Biden, marrëdhënia transatlantike dhe një Amerikë në ndryshim

Amerika

Biden, marrëdhënia transatlantike dhe një Amerikë në ndryshim

Nga: Scott Cullinane Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 21:00
Joe Biden

Fitorja e presidentit të zgjedhur të SHBA-së Xho Bajden muajin e kaluar, u prit me psherëtima lehtësimi në shumë kryeqytete evropiane. Gjatë 4 viteve të fundit, presidenti Trump i tensionoi shumë marrëdhëniet transatlantike, dhe i tronditi shumë udhëheqësit evropianë, pasi arriti deri atje sa ta etiketojë Bashkimin Evropian një “armik” të Shteteve të Bashkuara, duke vendosur tarifa për mallrat evropiane të profilit të lartë.

Në një intervistë të kohëve të fundit, Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mas, e përshkroi marrëdhënien e punës midis qeverisë gjermane dhe administratës Trump si “bashkëpunimi që nuk e dëshironim”. Perspektiva e një presidenti Bajden, dhe një administrate amerikane që është shumë më e vullnetshme për të bashkëpunuar dhe konsultuar me aleatët, ka rritur shpresën e qeverive evropiane se 4 vitet e ardhshme, do të jenë shumë më produktive se 4 vitet e fundit.

Madje dega ekzekutive e Bashkimit Evropian, e njohur si Komisioni Evropian, thuhet se ka ndërmarrë nismën për të hartuar një propozim për administratën e ardhshme amerikane, për një bashkëpunim të gjerë, që synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve aktuale, dhe krijimin e një qëndrimi të përbashkët më të fortë ndaj Kinës, diçka që dështoi gjatë presidencës Trump.

Një përpjekje e koordinuar transatlantike, për t’i imponuar kosto qeverisë kineze për rekordin e saj të abuzimeve të rënda me të drejtat e njeriut, dhe politikave ekonomike shantazhuese, mund të reformojë rrënjësisht për mirë marrëdhëniet SHBA-Evropë.

Por optimizmi i udhëheqësve evropianë, duhet të zbutet nga konteksti politik në të cilin do të duhet të qeverisë dhe punojë me Kongresin Xho Bajdeni, për të ndërtuar një konsensus mbi politikat e tij përkundrejt Evropës. Sipas të gjithave të dhënave, Bajden i përshtatet plotësisht kampit transatlantik, pra atyre që besojnë në vlerën e partneritetit midis shteteve të Amerikës së Veriut dhe Evropës, për të garantuar sigurinë dhe prosperitetin tonë të ndërsjellë.

Por ndërsa ristrukturimi politik i SHBA-ë që nisi në vitin 2016, vazhdon të jetë ende në veprim, udhëheqësit evropianë duhet të jenë më të matur dhe të duruar. Ata duhet të shohin se si mund të ndërtojnë një marrëdhënie të ngushtë me presidentin e ardhshëm të SHBA-së, Për ta bërë këtë, ata duhet të marrin në konsideratë faktorët demografikë dhe ata partiakë.

Gjatë Luftës së Ftohtë, popullatat e diasporës, dhe organizatat qytetare të amerikanëve me trashëgimi etnike evropiane, luajtën një rol thelbësore në fokusimin e udhëheqësve të zgjedhur tek përparësia e bashkëpunimit me Evropën. Me kalimin e kohës, teksa demografia e Amerikës ka ndryshuar, po kështu ka ndodhur edhe me interesin e komuniteteve.

Pra ndërsa numri relativ i amerikanëve me trashëgimi evropiane po zvogëlohet, si do të mendojnë grupet e tjera të votuesve mbi marrëdhëniet SHBA-Evropë? E njëjta premisë vlen edhe kur analizohet popullata amerikane sipas moshës.

Dikur, dhjetëra miliona amerikanë ishin të lidhur direkt me kontinentin evropian përmes përvojës së jetuar të luftimeve në Luftën e Dytë Botërore, duke qenë të vendosur në Gjermaninë Perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë, apo duke njohur një anëtar të familjes që kishte qenë, ose të paktën kishte një kujtim të Bashkimit Sovjetik.

Më shumë se 30 vjet nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, një brez amerikanësh e ka arritur në moshë madhore, duke njohur një Evropë të pandarë. Një studim nga Qendra për Progresin Amerikan, ka zbuluar se Gjenerata Z dhe Milenaristët në SHBA- ata që kanë lindur nga viti 1981 e në vazhdim – ”përbëjnë tashmë një pjesë më të madhe të votuesve, sesa gjenerata e vjetër e “Baby Boomers”.

Qendra mendon që në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, më shumë nga këta votues më të rinj do të paraqiten për të votuar, sesa “Baby Boomers”. Ndërsa ngjarjet formuese të Luftës së Ftohtë zbehen nga kujtesa e jetuar, në një histori të largët për shumicën e amerikanëve, çfarë mund dhe do ta mbështesë angazhimin amerikan në Evropë?

Ndërsa një administratë e Bajdenit, do të përjetojë gati me siguri një vazhdim të polarizimit politik me të cilin Uashingtoni është mësuar, ka një polarizim edhe mbi mënyrën se si amerikanët mendojnë për Evropën. Në një sondazh, del se pikëpamjet e republikanëve dhe demokratëve kanë ndryshuar shumë që nga viti 2014, me shumicën e demokratëve që kanë një pikëpamje më të favorshme për BE, në krahasim me një pakicë republikanësh.

Udhëheqësit evropianë kanë të drejtë të jenë optimistë për atë që mund të thotë presidenti Bajden. Por mbështetësit e partneritetit transatlantik, duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha, për të përfshirë një numër më të madh amerikanësh në garantimin e “shëndetit” të kësaj marrëdhënie edhe për shumë administrata që do të vijnë. / “The Hill” – Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat