Restorantet, shërbim në ambiente të hapura dhe me parakushte - Bota Sot
Restorantet, shërbim në ambiente të hapura dhe me parakushte

Amerika

Restorantet, shërbim në ambiente të hapura dhe me parakushte

Më: 22 maj 2020 Në ora: 19:11
Roud Ajlend

Shteti Roud Ajlend vazhdon gradualisht rihapjen pas masave për të penguar përhapjen e koronavirusit. Disa restorante rifilluan aktivitetin të hënën, por vetëm nën qiell të hapur dhe duke respektuar masat e distancimit social.

Restorantet që kanë hapësirë në mjedis të hapur mund të rifillojnë shërbimin për klientë, por me një numër kushtesh.

"Sot filluam një mënyrë të re të shërbimit. Kemi një numër të kufizuar tavolinash, çdo tavolinë është të paktën 2 metra larg të tjerave. Ushqimin dhe pijet i shërbejmë në pjata e gota që dekompozohen,” thotë ndihmës menaxherja, Megan Bresnahan.

Klientët duhet të rezervojnë me telefon që të mos ketë dyndje njerëzish.

"U lejohet të shërbejnë në mjedis të hapur, mund të vënë deri në 20 tavolina maksimalja me nga pesë persona në tavolinë. Pasi numri maksimal i lejueshëm për grumbullime është pesë persona,” thotë Sekretari i Tregtisë, Stefan Pryor.

Klientët duhet të kontrollohen për simptoma si për shembull temperaturë. Po ashtu, restoranti regjistron numrin e telefonit dhe adresën e klientëve dhe e mban për 30 ditë për të gjurmuar personat që mund të jenë ekspozuar ndaj një vatre infeksioni. Por, ekspertët besojnë se kjo formë shërbimi është ndër më të sigurtat.

"Ekspertët e shëndetit publik thonë se grumbullimi nën qiell të hapur është më i pranueshmi pasi ajri qarkullon më mirë dhe mikrobet nuk qëndrojnë të përqëndruara në një vend. Po ashtu, përjashta mund të garantosh më lehtë distancën mes njerëzve,” thotë zoti Pryor.

Për klientët që u mblodhën që në ditën e parë të hapjes, eksperienca ofron një kënaqësi të veçantë:

"Ishte një kënaqësi shumë e madhe që dolëm nga shtëpia dhe u mblodhëm në restorantin e preferuar edhe për t’i mbështetur,” thotë klientja Rosanna Ortiz.

"Këto kohë punoj nga shtëpia. Jam kthyer në shtëpinë e prindërve, në dhomën ku rrija kur isha e vogël. Jam në të njëjtin ambjent si gjatë punës, ashtu edhe pas pune. Prandaj u kënaqa që pata rastin që të kthehem për pak kohë në normalitetin e mëparshëm,” thotë klientja Caroline Silva.

Por në realitetin e koronavirusit, klientët po mësohen me një normalitet të ri.

"Nuk është krejt si më parë. Nëse nuk je duke ngrënë duhet të vësh maskë gjatë gjithë kohës,” thotë Rosanna Ortiz.

Menaxherët e restorantit shpresojnë se kjo rihapje mund t’i ndihmojë t’i shpëtojnë falimentimit:

"Me ndihmën e programit për të mbështetur të ardhurat e punonjësve arritëm të rimarrim në punë 30 vetë për të ndihmuar si kamarierë, apo për porosi për ushqim. Kjo do të na ndihmojë të mbijetojmë dhe të gjejmë një formë të re operimi para se të mbarojë kredia në qershor,” thotë ndihmës menaxherja Bresnahan.

Pjesa dërrmuese e shteteve amerikane kanë filluar një rihapje graduale. Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se rihapja duhet menaxhuar me kujdes për të mos lejuar një shpërthim të ri infeksionesh./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat