Autoriteti i drejtuesit të USAGM në shenjestër në dy projektligje buxheti

Amerika

Autoriteti i drejtuesit të USAGM në shenjestër në dy projektligje buxheti

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 18:20
USAGM

Dy projektligje të miratuara në Kongres, që presin firmën e Presidentit Trump do të kufizonin kompetencat e Michael Pack, i emëruar nga Presidenti Trump në krye të Agjencisë Amerikane për Median Globale, USAGM, e cila mbikqyr Zërin e Amerikës dhe organizata të tjera të transmetimeve ndërkombëtare.

Kufizimet janë pjesë e projekt-ligjit të ndihmave masive në përgjigje të pandemisë, si dhe të buxhetit për të financuar qeverinë amerikane, që u miratua të hënën në mbrëmje në Kongres. Projektligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare përfshin ndryshime të tjera, që po ashtu, kufizojnë autoritetin e shefit ekzekutiv të USAGM.

Dy projektligjet së bashku mund të kufizojnë autoritetin e zotit Pack nga ky moment deri më 20 janar, kur bëhet president demokrati Joe Biden. Nëse zoti Biden vendos të zëvendësojë shefin ekzekutiv të USAGM, drejtuesi i ardhshëm do të kishte më shumë dorë të lirë për të bërë ndryshime në personel në tre muajt e parë.

Për shembull, projektbuxheti i miratuar të hënën në të dyja Dhomat e Kongresit përfshin një klauzolë që i jep Fondit për Teknologji të Hapur më shumë kohë për t’iu përgjigjur një letre të USAGM, që propozon t’i ndërpritet financimi federal kësaj organizate që punon për lirinë e informacionit në internet.

Në mbështetje të propozimit për të prerë fonde federale për këtë organizatë, zoti Pack argumenton se ka pasur parregullsi si dhe konflikt interesi.

Projektligji për buxhetin do të pezullonte gjithashtu për 90 ditë klauzolat e përfshira në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare që parashikojnë krijimin e bordeve të reja këshillimore si dhe rregulloreve të reja të USAGM lidhur me marrjen në punë ose shkarkimin e krerëve të rrjeteve transmetuese.

Nëse të dy projektligjet marrin firmën e presidentit dhe nëse zoti Biden emëron një shef të ri ekzekutiv për USAGM, pasuesi i zotit Pack do të kishte autoritet të zgjeruar për të emëruar apo shkarkuar krerët e rrjeteve transmetuese në fillim të mandatit. Sapo periudha 90 ditëshe të mbarojë, shefi i ri ekzekutiv do të duhej të kërkonte miratimin e shumicës së bordit këshillimor, nëse do të marrë në punë ose të shkarkojë drejtuesit e rrjeteve transmetuese.

Image

Një zëdhënës për ekipin elektoral të zotit Biden tha në qershor në komente për një gazetar të portalit VOX se, nëse zgjidhej Joe Biden, ai do të shkarkonte kreun aktual të USAGM.

Ekipi i tranzicionit i zotit Biden nuk pranoi të bënte komente për Zërin e Amerikës.

​Krerët e Radios Evropa e Lirë, Transmetimeve në Lindjen e Mesme

Zoti Pack, i cili erdhi në krye të USAGM në qershor pas një beteje të gjatë në Senat gjatë konfirmimit të tij, është kritikuar nga ligjvënësit për një seri veprimesh përfshirë shkarkimin e krerëve të tre rrjeteve të transmetimit në javën e parë në detyrë, përpjekjet për të penguar lëvrimin e fondeve për Fondin për Teknologji të Hapur, mos zgjatjen e vizave për gazetarë të ardhur nga vende të tjera për të punuar në shërbimet e Zërit të Amerikës në gjuhë të huaja.

Image
Michael Pack

Në dhjetor, zoti Pack emëroi drejtuesit e rinj të Zërit të Amerikës, Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, Zyrës për Transmetime në Kubë, Radios Azia e Lirë dhe Rrjetit për Transmetime në Lindjen e Mesme.

Dy emërime të reja u njoftuan të martën në mbrëmje. Victoria Coates, këshilltare e lartë për politikat në Kongres dhe Shtëpinë e Bardhë do të jetë presidente e Rrjetit për Transmetime në Lindjen e Mesme dhe Stephen Yates, ish-zëvendës këshilltar për sigurinë kombëtare në Zyrën e Nënpresidentit dhe analist linguistik në Departamentin e Mbrojtjes është emëruar për të drejtuar Radion Azia e Lirë.

Ligjvënësit, përfshirë kreun e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie të Jashtme, Eliot Engel, demokrat nga Nju Jorku dhe republikani më i lartë në këtë komision, Michael McCaul nga Teksasi kanë ngritur shqetësime për disa nga këto emërime.

USAGM tha se nuk mund t’i përgjigjej menjëherë me reagime kërkesës së Zërit të Amerikës.

Klauzola të tjera në Aktin për Autorizimin për Mbrojtje Kombëtare përfshijnë rregullore që nuk lejojnë që shefi ekzekutiv apo punonjës federalë të jenë pjesë e bordeve drejtuese të rrjeteve transmetuese që funksionojnë me grante federale. Po ashtu kërkohet që anëtarët e bordit të kenë ekspertizë në gazetari, teknologji ose diplomaci.

Fondet Federale për Fondin për Teknologji të Hapur

Projektbuxheti i miratuar të hënën qartazi parashikon një afat prej 90 ditësh kur Fondi për Teknologji të Hapur mund t’i përgjigjet propozimit për të penguar financimin e mëtejshëm federal të kësaj organizate. Në një letër të datës 15 dhjetor ku Fondi për Teknologji të Hapur informohej për masat e propozuara, USAGM i jepte organizatës vetëm 30 ditë afat për t’u përgjigjur.

Në një letër, zoti Pack përmendte si arsye për propozimin për ndërprerjen e fondeve federale, ekzistencën e konfliktit të interestit dhe parregullsi të tjera të identifikuara nga McGuireWoods, një firmë private juridike e kontraktuar për të analizuar nëse organizata vepron në përputhje me rregulloret dhe mandatin e saj.

Presidentja e Fondit për Teknologji të Hapur, Laura Cunningham tha për Zërin e Amerikës se ky hap ishte një përpjekje “për të shkatërruar Fondin për Teknologji të Hapur duke monopolizuar dhe shfrytëzuar me qëllime agresive një proces të krijuar për të mbrojtur interesat e publikut”.

Fondi për Teknologji të Hapur mirëpriti zgjatjen e afatit që ofron projektbuxheti.

“Fakti që një grup dypartiak ligjvënësish u bashkuan në nivelin më të lartë në një afat kaq të shkurtër kohor për të marrë vendim, është një demonstrim i jashtëzakonshëm i angazhimit të tyre në mbrojtje të lirisë së internetit dhe në mbështetje të Fondit për Teknologji të Hapur,” tha zonja Cunningham për Zërin e Amerikës.

Mbi dy milliardë vetë në shkallë globale përdorin metoda teknologjike të zhvilluara nga Fondi për Teknologji të Hapur, sipas faqes elektronike të USAGM, ndër to edhe metoda shumë popullore si aplikacioni Signal dhe Tor Project. Ky fond ndihmon gazetarë e aktivistë të kapërcejnë ose anashkalojnë censurën dhe përgjimin në vende autokrate./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat