Demokratët planifikojnë ndryshime në rregulloren e Senatit për të përmbushur axhendën e presidentit

Amerika

Demokratët planifikojnë ndryshime në rregulloren e Senatit për të përmbushur axhendën e presidentit

Më: 23 mars 2021 Në ora: 18:35
Uashington

Demokratët në Senat po peshojnë mundësinë për të ndryshuar një rregullore të rëndësishme që mundëson taktika për të penguar hedhjen në votë të nismave legjislative. Synimi është që me eliminimin e kësaj rregulloreje të bëhet më i lehtë miratimi në Senat i axhendës së Presidentit Joe Biden. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Redisch shpjegon se çfarë është dhe çfarë përfaqëson rregullorja.

Termi “institucioni më i matur i botës” që përdoret për Senatin amerikan është i merituar dhe deri diku rezultat i rregullores që po përpiqen të eliminojnë demokratët.

“Në Senatin amerikan, ligjet nuk miratohen me një shumicë të thjeshtë,” thotë analisti Norm Ornstein.

“Ekziston e ashtu-quajtura “rregullore e super-shumicës,” shpjegon analistja Sarah Binder.

Ky standard më i lartë se një shumicë e thjeshtë u vendos në mënyrë që edhe partitë e pakicës të kenë mundësi për të thënë fjalën e tyre në hartimin e ligjeve.

Taktika e përdorur nga anëtarë të Senatit për të bllokuar votimin për tema të caktuara ka ekzistuar që nga mesi i viteve 1800 kur senatorët e përdornin për të penguar ligje që luftonin institucionin e skllavërisë.

Në vitet 1950-60 u përdor për të penguar ligje për sanksionimin e të drejtave civile.

“Pa diskutim që kemi në plan të organizojmë një marshim nëse ka tentativë për të bllokuar votën,” pat thënë udhëheqësi i të drejtave civile, Martin Luther King Jr.

“Ata që mbështesnin ndarjen racore përdornin rregulloren për të bllokuar votën për reforma për të garantuar të drejtat civile. Në atë kohë ata flinin në krevate portative jashtë sallës së seancave pasi donin të ishin të përgatitur për të bllokuar votimin në çdo moment,” thotë analisti Ornstein.

Në atë kohë pakica përdori rregulloren e bllokimit të votës përmes fjalimeve:

“Nëse ky propozim ligjor është kaq i rëndësishëm për ty, ngrihu, debato, ofro alternativa, amendamente, paraqit mocione bllokuese. Pra trego me vepra ato që thua me fjalë,” e interpreton analistja Binder.

Senati i ndryshoi rregullat në vitin 1975 për të shmangur nevojën për fjalime të pandërprera si mënyrë për të bllokuar votën. Tani, 3/5 ose 60 nga 100 anëtarët e Senatit duhet të bien dakord për të mbyllyr debatet për një temë dhe për ta hedhur projektligjin në votë.

“Kjo rregullore është cilësuar si armë e pengimit në masë,” thotë zoti Ornstein.

Joe Biden ka qenë vetë në Senat për 36 vjet dhe e ka mbëshetur në të kaluarën këtë rregullore.

Në një intervistë ekskluzive për kanalin ABC, tani në rolin e presidentit, zoti Biden pohon se miratimi i axhendës së tij mund të kërkojë ndryshime në mënyrat e operimit të Senatit.

“Dikur për të penguar votën duhet të ngriheshe në këmbë, të flisje për orë të tëra. Nuk mund të kërkoje pushim që të bëhej apeli. Kur e ndaloje fjalimin, të ikte e drejta. Dikush tjetër ngrihej e thoshte “kërkoj të kalojmë në temë tjetër”. Pra kjo rregullore kërkonte punë,” tha presidenti.

Sugjerimi i zotit Biden të kujton skena të filmit “Zoti Smith shkon në Uashington”, kur një senator flet pa pushim për të bllokuar votimin për një temë.

Ndryshimi ose heqja e kësaj taktike mund të bëhet me votë të thjeshtë. Megjithëse demokratët e kanë këtë shumicë të thjeshtë, jo çdonjëri prej tyre e mbështet ndryshimin:

“Rregulli që kërkon 60 vota ekziston për një arsye. Themeluesit e kombit thanë se gjërat duhen bërë me maturi dhe me mbështetje të gjerë,” thotë Senatori demokrat, Joe Manchin.

Senatori Joe Manchin, më konservatori ndër 50 anëtarët demokratë të Senatit, ka thënë se kurrë nuk do të votojë për të eliminuar taktikën për të bllokuar votën për tema të ndryshme. Por ai është dakord me presidentin se duhet të kthehet praktika e fjalimeve të gjata në mënyrë që ata që duan të pengojnë një votë, të mundohen pak për t’ia arritur qëllimit.

Rregulloret për këtë taktikë u ndryshuan dy herë në dekadën e fundit për ta bërë më të lehtë konfirmimin e të emëruarve nga presidenti.

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell thotë se demokratët do të mallkojnë veten nëse bëjnë ndryshime të tjera:

“Sapo republikanët të rimarrin shumicën, jo vetëm që do të fshijmë çdo ndryshim liberal që dëmton vendin. Por do të forcojmë Amerikën me politika konservatore pa i kërkuar aspak mendim palës tjetër,” thotë Senatori McConnell.

Reformat për sistemin e emigracionit dhe qasja tek e drejta e votës që gëzojnë mbështetjen e presidentit do të vënë së shpejti në provë këtë praktikë të bllokimit të nismave legjislative në Senat. /VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat