Uashington: Rifillojnë bisedimet tregtare SHBA-Kinë - Bota Sot
Uashington: Rifillojnë bisedimet tregtare SHBA-Kinë

Amerika

Uashington: Rifillojnë bisedimet tregtare SHBA-Kinë

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 22:08
Uashington

Negociatorë të nivel të lartë nga SHBA-ja dhe Kina do të zhvillojnë një raund tjetër bisedimesh tregtare në Uashington, nën një atmosferë pasigurie në lidhje me rezultatin e mundshëm.

Retorika dhe veprimet e të dyja palëve gjatë javës së kaluar kanë treguar se shanset për përparim thelbësor në zgjidhjen e kundërshtive tregtare, janë të vogla.

Të enjten herët në mëngjes pas pohimesh kontradiktore lidhur me rezultatet përfundimtare të negociatave, Presidenti Donald Trump bëri një njoftim befasues përmes Twitter-it duke shkruar se ai dhe zëvendës Kryeministri kinez Liu He do të takohen të premten në Shtëpinë e Bardhë.

Në postim, i cili u bë rreth 20 minuta pasi u hapën tregjet financiare, thuhej: "Ditë e madhe negociatash me Kinën. Ata duan të bëjnë një marrëveshje, por a dua unë? Do të takohem me zëvendës Kryeministrin nesër në Shtëpinë e Bardhë".

Pritshmëritë mbi takimin bënë që tregjet e aksioneve të reagonin positivisht, pasi situata u interpretua si një shenjë për një marrëveshje më të shpejtë nga sa pritej.

Por Tweet-i i presidentit Trump ishte treguesi i vetëm që bisedimet mund të jenë më premtuese nga ajo që besohej më parë.

Në bisedimet tregtare të së enjtes pala amerikane do të përfaqësohet nga Robert Lighthizer, përfaqësuesi për Tregtinë dhe sekretari i Thesarit Steven Mnuchin ndërsa delegacion kinez nga zëvendës Kryeministri Liu He.

Palët do të përpiqen të përparojnë nga ajo që është arritur gjatë bisedimeve të një niveli më të ulët në javët e kaluara. Temat e diskutimit do të përfshijnë transferimin e detyruar të të dhënave mbi teknologjinë, të drejtat e pronësisë intelektuale, shërbimet, barrierat jo tarifore, bujqësinë dhe zbatimin e detyrimeve".

Dy vendet zhvilluan bisedime të rëndësishme në muajin korrik, por megjithatë nuk pati ndonjë përparim të madh në mosmarrëveshjet tregtare mes dy ekonomive kryesore të botës.

Prej më shumë se një viti Uashingtoni dhe Pekini i kanë vendosur njeri-tjetrit një seri tarifash si rezultat i përshkallëzimit të mosmarrëveshjeve mes tyre. Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar nga Kina të bëjë ndryshime në praktikat e saj tregtare, që lidhen kryesisht me subvencionet dhe praktikat e paligjshme të pronësisë intelektuale. Kina thotë se politikat amerikane kanë si qëllim të ndrydhin aftësinë e saj për të konkuruar.

Mosmarrëveshjet kanë nxitur pasigurinë në tregjet financiare duke lënë kompanitë t’i përballojnë vetë efektet e tarifave.

Presidenti Trump njoftoi muajin e kaluar shtyrjen e një raund të ri tarifash ndaj mallrave kineze në vlerën e 250 miliardë dollarëve, nga 1 tetori që ishte parashikuar, për në 15 tetor, duke e quajtur këtë, siç tha "një gjest të vullnetit të mirë".

Pekini reagoi duke hequr tarifat për sojën, mishin e derrit dhe disa mallra të tjerë amerikane./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...