Në pikëpyetje kandidatja e Presidentit Biden për shefe e Zyrës së Buxhetit

Amerika

Në pikëpyetje kandidatja e Presidentit Biden për shefe e Zyrës së Buxhetit

Më: 20 shkurt 2021 Në ora: 06:49
Neera Tanden

Senatori demokrat Joe Manchin njoftoi të premten se do të kundërshtojë konfirmimin e kandidates së Presidentit Biden për shefe të Zyrës për Menaxhimin dhe Buxhetin. Kjo mund të bllokojë kandidaturën e zonjës Neera Tanden, megjithëse ajo gëzon mbështetjen e presidentit.

Zoti Biden tha në komentet për shtyp se nuk ka në plan ta tërheqë kandidaturën e saj:

"Mendoj se do t’i gjejmë votat,” tha ai.

Zonja Tanden është kritikuar nga republikanët si dhe nga disa demokratë për komentet e ashpra në median sociale, si për shembull për epitetin “Mitchi i Moskës” për udhëheqësin e republikanëve në Senat, Mitch McConnell, apo kur shkruante se “vampirët kanë më shumë zemër se (senatori) Ted Cruz”.

Shumë demokratë nuk u kushtuan rëndësi kritikave, duke u përgjigjur se republikanët i ofruan mbështetje thuajse njëzëri ish-Presidentit Donald Trump, i cili u akuzua për nxitje të sulmit me dhunë në Kapitol, apo kur komentonte në Twitter, si dhe në rastet kur fliste me komente fyese për kundërshtarët.

Senatori Manchin përmendi “komentet dhe postimet publike” të zonjës Tanden në deklaratën e tij.

"Unë besoj se deklaratat e saj të hapura partiake do të kenë ndikim toksik dhe dëmtues mbi marrëdhëniet e rëndësishme të punës mes Kongresit dhe kreut të ardhshëm të Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit,” tha ai.

Deklarata e tij u kritikua menjëherë me komente që nënvizonin se ky demokrat i moderuar nga shteti i Uest Virxhinias me prirje republikane, ka mbështetur disa nga kandidatët e ish-Presidentit Trump që kishin zgjuar rezistencë të fortë, ndër ta konfirmimin e zotit Richard Grenell për ambasador në Gjermani.

Demokratët kundërshtonin kandidaturën e zotit Grenell si rezultat i komenteve që kishte bërë më parë duke fyer politikanet femra gjatë intervistave apo në internet.

Konfirmimi i zonjës Tanden kërkon mbështetjen e të gjithë demokratëve si dhe të Nënpresidentes Kamala Harris për një rezultat 51-50.

Pas komenteve të zotit Manchin duhet që kandidatura e saj të mbështetet së paku nga një senator republikan.

Zonja Tanden, indiano-amerikane, do të ishte gruaja e parë me ngjyrë në këtë rol. Kur u pyet gjatë seancave me dëshmi lidhur me komentet e saj, ajo kërkoi ndjesë dhe shprehu keqardhje.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki e vlerësoi zonjën Tanden si "një eksperte e përgatitur që do të ishte një drejtore e shkëlqyer për buxhetin”.

Nëse nuk konfirmohet kandidatura e zonjës Tanden, kjo do të përbënte një hap prapa për administratën që ka pësuar deri tani pasojat e vonesave në periudhën e tranzicionit si rezultat i mungesës së bashkëpunimit nga administrata Trump.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat