Joe Biden paraqet plan për vaksinën e koronavirusit. Presidenti Trump kundërpërgjigjet

Amerika

Joe Biden paraqet plan për vaksinën e koronavirusit. Presidenti Trump kundërpërgjigjet

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 06:11
Kandidati demokrat për president Joe Biden duke folur gjatë një aktiviteti për trashëgiminë hispanike, Florida, 15 shtator 2020

Kandidati demokrat për president Joe Biden udhëtoi të martën drejt Floridas për të kërkuar votën e komunitetit latin në këtë shtet të rëndësishëm për betejën elektorale. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden, në rang kombëtar, votuesit latinë ende preferojnë zotin Biden përkundër Presidentit Trump. Megjithatë, disa anketime të fundit tregojnë se po ulet avantazhi i zotit Biden dhe se Presidenti Trump ka kaluar tashmë në një avantazh të lehtë mes latinëve në Florida, kryesisht për shkak të politikës së tij të ashpër ndaj Kubës dhe Venezuelës.

Kandidati demokrat për president Joe Biden mbërriti në Floridan qendrore të martën për të kërkuar votën dhe mbështetjen e popullatës në rritje portorikane.

"Më shumë se çdo herë tjetër, komuniteti hispanik, komuniteti latin, ka në dorë fatin e këtij vendi", tha zoti Biden.

Për gati një shekull, asnjë kandidat republikan nuk ka fituar presidencën pa fituar shtetin Florida, ku latinët përbëjnë gati 25 përqind të elektoratit.

Në zgjedhjet e vitit 2016, zoti Trump fitoi në këtë shtet kryesor me vetëm 1.2 përqind, edhe pse kandidatja demokrate e atëhershme Hillary Clinton fitoi votën e latinëve.

Anketimet në Florida këtë vit tregojnë Presidentin Trump dhe zotin Biden pothuajse në barazim, por këtë herë është Presidenti Trump që ka avantazhin me votuesit latinë.

Në shkallë kombëtare, anketimet tregojnë se avantazhi i zotit Biden ndaj Presidentit Trump mes latinëve ka rënë nga 30 për qind në 9 për qind.

Presidenti, i cili u takua me mbështetësit latinë në Nevada të hënën, i interpretoi anketimet si një fitore të qartë për fushatën e tij.

"...Kjo është gjë e mirë. Kështu tregojnë edhe të gjitha sondazhet. Republikanët nuk dalin aq mirë sa duhet, dhe ndoshta disa nuk duhet të dalin mirë, por morëm rezultatet e anketimeve dhe ne ia kemi kaluar 'Joe-së së përgjumur' me diferencë të madhe", tha Presidenti Trump.

Duke iu drejtuar votuesve latinë, zoti Biden kritikoi politikat kufizuese të emigracionit të Presidentit Trump dhe bëri thirrje për rritje të pagave dhe asistencës për punëtorët hispanikë, veçanërisht për ata që punojnë në shërbime thelbësore gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Ne varemi prej tyre dhe shumë njerëz po njihen për herë të parë për atë që janë - me të vërtetë thelbësorë. Ne nuk duhet vetëm t'i falënderojmë, por duhet t'i paguajmë", tha zoti Biden.

Mbështetja latine për presidentin në Florida vjen në një masë të madhe nga kubano-amerikanët në Majami, të cilët ishin kundër angazhimit të ish-Presidentit Barack Obama me Kubën komuniste dhe mbështesin presionin e Presidentit Trump për të larguar nga pushteti udhëheqësin socialist të Venezuelës, Nicolas Maduro.

Sulmet e Presidentit Trump ndaj zotit Biden si një socialist thuhet se gjithashtu kanë ndikuar tek grupi i emigrantëve kubanezë, që u larguan nga ishulli pas revolucionit të vitit 1959.

Ndërkohë, aktivistët progresistë po e nxisin zotin Biden që t'u drejtohet latinëve të rinj, të cilët janë më të përqëndruar në çështjet e brendshme, si pabarazia ekonomike dhe racore.

"Ka shumë të rinj latinë, kubanë të rinj, që kanë mbushur moshën për të votuar, të cilët janë shumë më progresivë sesa baballarët e tyre ose gjyshet e tyre", thotë Chuck Rocha, këshilltar i ish-kandidatit për president Bernie Sanders.

Me më pak se dy muaj deri në zgjedhje, fushata e zotit Biden po e vë theksin në rifitimin e mbështetjes së latinëve në Florida.

Javën e kaluar, kandidatja demokrate për nënpresidente Kamala Harris vizitoi një komunitet venezuelian në Florida dhe ish-rivali kryesor demokrat Michael Bloomberg u zotua të shpenzojë 100 milionë dollarë në Florida për të rritur mbështetjen për zotin Biden në këtë shtet dhe mes votuesve latinë./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat