinë në vend.

Të fundit, të përpiluara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Banka Botërore, janë të vitit 2017.

Sipas tyre, 18 për qind e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri, përkatësisht me rreth 2 euro në ditë, kurse 5.1 për qind në varfëri të skajshme apo me më pak se 1.5 euro në ditë.

Asistencë sociale - nga 60 deri në 180 euro në muaj, varësisht numrit të anëtarëve - u jepet familjeve me kushte të vështira financiare dhe që nuk kanë asnjë anëtar të punësuar.

Me mbi 1.7 milion banorë, Kosova ka pagën më të ulët minimale në Evropë, që sillet nga 130 deri në 170 euro në muaj. Paga mesatare në vend është 520 euro./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat