Çfarë pritet nga debati i tretë i demokratëve?

Amerika

Çfarë pritet nga debati i tretë i demokratëve?

Më: 12 shtator 2019 Në ora: 18:26
Përgatitjet për debatin që do të zhvillohet të enjten në Hjuston të Teksasit

Dhjetë kandidatët më të fortë në garën e demokratëve për president do të debatojnë sot (e enjte) mes tyre, por vëmendja pritet të jetë tek tre pretendentët kryesorë: ish-nënpresidenti Joe Biden dhe senatorët Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders. Shtatë kandidatët e tjerë do të përpiqen të bien në sy për të kapur vendin e katërt.

Debati zhvillohet në Hjuston të Teksasit dhe do të transmetohet direkt nga televizioni në shkallë kombëtare. Ky është debati i tretë presidencial në fushatën për të zgjedhur një kandidat demokrat që do të konkurrojë në nëntor 2020 përballë Presidentit Trump.

Debati tre orësh është i pari që në fund të korrikut. Po ashtu është i pari debat që zhvillohet brenda një nate; dy debatet e para u zhvilluan me nga dy seanca. Dhjetë kandidatë të tjerë nuk arritën të kapin standardin e vënë nga Partia Demokrate për të siguruar një vend në debat, pasi nuk kishin siguruar donacione nga të paktën 130 mijë vetë dhe nuk kishin mbështetjen e të paktën 2% të votuesve në anketa në shkallë kombëtare, ose në shtetet ku zhvillohen garat e para partiake.

Ashpërsohet gara mes pretendentëve kryesorë

Garat e para partiake fillojnë në shkurt. Por anketat e fundit të zhvilluara pak javë më parë tregojnë se po ashpërsohet gara mes pretendentëve kryesorë, ndërsa kandidatët e tjerë kanë mbetur pas me një diferencë të dukshme.

Joe Biden, ish-nënpresidenti amerikan gjatë administratës Obama dhe më parë senator për 35 vjet, renditet në krye me 30% mbështetje në anketa. Elizabeth Warren, ish-profesore e së drejtës në Universitetin e Harvardit dhe tani senatore nga shteti verilindor Masaçusets, si dhe senatori nga shteti Vermont, Bernie Sanders, i vetë-deklaruar si socialist demokrat, janë pak a shumë barazim në shumë anketa, me rreth 10 pikë më pak se zoti Biden në shkallë kombëtare, por me diferencë më të vogël në disa shtete ku zhvillohen garat e para partiake. Kandidatët e tjerë janë të gjithë nën 10% në anketa në shkallë kombëtare.

Zoti Biden pritet të përballet me një mori sulmesh nga senatorët Warren dhe Sanders, të cilët do të jenë pozicionuar në të dy anët e tij në skenë. Dy senatorët po përpiqen të tërheqin votuesit më liberalë demokratë. Shtatë pretendentët e tjerë në debat mund të vënë në shenjestër si tre pretendentët kryesorë, ashtu edhe kandidatët e tjerë mbi një numër temash, nga kujdesi shëndetësor, tek imigracioni dhe siguria e kufijve, taksat dhe pabarazia sociale, krimi dhe armëmbajtja, marrëdhëniet racore e të tjera.

Përveç tre pretendentëve kryesorë në debat përfshihen senatorët: Kamala Harris nga Kalifornia, Corey Booker nga Nju Xhërsi dhe Amy Klobuchar nga Minesota; kryebashkiaku i qytetit Sauth Bend të Indianës, Pete Buttigieg, ish-sekretari i thesarit, Julian Castro, ish-ligjvënësi nga Teksasi Beto O’Rourke dhe biznesmeni Andrew Yang.

Dinamika e Debatit

Christian O. Lundberg, pedagog në Universitetin e Karolinës së Veriut ku jep leksione mbi debatin dhe fjalimet, thotë se “dinamika e debatit do të ndryshojë shumë tani që të gjithë pretendentët kryesorë do të jenë së bashku në një skenë”.

“Zotit Biden do t’i duhet të dëshmojë se zotëron faktet dhe di të ofrojë informacion në detaje gjatë debatit. Ka plot tema ku kandidatët duhet të dëshmojnë si dallojnë nga njeri-tjetri,” thotë zoti Lundberg.

Ka gjasa që të ketë plot polemika gjatë diskutimit të propozimeve për kujdesin shëndetësor. Senatorët Sanders dhe Warren mbështesin idenë e një programi qeveritar për sigurimet shëndetësore, të ngjashëm me programet në vende të tjera të zhvilluara. Ata e quajnë këtë propozim: “Medicare për të Gjithë”. (Medicare është një program shtetëror që ofron kujdes shëndetësor për amerikanët mbi 66 vjeç.) Ndërkaq, zoti Biden mbështet ndryshime më të vogla të sistemit të vënë në zbatim nga administrata Obama. Programi shëndetësor i Presidentit Obama u ofroi mbulim shëndetësor miliona amerikanëve, por ende kishte të tjerë pa mbulim shëndetësor për t’i ndihmuar të paguajnë faturat apo koston e ilaçeve.

Dueli Biden-Warren

Në debatet e mëparshme të zhvilluara në dy netë të ndryshme, zonja Warren nuk rastisi në të njëjtën natë kur u paraqit ish-nënpresidenti Biden. Këtë radhë do të jenë dy kandidatët do të jenë në të njëjtën skenë së bashku.

Gjatë viteve ata kanë mbështetur nisma të njëjta legjislative, por kanë pasur edhe përplasje. Vite më parë, kur zonja Warren ishte profesore në Universitetin e Harvardit, ajo kishte bërë kërkime mbi arsyet përse amerikanë të klasës së mesme përfundojnë në falimentim. Në 2005 ajo doli kundër projektligjit të zotit Biden për ta bërë më të vështirë që konsumatorët të shpallnin falimentim në mënyrë që t’u shpëtonin kreditorëve, pasi nuk paguanin dot borxhet. Projektligji u miratua.

Në atë kohë zoti Biden ishte senator nga Delauer ku kanë zyrat qendrore një numër bankash të fuqishme. Zonja Warren e kritikoi propozimin e tij duke e akuzuar zotin Biden se po dilte kundër interesave të konsumatorëve për të mbështetur interesat e bankave. Pas kësaj përplasjeje, ajo vendosi të hynte edhe vetë në politikë.

Anketat kombëtare shpesh e tregojnë zotin Biden fitues në garë me Presidentin Trump vitin e ardhshëm. Po ashtu zoti Sanders del fitues në shumë anketa, por me një diferencë më të ngushtë se zoti Biden. Ndërsa zonja Warren rezulton përballë Presidentit Trump në një garë me diferencë shumë të ngushtë, shpesh të paparashikueshme.

Joe Biden krenohet me anketat

Zoti Biden e ka shfrytëzuar pozicionimin në krye të anketave si argument në fushatën e tij se ai është në gjendje të mundë presidentin vitin e ardhshëm.

“Katër vjet të tjerë me Donald Trumpin do të ishin një anomali e madhe në historinë e Amerikës. Tetë vjet me këtë president do të ndryshonin nga themelet karakterin e vendit tonë,” tha zoti Biden në fushatë.

Pavarësisht nga anketat, nuk ka garanci se zoti Biden do të zgjidhet si përfaqësues i demokratëve për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Kompani bastesh në SHBA dhe vende të tjera e rendisin zonjën Warren si favorite dhe si kandidatja që do të renditet në krye dhe do të fitojë emërimin e demokratëve.

Disa demokratë e konsiderojnë 76-vjeçarin Biden si tepër të moshuar për të fituar përballë Presidentit Trump, megjithëse janë thuajse një moshë. Zoti Trump është 73 vjeç. Senatori Sanders është edhe më i moshuar. Ai është 78 vjeç, ndërsa zonja Warren është 70. Pozicionimi i zotit Biden si kandidat i qendrës së majtë si dhe marrëdhëniet e mira që ka me disa republikanë janë bërë objekt sulmesh nga kandidatë si Elizabeth Warren, Bernie Sanders dhe të tjerë brenda Partisë Demokrate, të cilët kanë përqafuar qëndrime më progresiste.

Biden bën Gafa

Demokratët shqetësohen se në disa raste gjatë fushatës zoti Biden ka bërë komente që e kanë vënë në pozitë të vështirë, ose e kanë detyruar të shpjegojë e të arsyetojë logjikën e tij. Ai e ka pohuar se është i prirur për gafa dhe gjatë javëve të fundit janë shtuar incidente të tilla, të cilat marrin jehonë edhe më të madhe nga përcjellja dhe përsëritja në median sociale.

Zoti Biden është shprehur para përkrahësve se është i nderuar që viziton shtetin e tyre, por ka përmendur shtetin e gabuar. Ai tha vendndodhjen e gabuar kur komentoi për dy masakra me armë zjarri në gusht, megjithëse foli vetëm një ditë pas incidenteve. Ai u ngatërrua duke folur për fëmijët që u përkasin pakicave racore, nuk arriti të shpjegonte qartë konkluzionet e tij se si Presidenti Trump po e ndryshon Amerikën dhe më pas ftoi përkrahësit të dhuronin fonde për fushatën e tij në një faqe elektronike që nuk ekziston.

Analistët politikë shprehen se është e pamundur të parashikohet sa të rëndësishme janë për votuesit këto lapsuse. Deri tani nuk duket se e kanë dëmtuar, pasi zoti Biden vazhdon të kryesojë në anketa.

“Mendoj se zotit Biden do t’i duhet t’i kundërvihet imazhit që është krijuar kohët e fundit për të,” thotë vëzhguesi Lundberg. Ndërsa për sa u përket senatorëve Warren dhe Sanders, ai thotë se “mes tyre nuk ka pasur shumë komunikim. Megjithatë ata duket se po ndjekin një kurs të ngjashëm në fushatë”.

“Senatori Sanders ka ngecur disi,” shton zoti Lundberg. “Nuk diskutohet që Senatorja Warren po ecën mirë, prandaj do të jetë interesante të shohim dinamikën mes tyre gjatë debatit”.VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat