SHBA, akuza për presion për të ndryshuar raportet e zbulimit

Amerika

SHBA, akuza për presion për të ndryshuar raportet e zbulimit

Më: 10 shtator 2020 Në ora: 17:35
SHBA

Sipas një ankese publikuar të mërkurën, një zyrtar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) shprehej se ndaj tij ishte ushtruar presion nga zyrtarë të lartë me qëllimin për të ndrydhur faktet e disa raporteve të zbulimit që përfshinin informacione në lidhje me ndërhyrjen ruse në zgjedhje dhe kërcënimin në rritje të paraqitur nga supremacistët e bardhë.

Zyrtari Brian Murphy pohonte gjithashtu se zyrtarë të lartë të DHS-së e kishin shtyrë atë t’i ndryshonte raportet në mënyrë që të pasqyronin objektivat politike të administratës dhe se ai ishte ulur në gradë për shkak të refuzimit për ta bërë këtë dhe për depozitimin e një ankese të brendshme konfidenciale lidhur me situatën.

Zoti Murphy, ish-agjent i FBI-së dhe veteran i Marinës amerikane, u ul nga pozita e zëvendës sekretarit kryesor të Zyrës së Zbulimit dhe Analizës në muajin gusht. Në ankesën e tij të depozituar pranë Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm të DHS-së, ai kërkon rikthimin në detyrë.

Ankesa u publikua nga ligjvënësi demokrat Adam Schiff, kryetar i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili tha se ajo përmbante akuza "të rënda e shqetësuese".

Ai tha se zotit Murphy i është kërkuar të dëshmojë në Kongres si pjesë e një hetimi mbi mbledhjen e informacioneve të zbulimit nga DHS-ja në lidhje me përgjigjen e kësaj agjencie ndaj protestave në Portland të shtetit të Oregonit e gjetkë.

"Ne do t'i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje dhe do t'i bëjmë të ditur popullit amerikan çdo sjellje të paligjshme apo korruptive dhe do t’i japim fund politizimit të zbulimit", tha demokrati i Kalifornisë.

Një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alexei Woltornist, tha se në përgjithësi departamenti nuk komenton mbi ankimet e depozituara tek Inspektori i Përgjithshëm, por ai i hodhi poshtë akuzat e ngritura nga zoti Murphy.

"DHS-ja do të presë rezultatet e çdo hetimi dhe ne presim që të dalë në përfundimin se nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim hakmarrës ndaj zotit Murphy", tha ai.

Ankesa vjen në të njëjtën ditë kur sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Chad Wolf, i emëruar nga presidenti Trump për të udhëhequr agjencinë, mbajti një fjalim gjatë të cilit tha se DHS-ja po punon për të penguar ndërhyrjen në zgjedhje nga çdo fuqi e huaj dhe të gjitha kërcënimet, pavarësisht ideologjisë.

"DHS-ja kundërshton në mënyrë absolute çdo formë të ekstremizmit të dhunshëm, qoftë nga ekstremistët supremacistë të bardhë apo ekstremistët anarkistë", tha zoti Wolf. "Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona të përditshme për të luftuar të gjitha format e terrorit të brendshëm", shtoi ai.

Në ankesën e tij zoti Murphy shprehej se ishte udhëzuar nga Ken Cuccinelli, zëvendës sekretari në detyrë i DHS-së, për të modifikuar një pjesë të një raporti e për ta bërë më pak të ashpër kërcënimin e paraqitur nga supremacistët e bardhë. Atij i ishte thënë që të theksonte kërcënimin e paraqitur nga grupet e majta me qëllimin për t'i bërë jehonë qëndrimeve të administratës rreth trazirave civile që kanë shoqëruar protestat mbi vrasjen e afro-amerikanit George Floyd.

Zoti Murphy tha se ai nuk kishte pranuar ta ndryshonte raportin sepse një veprim i tillë siç shkruante ai “përbënte abuzim me detyrën dhe administrim jo të duhur të një programi të zbulimi”. Më pas ai ishte hequr nga projekti.

Ai tha se kishte përgatitur një numër raportesh për zyrtarët e lartë të DHS-së dhe administratës mbi përpjekjet e Rusisë për përhapje të dezinformacionit nga marsi i 2018-s deri në mars 2020-s. Detajet konsiderohet sekrete dhe nuk përfshihen në ankesën e sinjalizuesit.

Më pas në korrik zoti Wolf i kishte kërkuar atij të bllokonte çdo raport mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje sepse ato "do ta bënin presidentin të dukej keq", sikurse thuhej në ankesë. Ai gjithashtu tha se zoti Wolf i kishte kërkuar që të raportonte rreth ndërhyrjeve nga Kina dhe Irani, në vend të Rusisë dhe se këto udhëzime vinin nga këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Robert O'Brien. Zoti Murphy shprehej se i kishte kundërshtuar këto kërkesa dhe se më pas ishte përjashtuar nga takimet e tjera mbi këtë temë.

Zoti Trump i ka rezistuar në mënyrë të përsëritur pohimeve për ndërhyrje të Rusisë, duke vënë gjithashtu në dyshim edhe gjetjet e zyrtarëve amerikanë të zbulimit dhe ligjvënësve se Rusia ka ndërhyrë në fushatën e 2016-s për ta ndihmuar atë dhe për të mbjellë kaos gjatë procesin zgjedhor. Ai i ka hedhur poshtë raportet se Rusia po vazhdon të ndërhyjë në garën e vitit 2020-s, duke pretenduar se Kina është kërcënimi më i rrezikshëm edhe pse në një deklaratë të zyrtarëve të zbulimit muajin e kaluar thuhej se Moska po përpiqej drejtpërdrejt të minonte demokratin Joe Biden.

Zoti Murphy tha se pas heqjes së tij nga detyra që kishte për hartimin e një raporti zbulimi për DHS-në, në një projekt të dokumentit që rrodhi në media, ndërhyrja e Rusisë ishte konsideruar e një niveli me aktivitetet nga Irani dhe Kina, në një mënyrë që ishte "çorientuese dhe në kundërshtim me informacionet ekzistuese të zbulimit", siç thuhej në ankesë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat