Thaçi propozon modelin Holandë-Belgjikë të korrigjimit të kufijve

Aktuale

Thaçi propozon modelin Holandë-Belgjikë të korrigjimit të kufijve

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 13:56
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Në konferencën e radhës për media, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se në kuadër të procesit të dialogut, Kosova dhe Serbia e kanë mbështetjen e plotë nga faktori relevant ndërkombëtar vendimmarrës për të arritur marrëveshje paqësore, duke mos e përjashtuar në asnjë formë edhe opsionin e korrigjimit të kufijve.

”Unë e kuptoj reagimin e nxituar dhe të pamatur të disa individëve apo partive politike lidhur me korrigjimin e kufirit si opsion përfundimtar paqësor. Mirëpo, ne nuk kemi mundësi tjetër për t’ia bashkangjitur Luginën e Preshevës Kosovës, pa u pajtuar me Serbinë për korrigjimin e kufirit”, ka shtuar ai.

Sipas Thaçit, në rast se do të ketë sukses në këtë përpjekje, rasti i korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në asnjë rrethanë nuk paraqet precedent.

“Anë e kënd botës, kemi me dhjetëra raste të korrigjimit të kufirit në mënyrë paqësore. Një shembull i tillë shumë relevant i korrigjimit të kufirit ndodhi vetëm dy vite me parë (2016) ndërmjet Holandës dhe Belgjikës. Këto dy shtete kanë pasur arritën ta korrigjojnë kufirin e tyre në mënyrë paqësore pa pasur nevojë të shkrepin qoftë edhe një plumb të vetëm”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ai ka sqaruar se do të kihet parasysh karakteri i shoqërive multi – etnike, meqë kjo është vlerë thelbësore e çdo shteti demokratik.

“Për më tepër, është vlerë dhe parim fondamental i BE.  Kosova dhe Serbia duan të bëhen anëtarë të BE-së.  Prandaj, në çdo opsion, në rast se do të kemi marrëveshje përfundimtare, ne do të sigurohemi që kjo vlerë të ruhet dhe afirmohet”, ka thënë ai.

Thaçi edhe sot ka folur me gazetarët për procesin e dialogut, duke ftuar të gjitha institucionet, partitë politike të përfshihen në këtë proces. Ai ka paralajmëruar që në fund të procesit, qytetarët përmes referendumit të vendosin për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat