SHBA: Senati miraton paketët e mbrojtjes me gjithë paralajmërimin e Presidentit Trump për veto

Amerika

SHBA: Senati miraton paketët e mbrojtjes me gjithë paralajmërimin e Presidentit Trump për veto

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 20:54
Pentagon

Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi të premten një paketë ligjore të gjerë për mbrojtjen, me vlerë 740 miliardë dollarë, me një diferencë të tillë votash që bën të mundur kapërcimin e një vetoje të premtuar nga Presidenti Donald Trump.

Senati i kontrolluar nga republikanët mbështeti projektligjin me 84 vota pro dhe 13 kundër, më shumë sesa shumica e dy të tretave të nevojshme në dhomën 100-anëtarëshe për të tejkaluar veton.

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët e mbështeti projektligjin me 335 vota pro dhe 78 kundër në fillim të kësaj jave, një diferencë edhe kjo më e madhe se dy të tretat e nevojshme.

Përkrahësit e legjislacionit shpresojnë që mbështetja e fortë dypalëshe ta bindë zotin shtyjë Trump të rishikojë paralajmërimin e tij për të vënë veton ndaj projekt-ligjit vjetor, i cili përcakton politikat për ushtrinë amerikane dhe është miratuar për 59 vjet rresht.

Shtëpia e Bardhë tha më herët të premten se pozicioni i Presidentit Trump nuk kishte ndryshuar. Presidenti republikan do të ketë 10 ditë për të vënë veton, për ta nënshkruar atë, ose ta lejojë të kthehet në ligj, pa e nënshkruar atë.

Zoti Trump ka kërcënuar të vërë veton për paketën fiskale për vitin 2021 për shkak të një klauzole në projektligj për të hequr emrat e gjeneralëve të Konfederatës nga bazat ushtarake.

Ai gjithashtu e kundërshton atë sepse nuk shfuqizon një klauzolë që mbron kompanitë e teknologjisë si Alphabet Inc, Google, Twitter Inc dhe Facebook Inc nga përgjegjësia për përmbajtjen që shfaqet në platformat e tyre, megjithëse kjo nuk ka të bëjë me ushtrinë.

Zoti Trump gjithashtu kundërshton disa dispozita në legjislacion që mund të ngadalësojnë planet për tërheqjen e trupave nga Afganistani dhe Gjermania, por iniciativa të tilla do t'i nënshtrohen rishikimit nga administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur Demokrat Joe Biden pasi Presidenti Trump të largohet nga detyra më 20 janar.

Një anulim i suksesshëm i vetos së tij, do të ishte hera e parë që një gjë e tillë realizohet gjatë presidencës katër-vjeçare të zotit Trump./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat