Ministri Peci: 8.5 milionë euro subvencion për sektorin e bletarisë

Aktuale

Ministri Peci: 8.5 milionë euro subvencion për sektorin e bletarisë

Më: 20 maj 2024 Në ora: 15:51
Faton Peci

Mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për sektorin e bletarisë përmes subvencioneve dhe granteve arrin në 8.5 milionë euro.

Kjo mbështetje është bërë e ditur nga Ministri i BPZhR-së, Faton Peci me rastin e shënimit të “Ditës Botërore e Bletës”.

Po në këtë ditë, ministri Peci ka vizituar bletarin Bajram Bajrami nga fshati Berivojc i Komunës së Kamenicës, i cili posedon 700 koloni të bletëve, në rreth 400 koshere, të shpërndara në 13 parqe të ndryshme.

Siç ka njoftuar Ministria në fjalë, gjatë vizitës në veprimtarinë e këtij bletari, ministri Peci ka parë nga afër se në këtë fermë plotësohet zinxhiri i vlerës nga prodhimi dhe përpunimi i produkteve dhe nënprodukteve të mjaltës deri edhe tek përpunimi i helmit të bletës si një ndër produktet kyçe për përdorim në mjekësi.

“Bletarinë si një ndër sektorët më me potencial në vend po e mbështesim përmes subvencioneve dhe granteve, duke ndikuar në këtë mënyrë zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të kësaj veprimtarie bujqësore”, ka thënë ministri Peci.

Po ashtu, ai ndër tjerash ka theksuar se ashtu siç bletët punojnë në grup dhe për të mirën e përgjithshme të kolonive, ashtu edhe ne si shoqëri duhet të ndjekim shembullin e tyre drejt krijimit të politikave zhvillimore në favor të fermerëve tanë dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat