Takim SHBA-Kinë për zbutjen e tensioneve

Amerika

Takim SHBA-Kinë për zbutjen e tensioneve

Më: 13 qershor 2020 Në ora: 18:10
Foto ilustrim

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo do të takohet në Havai me kryediplomatin e Kinës Yang Jiechi, në përpjekje për të zbutur tensionet midis dy ekonomive më të mëdha të botës, për çështje të ndryshme, sipas njoftimeve të mediave.

Përgatitjet e sekretarit Pompeo për takimin janë bërë “në heshtje” dhe detajet nuk janë finalizuar ende, njofton “Politico”.

Zoti Pompeo ka qenë mjaft i zëshëm në kritikat ndaj Kinës për një sërë çështjesh, nga origjina e koronavirusit e deri te politikat kineze për Hong Kongun dhe trajtimi nga Pekini i pakicave etnike dhe fetare.

Gazeta e Hong Kongut, “South China Morning Post” citon një burim të paidentifikuar, sipas të cilit ministri Yang, i cili është edhe këshilltar i shtetit si dhe anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste, do të përfaqësojë palën kineze në takim.

Muajt e fundit, lidhjet midis dy vendeve janë keqësuar dhe Presidenti i SHBA Donald Trump ka thënë se ai madje mund t’i ndërpresë fare marrëdhëniet.

Sekretari Pompeo tha muajin e kaluar se Kina mund të kishte parandaluar vdekjen e qindra mijëra njerëzve në botë nëse do të ishte treguar më transparente për koronavirusin dhe e akuzoi Pekinin se refuzoi të shkëmbejë informacione.

Ai tha gjithashtu se planet e Kinës për të imponuar ligje të sigurisë kombëtare në Hong Kong do të ishin “kambana e vdekjes” për autonominë e kësaj ish-kolonie britanike. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat