Protestojnë zjarrfikësit, Haradinaj kërkon të jenë më konkret në kërkesat e tyre - Bota Sot
Protestojnë zjarrfikësit, Haradinaj kërkon të jenë më konkret në kërkesat e tyre

Aktuale

Protestojnë zjarrfikësit, Haradinaj kërkon të jenë më konkret në kërkesat e tyre

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 15:35
Protesta

Zjarrfikësit prej gjitha rajoneve të Kosovës sot kanë ‘zbarkuar’ në sheshin ‘Skenderbeu’, për të protestuar para Qeverisë së Kosovës për shkak të mos realizimit të kërkesave të tyre, ndërkohë që ata janë takuar edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj për të diskutuar lidhur me këtë çështje.

Muharrem Beka, kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve, ka thënë se protesta nuk do të ndërpritet në rast mosrealizimi të kërkesave dhe se ata do të shqyrtojnë hapat e ardhshëm të veprimeve nëse nuk reflektojnë institucionet, pasi deri më tash asgjë nuk është realizuar.

Beka: Asgjë prej premtimeve nuk është realizuar

“Përkundër vullnetit të mirë, të them kështu në fillim kemi shpresuar që do të  bëhet një zgjidhje, është formuar një komision ndërqeveritar për rregullimin e statusit dhe shqyrtimin e kërkesave dhe pozitës përgjithësi të shërbimit zjarrfikës. Mirëpo, në themelimin e komisionit ku kam marr pjesë, nuk jemi ndarë të kënaqur edhe pse konkluzat kanë dalë ashtu sipas rekomandimeve tona, kanë shkuar si konkluza, mirëpo në momentin kur është dashur të shihet rezultati, asgjë nuk është realizuar”, tha Beka

Ndërsa, nënkryetarja e BSPK-së, Leonora Lokaj, ka përkujtuar se kërkesat e tyre janë zvarritur me vite të tëra, ndonëse ato janë ato elementare. Ajo tha se zjarrfikësve po u mohohet e drejta e kompensimit të punës jashtë orarit, ditëve të vikendit dhe gjatë festave.

Lokaj: Të drejtat elementare po implementohen në mënyrë selektive

“Përmes kësaj proteste sot, pas kush e di sa vitesh po protestohet për disa të drejta që janë shumë elementare, e që po implementohen në mënyrë selektive tek disa punëtor të institucioneve tona, por po mohohet e drejta e kompensimit  të punës jashtë orarit, e drejta e kompensimit të ditëve të vikendit, të festave vetëm për këta punëtor duke marr parasysh rëndësinë dhe kushtet specifike të punëve të tyre. Kur ne të tjerët kompenzohemi dhe  pushojmë në ditë të tëra, ashtu siç pushojnë dhe politikanët tonë në kolltukë të ngrohtë pranë familjarëve të tyre, këta punëtorë janë gjithmonë në vende të tyre të punës dhe aty ku i obligon detyra”, tha ajo.

Zymri Krasniqi nga këshilli protestues i zjarrfikësve, është shprehur kritik ndaj institucioneve, të cilat nuk po i trajtojnë ata njësoj sikur institucionet tjera emergjente.

Krasniqi: Ky shërbim të trajtohet ashtu siç trajtohet policia dhe FSK-ja

“Ky shërbim jetik për qytetarin që në çdo minutë kërkon ndihmën e zjarrfikësve po degradohet tej mase këtë shërbim human dhe jetësor. Ne duam të jemi shtyllë e këtij shteti, duam që ky shërbim të trajtohet ashtu siç trajtohet Policia  dhe FSK-ja”, tha Krasniqi.

Zjarrfikësit e Kosovës kanë protestuar dhe në muajin korrik, pikërisht për këto kërkesa të cilat sipas tyre ende nuk janë realizuar.

Ndërkohë, kryeministri  Ramush Haradinaj, ka pritur sot përfaqësuesit e sindikatës dhe zjarrfikësit e Kosovës, me të cilët ka biseduar për zgjidhjen e statusit të tyre si dhe për kërkesat që ata i kanë ndaj Qeverisë së Kosovës, shumica prej të cilave tashmë janë adresuar dhe janë afër finalizimit.

Haradinaj, i njoftoi ata se Qeveria e Kosovës këtë javë ka miratuar Koncept Dokumentin për Financat e Pushtetit Lokal, i cili i hapë rrugë ligjit të ri që do e bart buxhetin e tyre në nivel qendror dhe se me këtë do të zgjidhet njëherë e mirë statusi i zjarrfikësve dhe do të hapet rrugë për vende të reja të punës, kushte më të mira pune dhe pagë më të mirë për zjarrfikësit.

Po në këtë periudhë është miratuar edhe kërkesa financiare e tyre për nivelim të koeficienteve, kërkesë kjo që shkon mbi një milion euro dhe përmes së cilës zjarrfikësit do të kenë pagesë të njëjtë në të gjitha komunat.

Kryeministri Haradinaj kërkoi nga zjarrfikësit që të jenë më konkret në kërkesat e tyre, duke iu premtuar zgjidhje të shpejtë edhe për pagesën e orëve shtesë, shtesat e rrezikshmërisë, zgjidhjen afatgjate përmes ligjit, si dhe ndarjen e mjeteve për blerjen e pajisjeve të reja.

Nga kërkesat e zjarrfikësve të parashtruara nga takimi i parë i kryeministrit me zjarrfikësit të gjitha janë adresuar dhe janë në proces të finalizimit.

Nga ana e tyre, zjarrfikësit falënderuan kryeministrin Haradinaj për përkushtimin e tij në ofrimin e zgjidhjes së këtij problemi i cili është neglizhuar ndër vite.

Çështja e zjarrfikësve, si kategori është e përfshirë edhe në Ligjin e ri për pagat, i cili pritet të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm, dhe përmes të cilit zjarrfikësit do të kenë rritje të merituar të pagave dhe ku zjarrfikësit janë të barabartë me të gjitha shërbimet e tjera nacionale që kanë rrezikshmëri të lartë në punë.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme dje shprehu gatishmërinë e plotë që në buxhetin e propozuar për vitin 2019-të, kategorisë së zjarrfikësve, t’iu paguhen orët shtesë jashtë orarit zyrtar të punës dhe të shikohet çdo mundësi ligjore që të rritet pagesa për rrezikshmërinë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera