Përurohet objekti i Klinikës së Onkologjisë, Kurti: Kemi shpenzuar rreth 600 mijë euro

Aktuale

Përurohet objekti i Klinikës së Onkologjisë, Kurti: Kemi shpenzuar rreth 600 mijë euro

Më: 20 maj 2024 Në ora: 10:48
Albin Kurti

Mëngjesin e sotëm është bërë përurimi i objektit të Klinikës së Onkologjisë, ku prezentë ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Kryeministri Kurti, është deklaruar se për realizimin e kësaj klinike është shpenzuar një shumë rreth 600 mijë euro.

“Në këtë klinikë kemi një shpenzim substancial prej rreth 600 mijë euro që e ka transformuar në mënyrë fortë domethënëse për mjekët, infermierët, stafin mbështetës ku të gjithë janë 70, por mbi të gjitha për pacientët këtë klinikë aq të nevojshme dhe të dobishme”, tha Kurti para gazetarëve.

Ndërkohë, kryeministri bëri të ditur se lista e pritjes për të marrë shërbime në këtë klinikë do të jetë zero, pasi që janë bërë investime në mjete teknologjike.

“I kanë pasur 45 shtretër, tash i kanë bërë 60. Përveç kësaj, kemi instaluar edhe mjetin që lista e pritjes është zero, pra nuk ka pritje dhe ky mjet ka kushtuar 1 milion e 445 mijë euro. Duhet të ceket edhe fakti që arkitekti dhe themeluesit e këtij objekti janë vendas, pra s’janë kompani ndërkombëtare, por janë ekspertë të vendit tonë”, deklaroi ai.

Mes tjerash, përmendi edhe listën e barnave, që sipas Kurtit, është ndihma më e madhe që është bërë në 20 vitet e fundit.

“Jam i lumtur që procesi i dhënies së vaksinës HPV të sëmundjes së kancerit të qafës së mitrës është duke shkuar shumë mirë dhe në të njëjtën kohë lista e barnave esenciale është zgjeruar, kjo është ndihma më e madhe që është bërë pasi që barnat janë të shtrenjta, e buxheti është shtuar nga 8 milionë në 13 milionë euro”.

Kurti duke folur për punime që janë realizuar brenda këtij objekti tha se po në qoftë se s’do të kishte hyrë më herët nuk do e kishte ditur se në cilin klinikë është.

“Unë po të mos kisha hy në këtë derë, s’do e kisha ditur se në cilën klinikë jam”.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, u shpreh i lumtur që në këtë klinikë pas renovimit pacientët do të kenë kushte shumë më të mira dhe shërbime dinjitoze.

“Shumë i lumtur e shumë i gëzuar që një klinikë kaq vitale e kaq e rëndësishme për një grup shumë të rëndësishëm të pacientëve në Republikën tonë në këtë klinikë do të marrin shërbime shumë më cilësore me më shumë brana, pa listë të pritjes në radio terapi dhe në kushte jashtëzakonisht të ira dhe dinjitoze”, tha Vitia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat