Deputeti i Nismës: Thaçi dhe Vuçiq me plan për ta futur në kasaphane territorin e Kosovës - Bota Sot
Deputeti i Nismës: Thaçi dhe Vuçiq me plan për ta futur në kasaphane territorin e Kosovës

Aktuale

Deputeti i Nismës: Thaçi dhe Vuçiq me plan për ta futur në kasaphane territorin e Kosovës

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 15:23
Thaçi dhe Vuçiq

Shefi i grupit parlamentat të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka shkruar se qëndrimi i fundit në Vjenë dëshmoi se Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiqi kanë të gatshëm planin për ta futur në kasaphane të re territorin e Kosovës.

Ai në një opinion të gjatë ka shkruar se siç u pa, Hashim Thaçi nuk tërhiqet nga kjo rrugë me shumë rreziqe për popullin e Kosovës dhe më gjerë.

Sipas tij, është koha e fundit që të gjitha forcat politike dhe institucionale të Kosovës të dalin me qëndrim të qartë se në përpjekjet për të vënë në tryezë bisedimesh integritetin territorial të Kosovës, Hashim Thaçi nuk përfaqëson askënd tjetër pos vetes së vet.

Opinioni i plotë i Sherifit:

Ideja për “Korrigjimin e Kufijve”- zhbërje e procesit të pavarësimit të Kosovës!

Muajt e fundit debati rreth dialogut me Serbinë është intensifikuar shumë, duke marrë një dinamikë dhe vëmendje publike që nuk e ka pasur deri para pak kohe. U tha se kjo do të jetë faza finale e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë edhe do të prodhojë marrëveshjen finale mes dy vendeve. Meqë, me përjashtim të emërtimit “Fazë Finale”, askush nuk e kishte idenë se për çka do të flitet në këtë proces të dialogut, atëherë pashmangshëm debati u përqendrua rreth asaj se kush do të duhej ta udhëheqë këtë fazë të dialogut me Serbinë!

Kohëve të fundit, Hashim Thaçi, i cili përkundër insistimit të vazhdueshëm, herë publik e herë jo publik, nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme për të udhëhequr dialogun, me qëllim të zëvendësimit të temës së debatit publik nëse është apo nuk është personi i duhur për ta udhëhequr dialogun, doli me idenë e “Korrigjimit të Kufijve” me Serbinë, në fazën e fundit të dialogut! Me këtë “ide të re”, Hashim Thaçi arriti ta zhvendosë debatin aty ku deshi, dhe çështja e përfaqësimit në këtë dialog u hesht tërësisht!

Për të fituar simpatitë e shqiptarëve të shtypur dhe të diskriminuar të Luginës së Preshevës, Hashim Thaçi përsëriste në çdo konferencë të organizuar kohëve të fundit se kinse “Korrigjimi i Kufirit me Serbinë” nënkupton bashkimin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjes me Kosovën. Ai, në asnjë rast nuk tregoi se sipas marrëveshjeve sekrete që ka me Beogradin, cilat pjesë të Kosovës parashihen t’i jepen Serbisë.

Me gjithë kundërshtitë e mëdha që pati kundër idesë që vë në rrezik integritetin territorial të Kosovës, Hashim Thaçi jo vetëm që nuk u tërhoq nga qëndrimi i tillë, por ai këmbëngulë për të mbajtur gjallë këtë ide. Edhe pse nuk e dimë përmbajtjen reale të “Korrigjimit të Kufijve”, ideja e tillë e kthen çështjen e përfunduar të Kosovës në pikën fillestare të propagandës serbe, që të konsiderohet si “problem që kërkon zgjidhje në mes serbëve dhe shqiptarëve”.

Përkundër asaj se mund të duket si diçka që tanimë e dinë shumica e atyre që janë marrë me historinë e Kosovës, në vazhdim të këtij shkrimi do të ndalem në disa momente kyçe të rrugëtimit politik të Kosovës, sepse është e vetmja mënyrë që na bën të qartë rreziqet e mëdha që i kanosen vendit tonë nga ideja e moçme serbe që aktualisht trumbetuar nga Thaçi dhe Vuçiqi!

1. Karta e Kombeve të Bashkuara, si burim bazë i të drejtës ndërkombëtare, ia ngarkon Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara misionin e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në botë. Sa i përket Çështjes së Kosovës, në përputhje me misionin që ka, Këshilli i Sigurimit ndërmorri një varg aktivitetesh diplomatike, që nuk do t’i përmend për të mos e zgjeruar shumë temën që po shqyrtoj. Mjafton të përmend se marrëveshja për përfundimin e luftës në Kosovë është rezultat i një procesi politik të ndërmarrë nën patronazhin e Këshillit të Sigurimit.

2. Kështu, në Beograd, më 2 qershor 1999, u nënshkrua “Plani i Paqes”, i përpiluar nga G8 dhe i mbështetur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Përmes këtij “Plani të Paqes”, Jugosllavia detyrohej t’i jepte fund menjëherë dhe në mënyrë të verifikueshme dhunës dhe represionit në Kosovë, dhe të fillojë tërheqjen e plotë dhe të verifikueshme të forcave të saja nga Kosova. Krahas kësaj marrëveshje, në Kumanovë, më 9 qershor 1999, përfaqësuesit e NATO-s nënshkruan “Marrëveshjen Ushtarako-Teknike”, që përcaktonte modalitetet e tërheqjes së forcave jugosllave dhe vendosjen e forcave të mandatuara nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së (KFOR).

3. Pas nënshkrimit të “Planit të paqes” dhe “Marrëveshjes Ushtarako-Teknike”, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, më 10 qershor 1999, miratoi Rezolutën 1244, përmes të cilës përcaktohej korniza e prezencës civile dhe e sigurisë në Kosovë, deri në përcaktimin e statusit politik përfundimtar. Miratimi i Rezolutës 1244 nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i dha vulën ndërkombëtare këtyre marrëveshjeve.

4. Një gjë duhet ta kemi të qartë: vendimet e Këshillit të Sigurimit, që zakonisht emërohen edhe me termin Rezoluta, janë vendime obliguese për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Vendimet që i imponuan Serbisë tërheqjen e forcave të veta ushtarake, policore dhe politike nga Kosova e që përmblidhen në Rezolutën 1244 janë vendime të rangut më të lartë të së drejtës ndërkombëtare lidhur me paqen dhe sigurinë e kësaj pjese të Evropës. Me një fjalë, përmes këtyre akteve të instancën më të lartë të institucioneve ndërkombëtare iu dha fund luftës në Kosovë!

5. Përmes vendimeve të përfshira në rezolutën 1244, institucioni më i rëndësishëm i të drejtës ndërkombëtare përcaktoi praninë e forcës ndërkombëtare të sigurisë që do të vendoseshin dhe do të vepronin në Kosovë. Krahas forcës së sigurisë, që duhej të garantonte pamundësimin e shpërthimit të konflikteve të armatosura, Këshilli i Sigurimit përcaktoi edhe prezencën civile ndërkombëtare, që do të mbështeste procesin e krijimit të një autonomie dhe vetëqeverisjeje përmbajtësore deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit politik të Kosovës.

6. Dhe ashtu ndodhi. Për më shumë se 5 vjet rresht prezenca civile ndërkombëtare përgatiti institucionet politike të Kosovës që do të mund t’i udhëhiqnin bisedimet për statusin final të saj. Në seancën e 24 tetorit 2005, Këshilli i Sigurimi mbështeti raportin e përpiluar nga i dërguari special KaiEide dhe u pajtua se përcaktimi i statusit final të Kosovës ishte i domosdoshëm. Në përputhje me këtë vendim, Martti Ahtissari dhe Albert Rohani ishin të ngarkuarit zyrtarë për të udhëhequr bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, duke përcaktuar edhe parimet mbi të cilat duhej të mbështeteshin bisedimet.

Më duket e rëndësishme të përsëris se në “Parimet Orientuese të Grupit të Kontaktit” theksohet se “rregullimi i statusit të Kosovës duhet të konsolidojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, duke garantuar që Kosova të mos kthehet në gjendjen e para marsit të vitit 1999. Çdo zgjidhje e njëanshme që rezulton nga përdorimi i forcës nuk do të jetë e pranueshme. Nuk do të ketë ndryshime të territorit të tanishëm të Kosovës, që do të thotë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se nuk do të ketë bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër apo me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve regjional do të respektohet plotësisht”.

Rezultati i këtyre bisedimeve dihet. Po përmend vetëm epilogun e tyre.Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të datës 26 mars 2007, Ban Ki-mooni, shtroi për shqyrtim “Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, që ishte përgatitur nga Martti Ahtisaari dhe ekipi i tij. “Martti Ahtisaari kishte bindjen e fortë se ishin shterur të gjitha mundësitë që të gjendej një rrugëdalje e negociuar dhe e pranueshme nga të dyja palët. Vazhdimi i bisedimeve, në cilëndo formë qoftë, nuk do të mundësonte të dilej nga ky qorrsokak. Ka ardhur koha që të rregullohet statusi i Kosovës!”

Në fund të raportit të vet, Martti Ahtisaari përfundoi se “duke shqyrtuar historinë e re të Kosovës dhe realitetin e tanishëm dhe duke zhvilluar negociata me të dyja palët, kam arritur te përfundimi se opsioni i vetëm i qëndrueshëm për Kosovën është pavarësia e saj. Fillimisht kjo pavarësi duhet të jetë e mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare”.

7. Shpallja e pavarësisë së Kosovës bëri që Serbia dhe mbështetësit e saj ta shtrojnë çështjen në kuadrin e institucioneve më të larta të drejtësisë ndërkombëtare. Më 8 tetor 2008 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën përmes të cilës kërkoi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendim lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Konkretisht, kësaj gjykate iu kërkua që t’i përgjigjej pyetjes: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?”.

Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin e vet se akti “i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare”.

8. Të gjitha aktet e të drejtës ndërkombëtare lidhur me Kosovën, duke filluar nga “Plani i paqes”, “Marrëveshja Ushtarako-Teknike” dhe Rezoluta 1244, janë vendime që përbëjnë Traktatin ndërkombëtar për paqen në Kosovë. Vendimi i institucionit më të lartë të drejtësisë ndërkombëtare, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e vulosi të drejtën tonë për shtet të pavarur dhe sovran.

9. Prandaj, hapja eventuale e negociatave të reja, të kamufluara si “Faza Finale e bisedimeve” për të “Korrigjuar Kufijtë” me Serbinë, do të zhbënte procesin e gjatë, të mundimshëm dhe me plot sakrifica të pavarësimit të Kosovës.

Po e përsëris edhe një herë: në fund të udhëheqjes së bisedimeve në mes Serbisë dhe Kosovës, i ngarkuari i Kombeve të Bashkuara, z. Martti Ahtisaari deklaroi se “Vazhdimi i bisedimeve, në cilëndo formë qoftë, nuk do të mundësonte të dilej nga ky qorrsokak. Ka ardhur koha që të rregullohet statusi i Kosovës”.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe legjitimimit të aktit të shpalljes së kësaj pavarësie nga GJND-ja, njohjes ndërkombëtare të shtetit të pavarur të Kosovës nga shumica e shteteve të botës, hapja e bisedimeve të reja me Serbinë nuk do të thotë asgjë tjetër pos ta fusësh Kosovën në një qorrsokak të rrezikshëm me pasoja shumë të mëdha.

Për këtë arsye, mbështetja që po i bën Hashim Thaçi, nga pozita e presidentit të Kosovës, idesë serbe për të vendosur në tavolinë bisedimesh territoret shqiptare është ideja më e rrezikshme për paqen dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Dhe më gjerë.

Fatkeqësisht, pas refuzimit absolut që iu bë në Kosovë idesë së vjetër serbe për ndarjen e Kosovës, të prezantuar si “Korrigjim Kufijsh”, në vend që të tërhiqej nga qëndrimet e veta, Hashim Thaçi vazhdoi aventurën me partnerin e tij Aleksandër Vuçiqin për të kërkuar nga Vjena mbështetjen e BE-së dhe të SHBA-ve për copëtimin e Kosovës!

Qëndrimi i fundit në Vjenë dëshmoi se Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiqi kanë të gatshëm planin për ta futur në kasaphane të re territorin e Kosovës. Siç u pa, Hashim Thaçi nuk tërhiqet nga kjo rrugë me shumë rreziqe për popullin e Kosovës dhe më gjerë.

Është koha e fundit që të gjitha forcat politike dhe institucionale të Kosovës të dalin me qëndrim të qartë se në përpjekjet për të vënë në tryezë bisedimesh integritetin territorial të Kosovës, Hashim Thaçi nuk përfaqëson askënd tjetër pos vetes së vet. Është obligim kushtetues i çdonjërit prej nesh që të sensibilizojmë institucionet e BE-së dhe të SHBA-ve se asnjë marrëveshje e nënshkruar në këtë drejtim nuk do të ketë vlerë për shtetin e pavarur të Kosovës.

Kosova dhe tërë rajoni kanë nevojë për paqe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik. Çdo përpjekje për të kthyer në tavolinë bisedimesh çështjet tanimë të përfunduara inkurajon forcat reaksionare dhe luftënxitëse në Serbi, për të mbajtur nën kërcënim të vazhdueshëm paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të Evropës!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...