Prindërit e Otto Warmbier me mision për të dëmtuar financiarisht Phenianin

Amerika

Prindërit e Otto Warmbier me mision për të dëmtuar financiarisht Phenianin

Më: 10 korrik 2020 Në ora: 20:14
Prindërit e Otto Warmbier

Prindërit e Otto Warmbier, studentit amerikan i cili vdiq në 2017 menjëherë pasi u lirua nga paraburgimi në Korenë e Veriut, po bëjnë përpjekje që Pheniani të dëmtohet financiarisht lidhur me vdekjen e djalit të tyre. Ata i janë futur një misioni për gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive të qeverisë së Koresë së Veriut në të gjithë botën. Në një intervistë këtë javë me shërbimin Korean të "Zërit të Amerikës", Fred dhe Cindy Warmbier thanë se janë përqëndruar tek aktiviteti i Koresë së Veriut në Evropën Lindore.

"Koreano-veriorët vazhdojnë të kryejnë operacione të paligjshme përmes ambasadave të tyre në Poloni, Rumani, Bullgari dhe Rusi. Këto janë biznese të paligjshme dhe ne do të punojmë për t'i mbyllur ato", tha Fred Warmbier.

Ai shtoi se: "ne kemi në plan të shkojmë dhe t'i hedhim një vështrim situatës e të shohim nëse mund të sjellim një ndryshim mbi këtë çështje. Duam të shohim legjislacionin ekzistues në këto vende dhe se si ndihen njerëzit mbi këto ligje".

Image
Otto Warmbier

Fred Warmbier tha se familja po mendon për çështje gjyqësore që ai i cilësoi "krijuese" kundër udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe motrës së tij. Nëna e Ottos, Cindy Warmbier, theksoi se "ka shumë avokatë në të gjithë botën të gatshëm të punojnë me ne".

Përdorimi i paligjshëm i selive diplomatike

Në raportin vjetor për vitin 2018, një komision ekspertësh i Kombeve të Bashkuara njoftoi për përdorimin e paligjshëm të ambasadave të Koresë së Veriut në të gjithë botën. Nuk është e qartë nëse ndonjë nga këto aktivitete është ndalur pas publikimit të raportit.

Sipas raportit të OKB-së në Sofje të Bullgarisë, kompani lokale si "Terra" dhe "Technologica" kanë përdorur ambasadën e Koresë së Veriut për qëllime të shumëfishta, përfshirë dhënien me qira për dasma dhe aktivitete private.

Në raport thuhet se në Varshavë të Polonisë, të paktën nëntë kompani, shumica e të cilave operojnë në fushën e medias, në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe atë farmaceutik, kanë dhënë me qira hapësirën brenda kompleksit të ambasadës së Koresë së Veriut.

Në Bukuresht të Rumanisë, dy kompani dhanë me qira ambasadën e Koresë së Veriut dhe nënkontraktuan po me qera pronën tek të paktën 27 persona e subjekteve të tjera, thuhet në raport.

Komisioni që monitoron pajtueshmërinë e Phenianit me sanksionet tha se dhënia me qira e pronës së ambasadës së Koresë së Veriut është në kundërshtim me Rezolutën 2321 të OKB-së si dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Mbyllja e një hoteli me çmim të lirë në Gjermani

Përpjekja më e fundit e familjes Warmbier është mbyllja e një hoteli me çmim të lirë në ambientet e brendshme të ambasadës së Koresë së Veriut në Berlin. Në janar, një gjykatë rajonale në Berlin vendosi që autoritetet e qytetit e kishin të justifikuar urdhrin për mbylljen e "City Hostel Berlin". Urdhri pason viteve të tëra presioni nga Fred dhe Cindy Warmbier, të cilët bënë disa vizita në Berlin.

"Cindy dhe unë punuam shumë me ta (autoritetet e qytetit të Berlinit) për ta mbyllur këtë biznes të paligjshëm", tha Fred Warmbier. Në dhjetor 2018, një gjykatë ne Uashington mori vendim që Fred dhe Cindy Warmbier gëzojnë të drejtën për të marrë 501 milionë dollarë nga qeveria e Koresë së Veriut, në formë kompensimi për torturat dhe vdekjen e djalit të tyre Otto. Në maj të këtij viti, gjykata urdhëroi dhënien e informacionit familjes Warmbier mbi bllokimin e 23 milionë dollarëve të Koresë së Veriut në tre banka amerikane. Sipas urdhrit i kërkohej "JP Morgan Chase”, “Wells Fargo” dhe bankës së “New York Mellon” që të jepnin detajet e duhura.

Përpjekjet për presion

Greg Scarlatoiu, drejtori ekzekutiv i Komitetit për të Drejtat e Njeriut në Korenë e Veriut i tha VOA-s të enjten se "ka vetëm dy gjëra për të cilat kujdeset regjimi i Koresë së Veriut, kuletën dhe legjitimitetin e tij ndërkombëtar. Familja Warmbier e ka goditur ata fort atë në të dy këto çështje. Ata po shkojnë pas operacioneve që i sigurojnë para regjimit të Kim Jong Un-it dhe kjo është një mënyrë për të bërë një ndryshim të rëndësishëm".

Joshua Stanton, një avokat në Uashington i cili monitoron nga afër zbatimin e sanksioneve mbi Korenë e Veriut, tha se Departamenti amerikan i Thesarit nuk ka qenë agresiv në zbatimin e sanksioneve kundër Koresë së Veriut që nga maji i vitit 2018. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës" të mërkurën zoti Stanton tha Presidenti Donald Trump ndaloi shumicën e veprimeve të Departamentit të Thesarit përpara takimit të tij të parë me Kim Jong Un-in. Por zoti Stanton tha se palët e përfshira privatisht në procese gjyqësore sikurse familja Warmbier mund të ndërmarrin iniciativën për t'i bllokuar fondet e Koresë së Veriut.

"Në atë masë sa familja Warmbiers është në gjendje të identifikojnë pasuritë e Koresë së Veriut që kalojnë nëpër Shtetet e Bashkuara, bazuar në veprimet e Departamentit të Thesarit ose Departamentit të Drejtësisë për të ngrirë ose konfiskuar pasuritë e Koresë së Veriut, ata mund të ndërhyjnë për t'i bllokuar ato pasuri në mënyrë që të marrin paratë që i detyrohen në bazë të vendimeve gjyqësore", tha zoti Stanton. Zoti Stanton ka ndihmoi në hartimin e Aktit për zbatimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut të vitit 2016, dhe ai nuk përfaqëson familjen Warmbiers.

Familja Warmbiers i tha "Zërit të Amerikës" se ata po kërkojnë të shndërrojnë "situatën e tyre tragjike" në "diçka pozitive" përmes padive kundër Koresë së Veriut.

"Besoj se sjellja e tyre mund të ndryshojë duke forcuar zbatimin e ligjit ndaj Kim-it dhe motrës së tij dhe ka shumë mundësi për ta bërë këtë", tha Fred Warmbier. Otto Warmbier vdiq në moshën 22 vjeçare, vetëm disa ditë pasi mbërriti në SHBA me dëmtime të rënda në tru. Ai ishte mbajtur 17 muaj në burg në Korenë e veriut. Pheniani e dënoi Otto Warmbier me 15 vjet punë të rëndë, duke e akuzuar atë për përpjekje për rrëzim të pushtetit (të Koresë së Veriut) në emër të qeverisë amerikane, në dyshimet se kishte hequr një poster propagandistik në një hotel./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat