Senati konfirmon ish-ambasadorin William Burns në postin e Drejtorit të CIA-s

Amerika

Senati konfirmon ish-ambasadorin William Burns në postin e Drejtorit të CIA-s

Më: 19 mars 2021 Në ora: 06:16
William Burns

Ligjvënësit në Senat konfirmuan ish-ambasadorin William Burns në postin e Drejtorit të CIA-s të ejten, duke plotësuar ekipin e Presidentit Biden me një anëtar tjetër të rëndësishëm.

Senatorët miratuan me një votim të hapur unanim zotin Burns, vetëm disa orë pasi u hoq një bllokim ndaj kandidaturës së tij.

Burns mori mbështetje nga demokratët dhe republikanët pas dëshmisë së tij para Komisionit të Senatit për Zbulimin. Kryetari i këtij komisioni, senatori Mark Warner e quajti mbështetjen dypartiake për zotin Burns si një "dëshmi të kualifikimeve të padiskutueshme të tij".

Por zoti Burns u ndesh me një bllokim në fillim të këtij muaji nga senatori Ted Cruz, i cili citoi kundërshtimet ndaj qasjes së administratës Trump në lidhje me gazsjellësin natyror të Rusisë “Nord Stream 2”.

Senatori Cruz e hoqi bllokimin të enjten pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken lëshoi një deklaratë duke paralajmëruar vendet pjesëmarrëse në projektin rus se rrezikojnë të përballen me sanksione nga Shtetet e Bashkuara nëse e mbështesin projektin rus.

Pas konfirmimit nga Senati të enjten, 64-vjeçari Burns bëhet diplomati i parë i karrierës që drejton agjencinë amerikane të spiunazhit.

Ish zyrtarët e inteligjencës kanë thënë se ai do të duhet të përballet shpejt me disa sfida, përfshirë shqetësimet në lidhje me moralin brenda agjencisë që burojnë nga ankesat se produktet e inteligjencës u politizuan nën administratën e ish-Presidentit Donald Trump.

"Politika duhet të ndalet aty ku fillon puna e inteligjencës", u tha Burns ligjvënësve gjatë seancës së tij të konfirmimit muajin e kaluar, duke premtuar se do ta kthente agjencinë në synimin e saj për "t’ia thënë të vërtetën pushtetit".

Presidenti Biden ka "thënë se ai dëshiron që agjencia t'i japë atij informacionin e saktë dhe unë ia kam premtuar pikërisht atë dhe se do të mbroja ata që bëjnë të njëjtën gjë", shtoi Burns.

Sa i përket sfidave të jashtme, ish-zyrtarë dhe ligjvënës kanë thënë se përvoja disa dekadëshe e zotit Burns si diplomat, duke përfshirë rolet e tij në Rusi dhe Lindjen e Mesme, do t'i shërbejnë atij mirë në punën e re.

Burns, megjithatë, u tha ligjvënësve se përparësia e tij kryesore do të jetë kundërvënia ndaj Kinës, duke u thënë ligjvënësve se "ambicia dhe këmbëngulja agresive, e fshehur" e Pekinit është një "thirrje shumë e mprehtë për veprim".

Burns gjithashtu ka paralajmëruar se CIA duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos nënvlerësojë Rusinë, Iranin dhe një mori kundërshtarësh të tjerë.

Ish zyrtarët e inteligjencës thonë se lista e përparësive është e gjatë.

"CIA nuk mund ta heqë vëmendjen nga terrorizmi, ose sfidat serioze të paraqitura nga Rusia dhe Irani", i tha Zërit të Amerikës Larry Pfeiffer, ish-shef i personelit të CIA-s. "Ai gjithashtu duhet të punojë me agjencitë e tjera të inteligjencës dhe klientët e tij për të përcaktuar nivelin e duhur të mbështetjes së CIA-s për sfidat gjithnjë e më të rëndësishme të shëndetit global, ndryshimit të klimës dhe kibernetikës."

"Dhe, natyrisht, kjo do të duhet të ndodhë në një periudhë me zero rritje të buxhetit", shtoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat