Të paktën 17 të burgosur u vranë gjatë rebelimit në burgun e Venezuelës

Amerika

Të paktën 17 të burgosur u vranë gjatë rebelimit në burgun e Venezuelës

Më: 2 maj 2020 Në ora: 10:36
Ilustrim

Të paktën 17 të burgosur në një burg të Venezuelës u vranë te premten teksa u përpoqën të iknin gjatë një trazire, sipas një raporti ushtarak që është parë nga Reuters dhe një ligjvënësi opozitar nga kjo zonë.

Raporti i Gardës Kombëtare thoshte se ushtarët qëlluan ndaj një grupi të burgosurish të armatosur ndërsa përpiqeshin të dilnin nga hyrja kryesore e burgut të Los Llanos në shtetin qendror Portuguesa. Një oficer me megafon pastaj negocioi me të burgosurit dhe ata ranë dakord që të tërhiqen.

Raporti po ashtu thoshte se ushtria supozonte që kishte më shumë vdekje brenda burgut, dhe ligjvënësja Maria Martinez i ka thënë Reuters që mbi 40 njerëz dihej se kishin vdekur.

Martinez, e cila jeton në Guanare, tha se rebelimi rezultoi pasi autoritetet e burgut i ndaluan të afërmit e të burgosurve që t’u sjellin ushqim, siç është zakon në burgjet e Venezuelës.

Ministrja e burgjeve të Venezuelës, Isir Varela, në një intervistë me një gazetë lokale, konfirmoi se kishte ndodhur një incident në burg dhe se drejtori i burgut ishte qëlluar dhe plagosur, por ajo nuk dha më shumë detaje ose numër të vdekjeve.

Trazirat vdekjeprurëse janë të zakonshme në burgjet e kundërligjshme të Venezuelës, ku të burgosurit shpesh zotërojnë armë në mënyrë të hapur. Në raportin e këtij viti të Human Rights Watch thuhet se  burgjet e këtij shteti janë të rrënuara nga korrupsioni, siguria e pamjaftueshme dhe mbipopullimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat