Raskin: Presidenti Trump ndoqi në tv sulmin mbi Kapitolin

Amerika

Raskin: Presidenti Trump ndoqi në tv sulmin mbi Kapitolin

Më: 18 janar 2021 Në ora: 15:59
Ilustrim

Udhëheqësi i grupit të ligjvënësve që do të paraqesin akuzat për shkarkim të presidentit amerikan Donald Trumop në Senat, akuzoi të dielën presidentin se nuk bëri asgjë më 6 janar, për të penguar mbështetësit e tij që të sulmojnë Kapitolin.

“Ai e ndoqi dhunën në televizion si të ishte një shfaqje...”, i tha rrjetit CNN ligjvënësi Jamie Raskin.

Ende nuk është caktuar një datë për gjyqin në senat ndaj presidentit Trump nën një akuzë të vetme, se ai nxiti kryengritje duke u bërë thirrje mijëra mbështetësve të tij që të luftonin për të përmbysur humbjen e tij ndaj presidentit të zgjedhur Joe Biden, i cili pritet të inaugurohet në mesditën e së mërkurës.

Protestuesit sulmuan ndërtesën e Kapitolit, shkatërruan zyrat e disa ligjvënësve dhe u përleshën me policinë në trazirat që lanë pas vetes pesë persona të vdekur, përfshirë një oficer policie, vdekja e të cilit po hetohet si vrasje.

Presidenti Trump, pas disa orësh kaosi në ndërtesën e Kapitolit, u bëri thirrje mbështetësve të tij të "shkonin në shtëpi", por shtoi: "Ne ju duam, ju jeni shumë të veçantë".

Ai mbrojti veprimet dhe deklaratat e tij që çuan në sulmin në Kapitol, duke thënë se fjalimi i tij në tubimin para sulmit ishte "plotësisht i përshtatshëm".

Presidenti Trump i quajti “qesharake” akuzat për shkaktim duke i cilësuar ato një "vazhdim të gjuetisë më të madhe të shtrigave” në historinë e Shteteve të Bashkuara”.

Pas ngritjes së akuzave për shkarkim nga Dhoma e Përfaqësuesve javën e kaluar, presidenti Trumo dënoi dhunën në një deklaratë duke theksuar se “dhuna dhe vandalizmi nuk kanë absolutisht vend në vendin tonë dhe në lëvizjen tonë. 'Ta bëjmë Amerikën madhështore përsëri' ka qenë gjithnjë në mbrojtje të shtetit ligjor”.

Gjyqi i presidenti Trump, presidenti i parë në historinë e vendit ndaj të cilit ndërmerret dy herë një proces shkarkimi, mund të fillojë shpejt pas inaugurimit të zoti Biden, ose në ditët në vijim. Nëse dënohet me dy të tretat e votave në Senatin e ndarë politikisht, atij mund t’i ndalohet përjetësisht, me një shumicë të thjeshtë votash, të mbajë post publik.

Presidenti Trump ende nuk ka zgjedhur ekipin e tij ligjor për ta mbrojtur në gjyqin e Senatit. Rudy Guiliani, avokati personal i tij mund të jetë një kandidat, ndonëse J. Hogan Gidley, zëdhënësi i fushatës së presidenti Trump, shkroi në rrjetet sociale se "presidenti Trump nuk është përcaktuar se cili avokat apo kompani ligjore do ta përfaqësojë atë përballë sulmit të turpshëm ndaj Kushtetutës dhe demokracisë sonë”.

Ligjvënësi Jamie Raskin, i cilësoi veprimet e presidenti Trump si "krimin me të rrezikshëm të kryer kundër Shteteve të Bashkuara", duke thënë se protestuesit "ishin një hap afër varjes së nënpresidenti", Mike Pence. Kur protestuesit sulmuan Kapitolin, nënpresidenti Pence ishte në hapat fillestare të drejtimit të seancës së Kongresit për certifikimin e fitores së zotit Joe Biden.

Nënpresidenti Pence, zemëroi presidentin Trump, duke refuzuar lutjet e përsëritura të presidentit për të bllokuar vërtetimin e fitores së zoti Biden.

Përveç kësaj, ligjvënësi Raskin, i cili përfaqëson shtetin lindor të Marylandit, tha, "ishte një skuadër vrasësish që kërkonte Nancy Pelosin", kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, që udhëhoqi javën e kaluar votimin me 232 vota për dhe 197 kundër për të shkarkuar presidentin Trump, në të cilin 10 republikanë u bashkuan me demokratët në votimin kundër presidentit.

Një mbështetës i presidenti Trump, senatori Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, tha se protestuesit kishin "njollosur selinë e qeverisë", por fajësoi zonjën Pelosi për lëshime në sistemin e sigurisë.

"Si dreqin ka mundur të ndodhë kjo?”, tha senatori Graham në Fox News. “Ku ishte Nancy Pelosi? Është detyra e saj të ofrojë siguri në Kapitol”.

Disa zyrtarë të lartë të sigurisë dhanë dorëheqjen pas dhunës, nën kërcënimin e ligjvënësve se do të pushohen nga puna nëse nuk largohen.

Drew Hammill, zëvendësshefi i kabinetit të zonjë Pelosi, kundërshtoi pretendent e zoti Graham se ajo duhet të mbajë përgjegjësi për dhunën e protestuesve, dhjetëra prej të cilëve janë arrestuar.

"Kjo përpjekje e turpshme për të zhvendosur fajin për sulmin e turmës në Kapitol është absurde dhe patetike", shkroi zoti Hammill në rrjetet sociale, duke shtuar se zoti Graham "duhet të shikohet në pasqyrë nëse dëshiron të fillojë të drejtojë gishtin...”.

Ligjvënësi Raskin tha se gjyqi do të përqendrohet në rolin e presidentit Trump në parakalimin drejt Kapitolit që pasoi një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë, ku ai vazhdoi pretendimet e pabazuara, të përsëritura me javë të tëra se i ishte pamundësuar me mashtrime një mandat i dytë në Shtëpinë e Bardhë dhe u kërkoi mbështetësve të parakalonin drejt Kapitolit.

Senatori demokrat, Dick Durbin nga Illinois, i tha rrjetit CNN se edhe pse mandati katër vjeçar i presidenti Trump do të ketë skaduar në kohën kur fillon gjyqi kundër tij, "ai do të mbahet përgjegjës për atë që ndodhi më 6 janar"./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat