Hetimet mbi Giulianin fokusohen tek roli në shkarkimin e ambasadores

Amerika

Hetimet mbi Giulianin fokusohen tek roli në shkarkimin e ambasadores

Më: 30 prill 2021 Në ora: 21:29
Rudy Giuliani dhe Donald Trump

Autoritetet federale amerikane që po hetojnë ish-Kryebashkiakun e Nju Jorkut Rudy Giuliani po përpiqen të zbulojnë informacion mbi një ish-ambasadore amerikane në Ukrainë, e cila u largua nga ky post dy vjet më parë nën urdhrat e ish-Presidentit Donald Trump, sipas një avokati të zotit Giuliani.

Robert Costello pohoi me SMS se urdhri për kontrollin e banesës i zbatuar këtë javë përmendte Marie Yovanovitch, një ndër personazhet qendrore në procesin e parë të hapur për shkarkimin e mundshëm të ish-presidentit. Ajo ofroi në dëshmitë e saj hollësi të një fushate për njollosje figure nga zoti Giuliani dhe aleatë të tjerë të zotit Trump para largimit të saj nga posti ambasadorial në 2019.

Fakti që urdhri i gjykatës që autorizon kontrollin e banesës përmend zonjën Yovanovitch dhe kërkon informacion lidhur me komunikimet mes zotit Giuliani dhe disa shtetasve ukrainas lë të kuptohet se autoritetet duan të zbulojnë nëse përpjekjet e Giulianit për ta larguar nga ambasada zonjën Yovanovich u bënë me kërkesë të zotit Trump apo të ukrainasve. Ky fakt është me rëndësi pasi ligji amerikan thotë se kushdo që operon në interes të një vendi të huaj duhet të regjistrohet pranë Departamentit të Drejtësisë si lobist për një vend tjetër.

Zoti Giuliani këmbëngul se nuk ka bërë asgjë të parregullt. Gazeta The New York Times ishte e para që raportoi faktin se zonja Yovanovitch përmendej në dokumentin që autorizonte kontrollin e mjediseve të zotit Giuliani.

Largimi i zonjës Yovanovitch nga detyra e ambasadores në 2019 ishte një ndër episodet kryesore në procesin për shkarkimin e mundshëm të ish-presidentit dhe ndodhi vetëm disa muaj para telefonatës që zhvilloi zoti Trump me homologun ukrainas ku i kërkoi të hapte hetime mbi rivalin e tij në zgjedhje, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter Biden. Edhe zoti Giuliani kishte punuar në këtë front në bisedat me zyrtarë ukrainas si dhe me një ligjvënës ukrainas.

Maria Yovanovitch, diplomate karriere e cila ka shërbyer për dekada në administrata republikane e demokrate, dëshmoi në hollësi gjatë procesit që çoi në ngritjen e akuzave kundër presidentit për fushatën e zotit Giuliani dhe të tjerëve për njollosjen e figurës së saj para se të shkarkohej.

Zonja Yovanovitch u tha hetuesve në Dhomën e Përfaqësuesve se zyrtarët ukrainas i kishin thënë se zoti Giuliani ishte në kontakt me ish-kryeprokurorin Lutsenko dhe se “ata kishin bërë plane dhe se kishin vënë njerëz në shenjestër, përfshirë mua”.

Ajo shtoi se kishte dëgjuar që zoti Lutsenko “po përpiqej të më shkaktonte probleme në Shtetet e Bashkuara”.

Të premten, një avokat i zonjës Yovanovitch nuk pranoi të komentonte./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat