Ftohet edhe një profil i lartë i UÇK-së nga Gjykata Speciale

Aktuale

Ftohet edhe një profil i lartë i UÇK-së nga Gjykata Speciale

Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 15:29
Gjykata Speciale

Një tjetër profil i lartë i UÇK-së është ftuar për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën. Pos një ish-komandanti të UÇK-së, nga Prokuroria e Gjykatës Speciale do të intervistohet edhe një figurë e lartë e UÇK-së. Intervistimi i tij do të ndodhë gjatë ditëve në vijim, para festave të fundvitit. 

Vetë kjo figurë ka konfirmuar për media se ka marrë ftesën për intervistim, gjatë këtyre ditëve.

“E vërtetë është, por ma gjatë nuk mund t'ju tregoj”, ka thënë ai të premten përmes telefonit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar deri më tani nuk ka komentuar informacionet e siguruara përmes burimeve.

“ZPS nuk jep detaje në hetimet e saj”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, e dërguar të enjten me e-mail, “dhe nuk jep informata për kohën se kur mund të ngrihen aktakuzat e mundshme”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara, të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, të cilin e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011-s.

Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështetën edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin.

Në mars të këtij viti, pas katër vjetësh nga themelimi i Gjykatës Speciale, ishte dorëhequr nga detyra prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, David Schwendiman. Vetëm pak muaj para largimit të tij, ai kishte deklaruar se aktakuzat e Speciales tashmë ishin gati për t'u ngritur.

Detyrën e tij përkohësisht e ka ushtruar Kwai Hong Ip, deri më 11 shtator kur u emërua amerikani Jack Smith. Ai u zgjodh në pozitën e Prokurorit të Specializuar pas një procesi të organizuar nga BE-ja dhe i udhëhequr nga shefja e misionit të EULEX-it./express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat