​Baraliu: Evropa u turpërua me Kosovën, kërkon kushte të panevojshme

Aktuale

​Baraliu: Evropa u turpërua me Kosovën, kërkon kushte të panevojshme

Më: 18 maj 2024 Në ora: 15:19
Mazllum Baraliu

Mos anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës po konsiderohet si shumë e dëmshme. Mos prania e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme evropiane do të pengojë qytetarët të realizojnë të drejtat e tyre duke iu drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Po ashtu, anëtarësimi në KiE do të shënonte progres në demokraci dhe vendi do të fitonte reputacion duke qenë pjesë e një organizate të tillë.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu në një intervistë, thotë se marrja parasysh e kërkesës së Serbisë nga shtetet e fuqishme si Franca , Gjermania dhe Italia, që Kosovës t’i vihet kusht formimi i asociacionit, në mënyrë që të bëhej pjesë e KiE, mund të konsiderohet si dëm kolateral për vendin tonë.

Baraliu: Mos pranimi i Kosovës në KiE i ka dëmtuar qytetarët e saj

"Humbin qytetarët e Kosovës, të cilët do të kishin mundësi, po të ishte anëtarësuar Kosova në Këshillin e Evropës, që atëherë kurdo në të gjitha instancat gjyqësore, institucionale të Kosovës nuk i realizojnë të drejtat e tyre, të mund t'i drejtohen gjykatës në Strasburg dhe atje do të mund t'i realizonin të drejtat e tyre. Pastaj, do të kishte mundësi që të zhvillohej më shumë dhe më intensivisht demokracia. Kjo është me rëndësi, shteti sigurisht që do të kishte reputacionin në një organizatë regjionale të rëndësishme më shumë. Të jetë anëtar Kosova, sepse kemi nevojë ende për afirmim të subjektivitetit tonë shtetëror në arenën ndërkombëtare. Por, sigurisht më vital është interesi i Kosovës që të mbrohet interesi shtetëror. Pra, të mos pranojë të vihen kushte jo parimore, të dëmshme për shtetin e Kosovës dhe perspektivën e tij", tha Baraliu.

Kushtet e vendosura për Kosovën për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, Baraliu i konsideron të panevojshme dhe si të tilla nuk do të duhej të kërkoheshin. Ai thotë se me këtë kërkesë, Evropa u turpërua, ngase sipas tij kjo e fundit po tregon mosinteresim për realizimin e të drejtave të njeriut.

Baraliu: Evropa u turpërua me Kosovën

"Është dëm kolateral ndoshta suksesi i Serbisë përmes disa shteteve të rëndësishme. Franca konkretisht, Gjermania, Italia të cilat e dëgjuan kërkesën e Serbisë dhe të Vuçiq dhe fatkeqësisht e dëmtuan Kosovën duke kërkuar kushte, të cilat nuk kërkohen, të jashtëzakonshme, të panevojshme që nuk kanë të bëjnë me Këshillin e Evropës. Aq më tepër, u turpërua Evropa mendoj unë, për arsye se Asambleja Parlamentare me 82 vota e votoi një zëri, e shprehu vullnetin për anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill, ndërkohë që Komiteti i Ministrave nuk e futi në rend dite dhe kjo nënkupton mosinteresim real të Evropës për të drejtat e njeriut e aq më pak për të drejtat e minoriteve, për të cilat Këshilli i Evropës do të duhej të kishte kujdesin më të madh, për nga definicioni dhe kompetencat që ka", potencon Baraliu.

Për KosovaPress, Baraliu thotë se Serbia nuk ka interesim real për avancimin e të drejtave të qytetarëve siç po pretendon, porse sipas tij qëllimi i saj është që të mos ketë stabilitet në Kosovë. Formimi i asociacionit, Baraliu thotë se nënkupton rrënimin e shtetit të Kosovës dhe futjen e Serbisë në Kosovë.

Baraliu: Formimi i asociacionit nënkupton rrënimin e shtetit të Kosovës

"Edhe Serbia po ashtu e cila po kërkon vazhdimisht kinse avancimin e të drejtave të komunitetit të vet dhe komuniteteve të tjera në Kosovë për të cilat në mënyrë paternaliste ajo interesohet kinse, edhe ajo ishte kundër dhe tregon që nuk e ka interesin real për avancimin e të drejtave të qytetarëve të vet, por e ka interesin territorial dhe hegjemon që në Kosovë të mos ketë stabilitet, përkundrazi që të rikthehet në Kosovë dhe ta ushtrojë hegjemoninë e saj...Kosova duhet ta mbrojë në radhë të parë dhe pavarësisht interesin shtetëror. Interesi shtetëror është që mos të formohet asociacioni me ato kompetenca që i ka në projekt-statutin euro-amerikan, për arsye se nënkupton rrënimin e shtetit të Kosovës, perspektivës së tij, futjen e një Serbie brenda Kosovës dhe futjen e Kosovës brenda Serbisë", tha Baraliu për KosovaPress.

Këshilli i Evropës nuk e vendosi Kosovën në agjendën e paralajmëruar për anëtarësim më 17 maj, pas letrës së tre liderëve evropianë dërguar kryeministrit Albin Kurti në të cilën kushtëzohet hyrja e Kosovës në këtë organizatë evropiane me formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat