Thaçi: Korrigjimi i kufijve nuk duhet ta frikësojë askënd

Aktuale

Thaçi: Korrigjimi i kufijve nuk duhet ta frikësojë askënd

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 10:48
Konferenca e përbashkët nga Forumin Evropian në Alpbach

(E plotësuar) -Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin austriak, Alexander Van der Bellen, komisionerin e BE-se, Johannes Hahn, presidentin slloven, Pahor dhe presidentin serb, Vuçiq ka thënë se marrëveshja e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të garantojë paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan.

“Ne jemi krejtësisht të vetëdijshëm për nevojën që stabiliteti dhe paqja në Ballkanin Perëndimor të ruhen me çdo çmim. Kjo është arsyeja pse ne duam të sigurojmë shtetet fqinje, shtetet anëtare të BE-së apo shtete të tjera të botës se nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore midis Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë nënkupton një korrigjim të kufirit”, ka shtuar ai.

Sipas tij, nëse kështu do të ndodhë, Kosova dhe Serbia nuk do të jenë as të parat e as të fundit që do bëjnë korrigjim të kufirit për hir të paqes dhe t’i japin fund një konfliktit prej një shekulli.

Sipas Presidencës, Thaçi ka thënë se pa marrëveshje, Kosova dhe Serbia do të bllokojnë njëra-tjetrën në avancimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit në BE dhe rajoni do të vazhdojë të vuajë nga rreziku i jostabilitetit.

Pjesë nga fjalimi Thaçit:

Zonja dhe Zotërinj,

Më lejoni sërish të falënderoj të gjithë organizatorët e Forumit Evropian Alpbach, dhe në veçanti Presidentin e Forumit, z. Fischler.

Dëshiroj gjithashtu të falënderoj Presidentin Federal të Austrisë, mikun tim të dashur Alexander Van der Bellen, si dhe homologët e mi nga rajoni, presidentin Borut Pahor dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.

Komisioneri i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn është pranë nesh në ngjarje të shumta dhe mbështet shtetet tona në përpjekjet tona për t’iu afru më shumë anëtarësimit në BE.

Prandaj, e falënderoj shumë edhe atë.

Së fundi, një mirënjohje e veçantë shkon audiencën e madhe të këtij forumi dhe për të gjithë kontribuesit e tjerë të disa debateve shumë të dobishme.

Dje dhe sot, ne të gjithë folëm për çështje të rëndësishme jo vetëm për BE-në, por edhe për pjesën tjetër të botës.

Sigurisht, për ne që përfaqësojmë shtetet e Ballkanit Perëndimor këtu në këtë këtë forum, perspektivat për zgjerimin e BE-së ishin dhe mbeten prioritet.

Së këndejmi, ne të gjithë shprehëm angazhimin dhe vullnetin tonë për të punuar fort për të jetësuar qëllimet tona – pra që gjashtëshen e mbetur të Ballkanit Perëndimor të sjellim më pranë anëtarësimit në BE.

Ky rrugëtim për të gjithë ne, dhe në veçanti për Kosovën, ka qenë dhe mbetet një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë.

Por qytetarët e mi dhe unë jemi të vendosur për të arritur këtë qëllim.

Ne do të bëjmë pjesën tonë të punës, por ne presim që edhe BE dhe shtetet e saj anëtare ta bëjnë pjesën e tyre.

Gjithashtu, ne mbetemi të përfshirë në një proces shumë të vështirë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ne tani kemi hyrë në fazën përfundimtare të këtij procesi dhe kemi nevojë për mbështetje të plotë nga BE-ja, shtetet anëtare të saj, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare që të arrihet një marrëveshje potenciale ligjërisht detyruese midis Kosovës dhe Serbisë.

Pa këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia do të bllokojnë njëra-tjetrën në avancimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit në BE dhe rajoni do të vazhdojë të vuajë nga rreziku i jostabilitetit.

Dëmet nga mosarritja e marrëveshjes do të jenë të larta, por përfitimet në rast të arritjes së saj janë shumë më të larta jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, për rajonin dhe BE-në, por edhe më gjerë.

Prandaj, ne kemi vendosur të shqyrtojmë çdo mundësi për të gjetur zgjidhje kreative dhe për të arritur një marrëveshje të pranuar reciprokisht.

***

Në një konferencë për media pas samitit në Alpbach të Austrisë, presidenti i Kosovës ka vlerësuar se korrigjimi i kufijve nuk e destabilizon rajonin.

Në konferencën e organizuar nga presidenti austriak morën pjesë edhe presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor dhe komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në fjalën e tij përmendi rëndësinë e madhe për arritjen e marrëveshje finale Kosovë-Serbi.

Ai tha se pa një marrëveshje finale ndërmjet dy vendeve, as Kosova dhe as Serbia nuk do të mund të anëtarësohen në BE.

“Në këtë asekt ne kemi vështirësi në procesin e nromalizmit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi në fazën finale të procesit dhe kemi nevojë për mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së dhe nga shtetet e tjera, që të arrijmë një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pa këtë marrëveshje asnjëri shtet nuk do të bëj progress në rrugën drejt BE-së. Benificonet nëse arrihet marrëveshja janë të mëdha, jo vetëm për Kosovën dhe Serbiën, por edhe për BE-në”, tha fillimisht presidenti Thaçi.

I pari i shtetit të Kosovës e prëmendi “një zgjidhje kreative” e cila sipas tij duhet të bëjë bashkë dy shtetet, dhe të jetë e pranueshme nga Prishtina dhe Beogradi.

Thaçi edhe në këtë konferencë foli për korrigjimin e kufijve, për të cilin tha se një marrëveshje e tillë do të garantonte paqe.

“Kemi vendosur që të arrijmë një zgjidhje kreative dhe të pranueshme nga të gjithë. Jemi të bindur se kjo do të garantonte stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor. Kosova dhe Serbia nuk do të jenë shtetet e vetme që të korrigjojnë kufijtë”, tha Thaçi. 

Konferenca e përbashkët nga Forumin Evropian në Alpbach 

Një konferencë e përbashkët e liderëve të Ballkanit që kanë qenë pjesë e Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, po mbahet në këto momente.

Aty po merr pjesë edhe Komisioneri evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat