Musliu publikon pamjet: Të hënën në veri u pa i maskuar Aleksandar Bozhoviq

Aktuale

Musliu publikon pamjet: Të hënën në veri u pa i maskuar Aleksandar Bozhoviq

Më: 21 maj 2024 Në ora: 18:05
Aleksandar Bozhoviq

Gjatë aksionit të së hënës, autoritetet në Kosovë i mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Operacioni i Policisë së Kosovës u përcoll me grumbullim të qytetarëve serbë, të cilët protestonin mbylljen e këtyre institucioneve të paligjshme financiare.

Drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu, ka thënë se sikurse dy vjet para sulmit terrorist në Banjskë, në rrugët e veriut të Kosovës, gjatë protestave të së hënës u regjistruan një numër i madh i serbëve të maskuar!

“Sipas hulumtimit të OSINT nga Instituti Octopus, personi i maskuar është Aleksandar Bozhoviq, shok me një pjesë të strukturave terroriste të drejtuara nga Milan Radoiçiq (kërkohet nga INTERPOL)”, ka shkruar Musliu në  një postim në platformën “X”.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës thuhet se përpos mbylljes së gjashtë njësive ilegale të “Bankës Postare Kursimore”, u konfiskuan edhe prova të ndryshme materiale përfshirë 75 milionë dinarë (rreth 640 mijë euro).

“Janë konfiskuar rreth  1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinar, rreth  19.500 franga, rreth 13.800 dollar amerikan, 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se “Gjashtë filiale të të ashtuquajturës  ‘Bankë Postare Kursimore’  në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës u krye një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat