Reagime kundër ligjvënësit republikan për qëndrimin anti-Trump

Amerika

Reagime kundër ligjvënësit republikan për qëndrimin anti-Trump

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 16:10
Ligjvënësi republikan Adam Kinzinger

Një betejë për të ardhmen e partisë ka mbërthyer republikanët, ndërsa ish-Presidenti Donald Trump përballet me një gjyq të dytë në Kongres. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, njofton nga shteti amerikan Illinoi, ku një ligjvënës republikan po përballet me reagime të forta pasi kërkoi që partia e tij të shkëputet nga ish-Presidenti Trump pas sulmeve të 6 janarit ndaj Kapitolit.

Republikanët në shtetin amerikan Illinoi po kthehen kundër njëri-tjetrit.

“Jemi të zemëruar, të inatosur dhe nuk do të votojmë më kurrë për të”, thotë votuesja republikane Shirley Prescott.

Në qendër të zemërimit të tyre është Ligjvënësi Adam Kinzinger.

“Partia Republikane ka humbur drejtimin”, shprehej Ligjvënësi Kinzinger.

Kinzinger votoi për të ngritur akuza ndaj ish-Presidentit Donald Trump pasi një turmë mbështetësish të tij sulmuan Kapitolin në 6 janar. Ligjvënësi dëshiron që Partia Republikane të largohet nga politika e llojit Trump.

"Teori konspiracioni dhe gënjeshtra helmuese. Kjo nuk është rruga e republikanëve", tha në një mesazh filmik Ligjvënësi Kinzinger.

"Kongresmeni ynë, për mendimin tonë, ka dalë nga shinat dhe thotë gjëra me të cilat nuk pajtohemi", thotë Larry Smith, Kryetar i Partisë Republikane të Qarkut LaSalle.

Partia Republikane në këtë qark votoi për çensurimin e Ligjvënësit Kinzinger.

"Ato që ai thotë në lidhje me ish-presidentin tonë, dhe mbështetësit e tij, dhe shumë republikanë konservatorë, nuk janë O.K.", thotë zoti Smith.

Por opinioni lokal republikan nuk është i unifikuar.

"Trump-i ka dëmtuar partinë", thotë Susan Thornton, ish-Kryetare e Partisë Republikane të Qarkut LaSalle.

Ish-zyrtarja republikane është e tronditur nga besnikët e ish-Presidentit Trump dhe beson se partia ka nevojë për një drejtim të ri dhe udhëheqje të re.

" 'Krenar që jam republikan’... Nuk shoh dikë që e thotë këtë tani, pas asaj që ka ndodhur. Nuk e shikoj. Kush mund të jetë krenar për këtë, për këta njerëz që vrapojnë rrotull me kapele të kuqe dhe që sillen keq me njerëzit e tjerë pa ndonjë arsye tjetër, por vetëm se nuk duan Trump-in”, thotë zonja Thornton.

Pikëpamjet e kundërta të zonjës Thornton dhe zotit Smith ilustrojnë një krisje në rritje në një parti ku dhjetëra miliona votues i qëndrojnë besnikë intensivisht një ish-presidenti efektin e të cilit shumë të tjerë e shohin si toksik.

Tashmë e pavarur, zonja Thornton megjithatë mbështet Ligjvënësin Kinzinger dhe nëntë ligjvënësit e tjerë republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve që votuan për ta bërë Donald Trump-in presidentin e parë amerikan që gjykohet dy herë në Kongres.

“Duhej vërtet guxim për këtë”, thotë zonja Thornton.

Kjo gjithashtu mund të vërë në rrezik karrierën politike. Larry Smith dëshiron që republikanët ta zëvendësojnë Ligjvënësin Kinzinger në ciklin e ardhshëm zgjedhor.

"Kinzinger do të ketë konkurrent në zgjedhjet paraprake", thotë zoti Smith.

"Kjo lloj ndasie mbi besnikërinë ndaj Trump-it mendoj se krijon mundësitë për më shumë kandidatë", thotë Laurel Harbridge-Yong, Profesore e Shkencave Politike në Universitetin Northwestern.

Zonja Harbridge-Yong thotë se dëbimi i republikanëve anti-Trump mund ta bëjë partinë më pak të pëlqyeshme për publikun e gjerë.

"Kjo tregon se si anëtarët janë më të përqëndruar tek një numër i vogël njerëzish në zonën e tyre elektorale - elektoratin e tyre kryesor - dhe madje brenda kësaj, një baze të zjarrtë - interesat e të cilave mund të mos jenë të njëjta me pjesën tjetër të zgjedhësve të tyre", thotë ajo.

Susan Thornton mirëpret betejën e Ligjvënësit Kinzinger për të reformuar partinë, por thotë se nevojitet më shumë, përpara se ajo ta konsideronte veten sërish republikane.

"Ata do të duhet ta mohojnë Trump-in si një udhëheqës dhe një lajmëtar sepse mesazhi i tij nuk është i pranueshëm për mua. Do të duhet t'i rikthehemi mirësisë dhe respektit", thotë ajo.

Besnikët e ish-Presidentit Trump thonë se po planifikojnë më shumë aktivitete në të gjithë Shtetet e Bashkuara kundër ligjvënësve si zoti Kinzinger, duke u zotuar ta reformojnë partinë sipas imazhit të Trump-it, gjatë çdo cikli të zgjedhjeve paraprake./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat