Dëshmia e mjekut: Zemra e Floydit pushoi nga mungesa e oksigjenit

Amerika

Dëshmia e mjekut: Zemra e Floydit pushoi nga mungesa e oksigjenit

Më: 5 prill 2021 Në ora: 21:21
Dr. Bradford Langenfeld

Mjeku i spitalit që njoftoi për vdekjen e George Floydit pasi u përpoq ta ringjallte atë dëshmoi të hënën se teoria e tij në atë kohë ishte se zemra e Floydit kishte shumë të ngjarë të kishte pushuar sepse ai nuk kishte marrë oksigjen të mjaftueshëm.

Dr. Bradford Langenfeld, i cili ishte në detyrë atë natë në Qendrën Mjekësore të Distriktit Hennepin, dëshmoi në fillim të javës së dytë të gjyqit të ish-oficerit të Mineapolisit, Derek Chauvin, ndërsa prokurorët u përpoqën të vërtetonin se gjuri i policit Chauvin në qafën e afrikano-amerikanit Floyd e vrau atë.

Dr. Langenfeld tha se zemra e Floydit kishte pushuar kur ai mbërriti në spital. Mjeku tha se ai nuk ishte njoftuar mbi atë nëse kishte patur përpjekje në vendin e ngjarjes nga kalimtarët e rastit ose policia për të ringjallur Floydin, por ekipi i ndihmës së shpejtë i kishte thënë atij se ata ishin përpjekur ta ringjallnin Floydin për rreth 30 minuta.

Kur u pyet nga prokurori Jerry Blackwell, Dr. Langenfeld tha se bazuar në informacionin që kishte, ishte "më shumë e mundshme" që arresti kardiak, pushimi i zemrës së tij, të ketë qenë shkaktuar nga asfiksia, ose oksigjeni i pamjaftueshëm.

Ish polici 45 vjeçar, Derek Chauvin akuzohet për vrasje në lidhje me rastin e vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd më 25 maj. Ish-oficeri i bardhë akuzohet se ka vënë gjurin në qafën e afrikano-amerikanit 46 vjeçar, duke e mbajtur për 9 minuta e 29 sekonda, ndërsa Floydi ishte shtrirë në pranga jashtë një dyqani, ku ai ishte akuzuar se ishte përpjekur të blinte një pako cigaresh me një kartmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe.

Mbrojtja argumenton se zoti Chauvin bëri atë që ishte trajnuar të bënte dhe se përdorimi drogave të paligjshme dhe problemet shëndetësore ishin shkaktarë të vdekjes së George Floydit.

Avokati i ish-policit Chauvin, Eric Nelson pyeti zotin Langenfeld nëse disa ilaçe mund të shkaktonin hipoksinë, ose mungesën e oksigjenit. Mjeku e pranoi se fentanoli dhe metamfetamina, që të dyja u gjetën në trupin e Floydit, mund ta shkaktonin këtë.

Zyra mjeko-ligjore e distriktit në fund e klasifikoi vdekjen e Floyd-it si vrasje, domethënë një vdekje në duart e dikujt tjetër.

Raporti i plotë thotë se Floydi vdiq nga "arresti kardiopulmonar, i përkeqësuar nga përpjekjet e forcave të zbatimit të ligjit për ta vënë nën kontrol (Floydin)l dhe presioni në qafë." Një raport përmbledhës renditi drogimin me fentanol dhe përdorimin e metamfetaminës si “kushte të tjera të rëndësishme” por jo si “shkaktarë të vdekjes”.

Në përgjigje të pyetjeve nga avokati mbrojtës Eric Nelson, Dr. Langenfeld tha se nivelet e dioksidit të karbonit në trupin e Floydit ishin më shumë se dy herë më të larta se sa tek një person i shëndetshëm dhe ai ishte dakord se kjo mund t'i atribuohet një problemi të frymëmarrjes. Por në përgjigje të pyetjeve të prokurorit, mjeku tha se nivelet e larta ishin gjithashtu në përputhje me ato që ka një person që vuan nga arresti kardiak.

Langenfeld gjithashtu dëshmoi se as ai dhe as ndihmësmjekët nuk i dhanë Floydit ilaçe që do të ndryshonte efektet e mbidozës nga opioidet. Mjeku tha se narkani, ilaçi kundër mbidozës, nuk sjell përfitime tek një pacient në arrest kardiak.

Trajtimi i George Floydit nga policia u filmua dhe pamjet e postuara në mediat sociale shkaktuan protesta që tronditën Mineapolisin dhe u përhapën shpejt në qytete të tjera amerikane dhe më gjerë dhe në disa raste u shoqëruan me akte të dhunshme.

Dr. Langenfeld tha se "çdo moment" që një pacient kalon në arrest kardiak pa përpjekjet e menjëhershme për ta ringjallur ul mundësinë e një rezultati përfundimtar të mirë. Ai tha se ka një rënie afërsisht 10 deri në 15 përqind të shanseve të mbijetesës për çdo minutë që vonohen përpjekjet përt të ringjallur pacientët.

Prokurorët në javën e dytë të gjyqit pritet gjithashtu të përqëndrohen në trajnimet e ish-policit Chauvin rreth përdorimit të forcës.

Shefi i Policisë së Mineapolisit, Medaria Arradondo dëshmoi të hënën për trajnimin e oficerëve të policisë. Arradondo, shefi i parë afrikano-amerikan i policisë së këtij qyteti,e shkarkoi nga detyra zotin Chauvin dhe tre oficerë të tjerë të policsë një ditë pas vdekjes së George Floydit dhe në qershor e quajti incidentin "vrasje".

"Vdekja tragjike e zotit George Floyd nuk ndodhi për shkak të mungesës së trajnimit, trajnimet janë bërë”, tha zoti Arradondo atëherë. "Chauvin e dinte se çfarë po bënte", shtoi ai.

Pas vdekjes së zotit Floyd autoritetet e qytetit lëvizën me shpejtësi duke i ndaluar disa praktika policore si ngulfatjet dhe përdorimin e qafës për të vënë nën kontroll një të dyshuar. Zoti Arradondo dhe kryebashkiaku i qytetit Jacob Frey bënë gjithashtu edhe disa ndryshime të tjera siç është ajo e zgjerimit të kërkesave për raportimin e incidenteve të përdorimit të forcës dhe dokumentimin e tyre për të shmagur përshkallëzimin e situatave edhe kur forca nuk përdoret.

Prokurorët tashmë kanë ftuar të dëshmojnë oficerë mbikëqyrës për të shpjeguar çështjen se Chauvin e ndaloi në mënyrë jo të duhur Floydin. Një rreshter policie në detyrë dhe një toger policie, i cili drejton divizionin e vrasjeve vunë në dyshim veprimet e ish-policit Chauvin pas shtrirjes së Floydit në tokë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat