Presidenti Biden nënshkruan paketën stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh

Amerika

Presidenti Biden nënshkruan paketën stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh

Më: 11 mars 2021 Në ora: 21:08
Presidenti Joe Biden nënshkruan "Planin Amerikan të Shpëtimit", ndërsa në krah qëndron Nënpresidentja Kamala Harris (Zyra Ovale, 11 mars 2021)

Presidenti Joe Biden nënshkroi të enjten në ligj paketën stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh, duke përkujtuar një vjetorin e vendosjes së masave të ndalim qarkullimit në Shtetet e Bashkuara mbi pandeminë e koronavirusit, me një masë që synon të lehtësojë amerikanët e të forcojë ekonominë.

Paketa mori të mërkurën miratimin përfundimtar të Kongresit, duke i dhënë presidentit demokrat një fitore të madhe në këto muaj të parë të mandatit të tij.

"Ky ligj historik ka të bëjë me rindërtimin e shtyllës kurrizore të këtij vendi", tha zoti Biden para nënshkrimit.

Zoti Biden e nënshkroi ligjin përpara një fjalimi të enjten në mbrëmje që përkon me përvjetorin e vendosjes së masave bllokuese në vend lidhur me pandeminë. Ai pritet të nxisë amerikanët të rrisin vigjilencën e të ofrojë shpresë, ndërsa numri i personave të vaksinuar në të gjithë vendin po rritet.

Image

Nënshkrimi i paketës ligjore nga zoti Biden, i quajtur Plani Amerikan i Shpëtimit, ishte planifikuar fillimisht për të premten, por shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Ron Klain tha se kjo ndryshoi me mbërritjen e ligjit në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.

"Ne duam të lëvizim sa më shpejt të jetë e mundur", shkruante zoti Klain në një postim Twitter.

Paketa siguron 400 miliardë dollarë të cilat do të jepen në formë pagesash direkte prej 1400 dollarësh për shumicën e amerikanëve, 350 miliardë dollarë ndihmë për shtetet dhe qeveritë lokale, një zgjerim të pagesës për fëmijët dhe rritje të fondeve për shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19-s./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat