Sekretari Pompeo mbron ndryshimet në Zërin e Amerikës

Amerika

Sekretari Pompeo mbron ndryshimet në Zërin e Amerikës

Më: 12 janar 2021 Në ora: 16:13
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tek Zëri i Amerikës

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo mbrojti të hënën udhëheqjen e Agjensisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM) përballë kritikave se Drejtori i saj Ekzekutiv po përpiqet ta shndërrojë rrjetin e lajmeve në një mjet propagande.

Në një fjalim të mbajtur në selinë qendrore në Uashington të Zërit të Amerikës, sekretari në largim i shtetit tha se administrata e Presidentit Trump dëshiron ta “riorientojë” Zërin e Amerikës drejt misionit të tij dhe të “depolitizojë ato që ndodhin këtu”.

Sekretari Pompeo është zyrtari më i lartë i administratës Trump, që del në mbrojtje të USAGM-it, pasi ligjvënës republikanë dhe demokratë, analistë të mediave dhe gazetarë të pavarur, i kanë kritikuar veprimet e ndërmarra nga Michael Pack, i emëruar nga presidenti në krye të agjensisë.

Sekretari Pompeo përsëriti qëndrimet e zotit Pack, se Zëri i Amerikës nuk kishte trajtuar shqetësimet e sigurisë dhe se kishte humbur misionin e tij.

Ai i tha audiencës se gabimet duhen bërë të ditura, por se “nuk është ‘Zëri i Amerikës’ për t’u përqëndruar tek gjithçka që është gabim në vendin tonë të mrekullueshëm. Nuk është sigurisht vendi për t’u dhënë një platformë regjimeve në Pekin dhe Teheran”.

Në mbështetje të zotit Pack, një ish-producent konservator filmash, Sekretari i Shtetit i tha audiencës dhe atyre që ndiqnin në transmetimin e drejtpërdrejtë në internet, se “Ka një agim të ri këtu në Zërin e Amerikës”.

Ai gjithashtu lavdëroi punën e gazetarëve të Zërit të Amerikës, që ofrojnë lajme të pavarura për ata që jetojnë në vende autoritare.

Pas fjalimit, drejtori i ri i Zërit të Amerikës, Robert Reilly, zhvilloi një bisedë të shkurtër me Sekretarin Pompeo për misionin e agjensisë dhe zhvillimet kryesore, por nuk i drejtoi asnjë pyetje Sekretarit të Shtetit për ngjarjet e këtyre ditëve, siç kishin kërkuar gazetarët e rrjetit që ai drejton. Ai gjithashtu nuk e pyeti Sekretarin Pompeo rreth trazirave që shkaktuan viktima javën e kaluar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe që prodhuan për mbarë botën imazhe tronditëse të simbolit të demokracisë amerikane.

Gazetarët e VOA që morën pjesë në këtë aktivitet u përpoqën t’i drejtojnë pyetjet e tyre me zë të lartë në përfundim të programit, ndërsa Sekretari Pompeo po largohej, por ai i injoroi ato. Agjensia tha se nuk lejoi pjesëmarrjen e gazetarëve të jashtëm për shkak të hapësirës së kufizuar nga protokollet e masave të sigurisë për koronavirusin.

Që kur mori drejtimin e USAGM-it në muajin qershor, zoti Pack është kritikuar për veprimet e ndërmarra, përfshi largimin e drejtuesve të Radios Azia e Lirë, Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, Rrjetit të Transmetimeve për Lindjen e Mesme; për emërimin e bordeve të reja drejtuese dhe transferimin e redaktorit për standartet e gazetarisë, Steve Springer. Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj Sandy Sugawara dhanë dorëheqjen paraprakisht.

Një gjykatë amerikane ia ndaloi zotit Pack dhe ndihmësve të tij ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në pavarësinë editoriale të Zërit të Amerikës, derisa të përfundojë shqyrtimi i një padie për shkelje në këtë drejtim.

Sekretari Pompeo përsëriti komentet e mëparshme të zotit Pack se këto veprime janë të nevojshme për të ndrequr shqetësimet e sigurisë në agjensi dhe tha se drejtori ekzekutiv me të drejtë i dha fund “miratimit automatik të vizave J-1 për shtetasit e huaj”.

Në qershor, USAGM njoftoi shqyrtimin rast-mbas-rasti të lejeve të posaçme që u janë dhënë gazetarëve ndërkombëtarë, duke rezultuar në humbjen e vendeve të punës dhe të drejtën për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara të disave prej tyre, pasi zoti Pack nuk pranoi të miratonte zgjatjen e vizave.

Shërbimet në 47 gjuhë të Zërit të Amerikës mbështeten tek gazetarë që jo vetëm kanë njohuri gjuhësore, por edhe njohuri komplekse të rajonit që mbulojnë. Zëri i Amerikës duhet të provojë, kur punëson një gazetar nëpërmjet vizës J-1, se nuk ekziston asnjë kandidat i përshtatshëm amerikan.

Ligjvënësit dhe organizatat e të drejtave, përfshi Komitetin e Gazetarëve për Lirinë e Shtypit (RCFP) kanë dënuar vendimin e zotit Pack për të mos rinovuar vizat J-1, duke vënë në dukje mundësinë e vendosjes në rrezik të gazetarëve të huaj që shtrëngohen të rikthehen në vende armiqësore.

Në fjalimin e tij, Sekretari Pompeo kritikoi një grup gazetarësh të VOA që thanë se fjalimi nuk duhej të transmetohej drejtpërsëdrejti.

Në një letër, dërguar në emër të gazetarëve nga Projekti për Llogaridhënien e Qeverisë (GAP), thuhet se transmetimi i drejtpërdrejtë i fjalimit është shkelje e ligjeve, rregullave dhe politikave të Zërit të Amerikës.

“Transmetimi i një fjalimi të sekretarit të shtetit në largim mbi tema për të cilat është raportuar gjerësisht, duhet të perceptohet për atë çfarë është: përdorim i Zërit të Amerikës për të shpërndarë propagandë politike në ditët e fundit të administratës Trump”, thuhet në letër.

Sekretari Pompeo vuri në dukje ngjashmëritë e letrës me “çensurën, drejtësinë sociale, të shprehurin politikisht korrekt” dhe kulturat e tjera mohuese në mediat sociale dhe kampuset universitare, ku grupe të caktuara bëjnë thirrje që zërave që konsiderohen ekstreme apo intolerante të mos u jepet hapësirë.

“Të gjitha shkojnë në një drejtim – autoritarianizëm i kamufluar si drejtësi”, tha Sekretari Pompeo.

David Seide, këshilltar i lartë në GAP, kundërshtoi pikëpamjet e zotit Pompeo dhe i tha Zërit të Amerikës se “këtu nuk bëhet fjalë për çensurë apo drejtësi sociale. Këtu bëhet fjalë për zbatimin e ligjit”.

“Akuzat se punonjës të Zërit të Amerikës u përpoqën të çensurojnë fjalimin e sekretarit të shtetit janë qesharake. Shqetësimet e ngritura kanë të bëjnë me thelbin e pavarësisë editoriale”, tha zoti Seide, i cili ia drejtoi letrën zotit Pack, në emër të një grupi gazetarësh.

Bruce Brown, drejtor ekzekutiv i RCFP-së, mbështeti këtë pikëpamje dhe tha se “autonomia editoriale nuk duhet të përkundet përballë interesave të asnjë vendi, përfshirë vendit tonë”.

Fjalimi i Sekretarit Pompeo u mbajt ndërsa në pak më shumë se një javë, do ta marrë drejtimin një administratë e re. Gjatë fushatës elektorale, një zëdhënëse e presidentit të zgjedhur Joe Biden tha se zoti Biden do ta largonte zotin Pack nga detyra./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat