Demokratët në Nevada heqin dorezat në debat

Amerika

Demokratët në Nevada heqin dorezat në debat

Më: 20 shkurt 2020 Në ora: 18:15
Të gjithë sytë ishin tek Michael Bloomberg

Të gjithë sytë ishin tek Michael Bloomberg të mërkurën në mbrëmje në Las Vegas, ku gjashtë pretendentë të Partisë Demokrate morën pjesë në një debat mes tyre. Miliarderi i porsahyrë në garën presidenciale u vu shpejt në shënjestër, ashtu si edhe kryesuesi i garës, Bernie Sanders.

Bloomberg u kualifikua për debatin në NBC News pasi zyrtarët e partisë lehtësuan rregullat dhe ai u rendit i dyti në një sondazh të publikuar të martën, pas kryesuesit, senatorit të Vermontit, Bernie Sanders.

Një republikan dikur, Bloombergu ka shpenzuar miliona dollarë të parave të tij në reklama dhe ka bërë krahasime me Presidentin Donald Trump.

Image

"Demokratët do të merrnin një rrezik të madh nëse thjesht zëvendësojmë një miliarder arrogant me një tjetër. Ky vend ka punuar për të pasurit për një kohë të gjatë, dhe i ka lënë gjithë të tjerët në baltë", tha senatorja Elizabeth Warren.

Bloomberg tregoi eksperiencën e tij si një biznesmen i suksesshëm dhe ish kryetar i bashkisë së Nju Jorkut.

"Jam një filantrop që nuk i trashëgova paratë e mija, por i bëra paratë, dhe unë po i shpenzoj ato për të hequr qafe Donald Trump, presidentin më të keq që kemi pasur ndonjëherë", tha Michael Bloomberg.

Ish nënpresidenti Joe Biden sulmoi politikën e luftës ndaj krimit të Bloombergut në Nju Jork që vinte në shënjestër njerëzit në komunitetet e pakicave, të quajtur "ndalo dhe kontrollo".

"Politika ishte e neveritshme dhe në fakt ishte një shkelje e çdo të drejte që kanë njerëzit".

Image

Ish kryetari i bashkisë së South Bendit në Indiana Pete Buttigieg e përshkroi senatorin e Vermontit Bernie Sanders si shumë larg nga e majta për të fituar zgjedhjet.

"Ajo që po përpiqemi të bëjmë është t'i japim më në fund një zë më njerëzve që pas 45 vjetësh pune nuk bëjnë një qindarkë më shumë sesa kanë bërë 45 vjet më parë", tha senatori Sanders.

Si t’i fitojnë demokratët zgjedhjet? Senatorja Amy Klobuchar ka një përgjigje.

Image

“Mund të emërojmë një grua si kandidate për presidente të Shteteve të Bashkuara. Mendoj se kjo do të na ndihmonte shumë në se tregonim këto vlera si parti”, tha senatorja Klobuchar.

Zgjedhjet paraprake në Nevada janë të shtunën, dhe debati tjetër, në Karolinën e Jugut, të martën e ardhshme./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat