Paralajmërohet dinamizimi i dialogut Kosovë-Serbi

Aktuale

Paralajmërohet dinamizimi i dialogut Kosovë-Serbi

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 19:23
Hashim Thaçi, në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të OKB-së, ka zhvilluar një takim me shefen e diplomacisë së BE-së Federica Mogherini

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të OKB-së, ka zhvilluar një takim me shefen e diplomacisë së BE-së Federica Mogherini, me të cilën ka biseduar për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Me këtë rast, kreu i shtetit tonë ka rikonfirmuar gatishmërinë e palës kosovare për dialogun dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare ligjërisht obligative.

“Pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, si dhe marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, është krijuar një momentum historik për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë mosmarrëveshjet dhe do të krijonte perspektivë të qartë të anëtarësimit në BE”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit ka theksuar se këto ditë nga takimet e shumta që ka zhvilluar me përfaqësues shtetesh në Nju Jork, ka marrë mbështetjen e plotë për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për një paqe të qëndrueshme në Ballkan.

Ndërsa, kryediplomatja evropiane ka paralajmëruar dinamizim të dialogut, dhe ka ofruar mbështetjen e saj dhe të BE-së në lehtësimin e këtij procesi jo të lehtë, por të domosdoshëm për hapjen e perspektivës për të dyja vendet në BE.

Ndryshe, presidenti Thaçi ka vazhduar takimet e shumta me krerët botërorë, të cilët po marrin pjesë në Sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat