Nënpresidenti Pence drejt Kolumbisë; takim me Guaidon dhe fjalim për Venezuelën

Amerika

Nënpresidenti Pence drejt Kolumbisë; takim me Guaidon dhe fjalim për Venezuelën

Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 15:15
Nënpresidenti Pence duke u nisur drejt Kolumbisë

Nënpresidenti Mike Pence është nisur drejt Bogotas, të Kolumbisë, ku do të takohet me Presidentin e përkohshëm të Venezuelës, Juan Guaido, të njohur nga Shtetet e Bashkuara. Nënpresidenti Pence do të mbajë edhe një fjalim përpara Grupit Lima, për krizën në rritje në Venezuelë.

Nënpresidenti Pence dhe udhëheqës të tjerë rajonalë pritet të diskutojnë rreth strategjisë për të përshpejtuar largimin e Presidentit të debatueshëm Nicolas Maduro, si dhe për mënyrën se si ndihmat e grumbulluara në kufijtë me Brazilin dhe Kolumbinë, të futen në Venezuelë ku ka mungesa në furnizimin me ushqime dhe ilaçe.

Një zyrtar i lartë i administratës Trump u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara synojnë të ushtrojnë "të gjithë peshën ekonomike dhe diplomatike" për rastin e Venezuelës dhe se shembuj konkretë të kësaj do të shpalosen gjatë fjalimit të Nënpresidentit Pence.

Nënpresidenti Pence pritet të zhvillojë takime me zotin Guaido dhe Presidentin kolumbian Ivan Duque, përpara se të mbajë fjalimin e tij. Ai do të takohet gjithashtu me diasporën venezueliane dhe familjet e tyre, përpara se të kthehet sërish drejt Uashingtonit.

Grupi Lima po takohet pas një fundjave trazirash dhe dhune në kufijtë e Venezuelës me Kolumbinë dhe Brazilin, ku forcat e Maduros kanë bllokuar hyrjen e ushqimeve dhe ilaçeve. Maduro këmbëngul se ndihmat janë një pretekst për një ndërhyrje ushtarake amerikane.

Zyrtari i lartë amerikan u tha gazetarëve se "mezi presim të bisedojmë me Grupin Lima dhe partnerët rajonalë, pasi Maduro ka treguar tashmë se cili është në të vërtetë, duke përdorur vandalizmin dhe dhunën për të dëmtuar përpjekjet ndërkombëtare për sjelljen e ndihmave humanitare".

Përdorimi i forcës

Ndërkohë, përfaqësues të zotit Guaido kanë sinjalizuar se në takim ai do të bëjë thirrje për përdorimin e forcës ndaj Maduros, i cili bllokoi ndihmat humanitare dhe shkaktoi dhunën në kufi.

Përfaqësuesi i qeverisë Guaido pranë Grupit Lima, Julio Borges, e konfirmoi këtë nëpërmjet një mesazhi në Twitter në orët e vona të së dielës.

Guaido u vetëshpall President i përkohshëm në fund të janarit dhe është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe dhjetëra vende të tjera, si kreu legjitim i shtetit.

Zyrtari i lartë amerikan nuk komentoi për mundësinë e përdorimit të forcës, por konfirmoi vetëm se Shtetet e Bashkuara do të takohen me Guaidon dhe vendet e tjera anëtare të Grupit Lima.

Ndihmat humanitare nuk kalojnë dot kufirin

Ndihmat e mbledhura në Kolumbi dhe Brazil nuk janë lejuar të kalojnë kufirin nga forcat e Maduros. Në një prej pikave kufitare, kamionët morën flakë dhe turma nxitoi të shpëtonte kutitë me ushqime dhe ilaçe.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit që shoqëron karvanin e ndihmave amerikane dhe braziliane i tha Zërit të Amerikës se dy kamionë arritën të hyjnë të shtunën në Venezuelë, por se në vazhdim u ndalën nga një postbllok ushtarak dhe u detyruan të rikthehen në territorin e Brazilit.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë dhe se administrata amerikane nuk do të zmbrapset. Ai tha se “ndërsa Maduro do të fokusohet tek pikat hyrëse, mundësi të reja do të shfaqen gjetiu”.

OKB-ja dënon dhunën

Të dielën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres dhe drejtuesja e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet bënë thirrje për shmangie me të gjitha mënyrat "të dhunës vdekjeprurëse, e cila nuk duhet përdorur në asnjë rrethanë".

Të shtunën, mbështetësit e Maduros qëlluan me armë ndaj njerëzve që përpiqeshin të kalonin ndihmat drejt Venezuelës, ndërsa njësitë kufitare venezueliane përdorën gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Sipas OKB-së, "ushtrimi i tepruar i forcës nga forcat e sigurisë venezueliane, si dhe përfshirja e elementëve pro-qeveritarë", kanë shkaktuar të paktën katër viktima të konfirmuara, si dhe mbi 300 të plagosur gjatë të premtes dhe të shtunës.

Dany Bahar, një ekspert për Venezuelën në Institutin Brookings tha se tashmë komuniteti ndërkombëtar duhet të gjejë mënyrat për të shtuar presionin diplomatik dhe financiar ndaj regjimit Maduro, si dhe "për të marrë mbështetjen e OKB-së, gjë që nuk ka ndodhur ende"./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat